Aktualitet Bujar Spahiu zgjidhet kryetar i ri i KMSH: Puna ime parësore, ruajtja...

Bujar Spahiu zgjidhet kryetar i ri i KMSH: Puna ime parësore, ruajtja e harmonisë ndërfetare

Bujar Spahiu është zgjedhur këtë të shtunë Kryetar i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar me një mandat 5-vjeçar.

Spahiu mori 59 vota duke mundur në garën për kreun e myslimanëve Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra (26 vota) dhe Myftiun e Lushnjës, Gramoz Glliku (2 vota).

“Unë siguroj shtetin shqiptar, ndërmjet jush, se do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njeriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mija maksimale të jem një shqiptar i mirë dhe një qytetar i mirë.

KMSH nën lidershipin tim do të ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar.

Do të jetë puna ime parësore, ruajtja dhe forcimi i harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri”, tha Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse pas zgjedhjes në postin e Kreut të KMSH.

Spahiu, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit të KMSH për gjatë 10 viteve të fundit, do të zëvendësojë në detyrë Skënder Bruçajn, i cili mbrëmjen e djeshme u tërhoq nga gara për t’u mos u rizgjedhur për një mandat të dytë.