Sport Buffon do të kthehet te Juve edhe për të thyer rekordin e...

Buffon do të kthehet te Juve edhe për të thyer rekordin e Maldinit

Një vit pasi u largua nga “Allianz”, Buffon është me të vërtetë gati për t’u kthyer aty, për ta mbyllur karrierën si portier i Juventusit dhe për të filluar aty një detyrë të re si drejtues, në fund të sezonit të ardhshëm.

Sipas “Tuttosport”, megjithatë, hierarkitë te bardhezinjtë do të jenë shumë të qarta: Szczesny titullar, ndërsa Buffon do të luajë maksimumi 15 ndeshje në total, në moshën afro 42-vjeçare.

Ish-kapiteni i “Zonjës së Vjetër” do të luajë me siguri titullar në Kupën e Italisë. Po ashtu, ndoshta do të shtojë edhe të paktën 8 ndeshje në Serie A, çka do t’i mundësonte atij thyerjen e rekordit të Paolo Maldinit. Me kaq ndeshje të tjera te kampionët e Italisë, Buffon do të bëhej futbollisti me më shumë ndeshje në historinë e Serie A.

Sa i përket Ligës së Kampionëve, Buffon do të luajë vetëm dy ndeshje në fazën e grupeve, ndërsa më tej do të qëndrojë në stol. Kuptohet, nëse nuk lëndohet, ose pezullohet Szczesny. Së fundi, sa i përket angazhimit, Buffon do të fitojë rreth 2 milionë euro, duke përfshirë bonuset. Shumë më pak se PSG i ka ofruar për të qëndruar në Francë, si portier i dytë. Vendimtare për rikthimin te Juventusi do të ishte mundësia e afrimit me familjen.

Me fjalë të tjera, sapo të gjendet një marrëveshje e re për Perin, Buffon do të kthehet në “Continassa”, ku roli i tij në dhomën e zhveshjes, në vitin e parë të epokës “Sarri”, mund të jetë shumë i dobishëm.