Sport Buffon ndërron fanellën me djalin e Maldinit: Po pres nipërit

Buffon ndërron fanellën me djalin e Maldinit: Po pres nipërit

Ai bëri debutimin e tij në Serie A, më 19 nëntor 1995, në një ndeshje ku mbrojti portën e Parmës kundër Milanit, kur shumë nga kolegët e tij të sotëm kuqezinj mbase nuk kishin lindur ende dhe të enjten në mbrëmje, 24 vite më vonë, ai luajti një sfidë tjetër në nivele të larta të karrierës së tij të jashtëzakonshme. Sërish kundër Milanit, por kësaj here në Kupën e Italisë.

Gigi Buffon, në moshën 42-vjeçare, jo vetëm që nuk ka dëshirë “t’i varë dorezat në gozhdë”, por vazhdon të mbetet një portier me performancë të qëndrueshme dhe të shkëlqyer. Ai ishte ndër më të mirët në fushë, duke ndihmuar Juven e tij të marrë në shtëpi një barazim të çmuar. Nëse në ditën e debutimit të tij në Serie A, në fushë si kundërshtar kishte të madhin Paolo Maldini, të enjten në mbrëmje, legjenda e Juventusit e pa veten duke sfiduar Daniel Maldinin, i cili qëndroi në stol, por që në Milano po vazhdon traditën e një dinastie unike.

Në fund të ndeshjes, Buffon i kërkoi  fanellën 18-vjeçarit dhe i intervistuar nga gazetarët e pranishëm, ai shpjegoi në një mënyrë argëtuese arsyen e këtij veprimi: “Kjo është bluza e Maldinit, djalit të Paolo-s. Unë vetë ia kërkova atë. Jam shumë i lumtur që e mora, sepse në koleksionin tim, përveç fanellës së Chiessa-s dhe të birit, Thuram dhe djalit të tij, Weah dhe të birit, tani kam edhe dy Maldinët, babain dhe të birin, kështu që tani jam në pritje të nipërve të tyre. Kur ata të jenë duke luajtur, unë prapë do të jem këtu, në “San Siro”, në mes të fushës”.