Sport Buffon largon makthin e finales së vitit 2003: PSG bëri që të...

Buffon largon makthin e finales së vitit 2003: PSG bëri që të duket e lehtë fitorja

Gianluigi Buffon tha se PSG e bëri të duket e lehtë fitorja ndaj Manchester United (0-2), në “Old Trafford”, teksa e krahasoi ndeshjen e së martës në mbrëmje e me përvojat e tij të tjera në atë stadium. Portieri italian e mbajti të paprekur rrjetën e tij në duelin e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Suksesi erdhi nga këmbët e Presnel Kimpembe dhe Kylian Mbappe, pavarësisht nga mungesa e lojtarëve të tillë si Neymar dhe Edinson Cavani.

“Bëmë që fitorja të dukej e lehtë, duke dhënë gjithçka që kishim në ato 90 minuta. Treguam unitet si skuadër, çka është themelore në këtë kompeticion. Morëm përsipër disa rreziqe, por kjo mënyrë të luajturi na lejoi të merrnim frymë kur ishin nën presion dhe t’i thyenim që në nisje përpjekjet ngutshme të kundërshtarit, – tha Buffon për “Sky Sport Italia”. – Në një përplasje të tillë të balancuar, kjo vlen shumë”.

Buffon u bë portieri i katërt në histori, që luan në Ligën e Kampionëve në moshën 41-vjeçare, kështu që ky është sinjal se PSG duhet ta aktivizojë klauzolën e zgjatjes së kontratës së tij edhe për një sezon. “Kontrata nuk është një mendim në kokën time, të jem i sinqertë. Unë dua vetëm të vazhdoj ta shijoj futbollin, duke qenë i dobishëm për klubin dhe shokët e mi, qoftë në fushë, apo edhe jashtë, nëse nevojitet. Nuk ka qenë kurrë problem për mua të merrem me kontratën, edhe kur isha 30 vjeç, lëre më tani 41 vjeç”, – shtoi portieri italian.

“Old Trafford” sillte kujtime të këqija për Buffon, pasi aty e humbi finalen e Ligës së Kampionëve, me penallti ndaj Milanit, kur Juventusi barazoi 0-0, në vitin 2003: “Sigurisht, kjo më ka ndihmuar. Teknikisht, e kam mbajtur portën të paprekur edhe në atë finale… Sidoqoftë, duke marrë parasysh sa lojtarë kishim humbur për shkak lëndimesh dhe të tjerët jo në formë të mirë, ishte diçka e madhe të fitonim këtu, në këto rrethana”.