Aktualitet Caktohet gjyqtarja për ankimimin e Mediut, mbrojtja e ish-ministrit: Ka konflikt interesi

Caktohet gjyqtarja për ankimimin e Mediut, mbrojtja e ish-ministrit: Ka konflikt interesi

Gjykata e Lartë ka hedhur shortin për çështjen ndaj Fatmir Mediut. Seanca do shqyrtohet nga gjyqtarja Albana Boksi, e cila është kundërshtuar nga pala mbrojtëse.

Kjo e fundit pretendon se Boksi ka konflikt interesi për shkak se ka shqyrtuar disa kërkesa përgjatë procesit. Në rast se gjyqtarja nuk jep dorëheqjen, avokati i Mediut do kërkojë përjashtimin e saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Ish-ministri Fatmir Mediu, përmes avokatit mbrojtës ankimoi vendimin e Apelit të Posaçëm për rihapje të hetimeve ndaj tij lidhur me ngjarjen e Gërdecit në vitin 2008.

Rekursi u depozitua rreth 3 javë më parë nga avokati mbrojtës i tij, Ardian Visha, ku kërkon prishjen e vendimit pasi sipas tij është antikushtetuese, dhe se për këtë çështje është dhënë një herë vendim.

Gjithashtu, sipas avokatit një tjetër argument është se vepra penale për të cilën ish-ministri akuzohet është parashkruar.