Aktualitet Burg përjetë për 2 vrasësit e 21-vjeçarit shqiptar

Burg përjetë për 2 vrasësit e 21-vjeçarit shqiptar

Dy persona të cilët vranë një 21-vjeçar shqiptar vitin e kaluar në Britaninë e Madhe janë dënuar me burgim të përjetshëm. 32-vjeçari Shaddai Smith dhe 38-vjeçari Jason Sebran u shpallën fajtorë javën e kaluar për vrasjen e Renato Gecit dhe plagosjen e vëllait të tij, Vilson Geci, 29 vjeç. Mësohet se dy vëllezërit shqiptarë po ruanin një shtëpi bari në Londër, ndërsa dy vrasësit kishin shkuar atje për t’i grabitur. Ngjarja ndodhi më 22 Mars të vitit të kaluar.

Dy autorët u dënuan me burgim të përjetshëm dhe kanë të drejtë që të kërkojnë lirinë me kusht pas 19 vitesh në qeli. Po ashtu, ata u dënuan me 6 vjet burg për plagosje dhe 3 për grabitje. Këto vendime do të ekzekutohen njëkohësisht me dënimet e përjetshme. Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, 32-vjeçarin Geci e kanë goditur të dy të dënuarit. I pari ka qenë Sebran që e ka goditur me një kaçavidë, ndërsa Smith i ka dhënë goditjen fatale me një thikë kuzhine.

“Ju ishit të përgatitur të përdornit forcën vdekjeprurëse për t’i shpëtuar kapjes në rast konfrontimi”, tha gjyqtari Howard Crowson.

Në gjyq u zbulua se në pronën ku qëndronin dy shqiptarët zhvillohej një operacion i sofistikuar për kultivimin e më shumë se 200 bimëve kanabis me një vlerë prej 95 mijë Paund. Smith dhe Sebran u ngjitën me një shkallë dhe hynë në banesë përmes dritares së banjës, por ajo mbrohej nga 2 vëllezërit shqiptarë. Ka qenë vëllai i madh ai që ka shkuar të shihte se ç’po ndodhte, por u përball me dy grabitësit të cilët e spërkatën në fytyrë me acid.

Prokurori Crispin Aylett u shpreh se pas kësaj ka nisur një sherr i fuqishëm dhe Smith ka marrë nga kuzhina një thikë, ndërsa Sebran ka qenë i armatosur me një kaçavidë.

“Renato u godit për vdekje me thikë si dhe u godit me kaçavidë. Sa i përket Vilsonit, ai u godit me thikë në kofshë dhe gjithashtu mori një numër të konsiderueshëm lëndimesh të tjera, megjithëse shumica prej tyre ishin mjaft sipërfaqësore”, tha prokurori.

Autorët më pas u larguan përmes një dritareje. Pasi u arrestua, Smith pranoi se kishte hyrë për të grabitur, por pretendoi se ishte sulmuar i pari. Ndërsa Sebran tha se dikush tjetër kishte hyrë brenda banesës ndërsa ai po priste në makinë. Por ata janë identifikuar nga përshkrimi i Vilson Gecit. Ky i fundit kishte parë tatuazhin e krahut të Sebran dhe për pasojë u vu në pranga.