Politika Bushati: E drejtë e Ramës të zgjedhë ministrin, Meta të ezaurojë procedurën...

Bushati: E drejtë e Ramës të zgjedhë ministrin, Meta të ezaurojë procedurën e shkarkimit tim

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha të martën se është e drejtë e Kryeministrit Rama që të zgjedhë njeriun me të cilin do të çojë përpara programin, teksa nga krahu tjetër i bëri thirrje kreut të shtetit të ezaurojë procedurën për shkarkimin e tij.

“Sa i përket dimensionit politik. Kryeministri e ka marrë vendimin e tij dhe ia ka bërë të ditur opinionit publik për të ndryshuar drejtimin politik të MEPJ. Është e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e Kryeministrit për të përzgjedhur ekipin e tij politik me të cilin ai do të përmbushë objektivat e programit në këtë fushë”, tha Bushati pas takimit me ministrin e Jashtëm italian.

“Apeli im është shumë i thjeshtë për të ezauruar një orë e më parë procedurën kushtetuese që jetëson jo vetëm ndryshimin e lidershipit në MEPJ, por që edhe do t’i krijonte mundësi vendit për tu përfaqësuar në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare”, tha Bushati, në thirrjen drejtuar kreut të shtetit.

Duke thënë se këto “janë edhe orët e mija të fundit në krye të ministrisë”, Bushati falënderoi stafin, kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste që i dhanë mundësinë për të përfaqësuar vendin.