Politika Cakaj dërgon mjekët në Itali dhe do kthejë në atdhe 120 shqiptarët...

Cakaj dërgon mjekët në Itali dhe do kthejë në atdhe 120 shqiptarët e parë të bllokuar në shtetin fqinj

Nis sot operacioni humanitar për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar në Itali. Do të jetë ministri i Jashtëm Gent Cakaj i cili është nisur pasditen e sotme për të përcjellë drejt shtetit fqinj mjekët dhe infermierët shqiptarë që do t’u vijnë në ndihmë bluzave të bardha italiane dhe do të kthehet së bashku me shqiptarët që kishin mbetur të bllokuar prej disa ditësh në Italinë e “plagosur” nga koronavirusi.

Operacioni do të nis me 120 shqiptarët e parë të Italisë që do sillen në atdhe nga “Lasgushi”, avioni i “Air Albania” kundrejt asnjë pagese.

Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. “Gati skuadra fluturuese e shpëtimit “Air Albania”! Nisim që sot operacionin humanitar për riatdhesimin e shtetasve shqiptar që përmbushin kriteret e vendosura nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Jemi me mendje e zemër me ju”, shkruan ajo.

Rikthimi i qytetarëve, sipas Ministrisë së Jashtme, do të bëhet sipas tre kategorive në të cilat përfshihen: qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar më shumë se 90 ditë në vendet ku ata janë bllokuar, studentët shqiptarë në vendet ku ata studiojnë dhe rastet humanitare. Bëhet fjalë për një listë të mbyllur prej 1379 personash. Kryeministri Edi Rama sqaroi më parë se do të sillen në Shqipëri vetëm ata persona që kanë ngecur në shtetet e tjera për shkak të mbylljes së kufijve dhe jo shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit dhe në kohën e koronavirusit kujtohen ta kalojnë atë në Shqipëri, me shpresën se vendi ynë nuk është shumë i goditur nga pandemia.