Sport Buffon shkruan historinë, më shumë ndeshje nga të gjithë në Serie A

Buffon shkruan historinë, më shumë ndeshje nga të gjithë në Serie A

Portieri legjendar i Italisë dhe Juventus, Gigi Buffon, u bë këtë të shtunë edhe lojtari me më shumë ndeshje të luajtura në kampionatin italian. Në derbin kundër Torino, 42-vjeçari arriti në kuotën e 648 takimeve në Serie A, duke kaluar me një ndeshje një tjetër legjendë të futbollit italian Paolo Maldini.

Nga këto, 480 ndeshje i ka luajtur me bardhezinjtë, ndërsa të tjerat me Parma-n, me të cilën edhe debutoi në vitin 1995, në moshën 17-vjeçare.

Kjo është ndeshja e tetë e Buffon në këtë sezon të Serie A, i rikthyer te bardhezinjtë në fillim të sezonit, si rezervë e Wojciech Szczęsny.

Buffon, me Juven do të arrinte edhe sukseset më të mëdha, duke fituar 9 herë titullin kampion, më shumë se kushdo tjetër.

Mes arritjeve të tjera të tij renditen edhe rekordi për minuta pa pësuar gol në Serie A, plot 974, rekordi për më shumë ndeshje pa pësuar gol në Serie A, 285, si dhe rekordi i ndeshjeve në Champions League për një lojtar italian, 118.

Lista e lojtarëve me më shumë takime në Serie A

Gianluigi Buffon – 648

Paolo Maldini – 647

Francesco Totti – 619

Javier Zanetti – 615

Gianluca Pagliuca – 592