Aktualitet Caktohet data e seancës së parë për Saimir Tahirin

Caktohet data e seancës së parë për Saimir Tahirin

Gjykata për Krimet e Rënda cakton 19 qershorin, si datë të seancës së parë gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ish-ministri do të përballet në gjykatë me akuzat: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar  kriminal”.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tahiri ka qenë garantues i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës.

Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe tre ish zyrtarët e lartë të Policisë së Vlores, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, ende të pa arrestuar.

Shorti elektronik përcaktoi në fillim të muajit treshen e trupës që do të gjykojë çështjen.

Trupa përbëhet nga kryesuesi Ardit Mustafaj, si dhe nga anëtarët Flora Hajredini dhe Irena Gjoka.

Këto tre gjyqtarë do të vlerësojnë nëse qëndrojnë ose jo akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj Tahirit.

Gjithashtu, do të jetë kjo trupë që do të vendosë nëse Tahiri do të gjykohet me procedurë të shkurtuar, siç kërkoi edhe në seancën paraprake apo do të gjykohet në një proces normal ku provat do të shqyrtohen një e nga një.