Sport Bylisi shkatërron Flamurtarin dhe merr kryesimin e renditjes. Teuta mposht Kukësin

Bylisi shkatërron Flamurtarin dhe merr kryesimin e renditjes. Teuta mposht Kukësin

Bylisi ka shkatërruar Flamurtarin me rezultatin e thellë 5-0 dhe në pritje të derbit Tirana-Partizani kryeson renditjen e kampionatit shqiptar me 11 pikë.

Për mallakastriotët shënuan Qardaku, Goxhaj, Guindo, dhe dy herë Ntephe. Kjo ishte fitorja e tretë në 6 javë për ballshiotët.

Kukësi u mposht nga Teuta me rezultatin minimal 1-0 dhe regjistroi humbjen e dytë sezonale. Në stadiumin “Niko Dovana” u zhvillua një 90-minutësh shumë i luftuar nga të dyja skuadrat.

Momenti kulmor i takimit ishte në minutën e 84-t, kur arbitri akordoi një 11-metërsh në favor të vendasve për një faull të dyshimtë të Obanorit në dëm të Rustem Hoxhës, që pasoi edhe protestat e verilindorëve. Penalltinë e mori përsipër Sherif Kallaku, i cili arriti të çojë në krahun e djathtë portierin Xhika dhe në të majtë topin, duke gjetur rrjetën.

Fitore me mjaft vlera mori edhe Vllaznia në “Lorio Boriçi”, me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Skënderbeut. Nën mbështetjen e tifozërisë shkodrane, të rikthyer pas pezullimit, Vllaznia e Jonuzit zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mire.

Shkodranët e nisën mjaft mirë takimin, duke prodhuar shumë volum loje, por duke vuajtur shumë mungesën e një sulmuesi që të mund të çonte topin në rrjetë, megjithatë në minutën e 39’ arbitri akordoi një 11-metërsh, pas një faulli të Turtullit në dëm të Gurishtës.

Penalltinë e mori përsipër kapiteni Gilman Lika, që arriti të gjuajë saktë dhe të mposhtë Koliçin, duke çuar shkodranët në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli, ndërsa korçarët tentuan të rikthehen në lojë në pjesën e dytë, duke ndryshuar ndjeshëm lojën e tyre.

Megjithatë në minutën e 68’ ishte sërish Turtulli që bëri një tjetër faull të pafat në zonë, këtë herë ndaj Shtubinës dhe arbitri akordoi penalltinë e dytë për shkodranët, të cilën sërish e ekzekutoi Gilman Lika, duke dyfishuar avantazhin.

Gjithçka u bë më e lehtë më pas për kuqeblutë, që arritën të gjejnë golin e tretë me Zogajn në minutën e 83-të dhe të katërtin me mesfushorin Hygor në minutat shtesë të takimit, duke kompletuar një triumf me goleadë.

Laçi mori një barazim 1-1 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, pas një penalltie shumë të diskutueshme të akorduar në minutat shtesë nga arbitri.