Sport Bundesliga, Bayern nis kampionatin me sytë ende te merkato

Bundesliga, Bayern nis kampionatin me sytë ende te merkato

Sonte në mbrëmje kthehet spektakli i futbollit gjerman. Bundesliga nis me kampionët e Bayern Munchen menjëherë të angazhuar për të mbrojtur titullin. Bavarezët luajnë në 20:30 në shtëpi, përballë Hertha Berlin.

Një sezon që paraqitet më i vështirë se ai i mëparshmi, pasi Borussia Dortmund është gati t’i sfidojë në garën për titull. Sinjali i parë u dha në finalen e Superkupës së Gjermanisë, ku verdhezinjtë dominuan dhe fituan.

Nga ana tjetër, Bayern ka bërë disa përforcime të rëndësishme në mbrojtje, duke sjellë dy kampionë bote si Pavard dhe Hernandez, por nuk ka mundur të marrë emra të rëndësishëm në repartin e avancuar. Ivan Perisic ka ardhur në formë huazimi nga Inter, ndërsa blerja e Leroy Sane ka ngecur pas dëmtimit të lojtarit ndërsa luante me Mancester City.

Megjithatë, duke qenë se afati i fundit për të realizuar blerje është 2 shtatori, klubi ka ende mundësi për të përforcuar grupin. Bavarezët mbeten gjithsesi favoritë për titullin e tetë rresht, edhe pse synimi kryesor i klubit është Champions League.