Politika Çani-Besa Shahinit: Nuk qenke rastësisht në këtë pozicion, je pjesë e Sorosit…

Çani-Besa Shahinit: Nuk qenke rastësisht në këtë pozicion, je pjesë e Sorosit…

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka rrëfyer këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan njohjet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, përpara se t’i futej politikës në Shqipëri.

Shahini tha se ka qenë në shkollë të mesme në Kanada me Spiropalin dhe se ka punuar për vite me radhë me Veliajn.

E pyetur nëse ka qenë Veliaj apo Spiropali që e kanë propozuar te Kryeministri Edi Rama për të qenë ministre, Shahini tha se nuk ka informacion lidhur me këtë.

Arian Çani: Nëse Gent Caka ishte propozim i Baton Haxhiut, ti propozim i kujt ishe të Edi Rama?

Besa Shahini: Ti e ke patur Kryeministrin në emision, përse nuk e pyete? Këto janë vendime të tij. Nuk e di kush më ka propozuar. Unë di të them që për punën që kam bërë kam bashkëpunuar me Erion Veliajn, kemi qenë në një organizatë bashkë. Me Elesia Spiropalin kam qenë në shkollë të mesme në Kanada. Kam bashkëpunuar me shumë njerëz që sot janë deputetë.

Arian Çani: Ke qenë shoqe me Erionin?

Besa Shahini: Kam qenë shoqe me Elisa Spiropalin dhe kemi qenë shokë pune me Erionin. Nuk janë të vetmet kontakte, por janë dy më kryesoret që po t’i marr shembull. Në 2013 kam punuar në Shqipëri kur janë fituar zgjedhjet. Në atë kohë shkruanim raporte që të mund të informonim publikun në shtete të ndryshme në Europë.

Arian Çani: Nuk je rastësisht në këtë pozicion… Je në fushën e Veliajt, ai të ka propozuar?

Besa Shahini: Nuk e di. Janë çështje që i di Kryeministri më së miri, janë vendime të tij.

Arian Çani: Ti nuk je zgjedhur nga hiçi, nuk je një njeri kot, por le ta themi sot që edhe ti je pjesë e Sorosit. Sepse Erion Veliaj, Elisa etj., janë pjesë e Sorosit. S’po them ndonjë gjë të keqe, se Sorosi është qeveria paralele e Amerikës. Pra le ta themi Besa, po të mos ishe pjesë e këtij sekti ti nuk do të ishe sot këtu ku je? Është logjike kjo që po them?

Besa Shahini: Unë do thosha që jam për shkak të eksperiencës time në fushën e arsimit.

Arian Çani: Ka shumë të tjerë të aftë si puna jote, por nuk kanë këtë që ke ti dhe s’mund të jenë ministra.

Besa Shahini: Ke të drejtë të bësh çfarëdolloj analize të duash. Analiza jote është e drejta jote.

Arian Çani: Rama nuk e ka mohuar asnjëherë, Veliaj bëri dasmë dhe ai ishte i ftuar. Pjesë e këtij grupi je dhe ti? S’mund të më thuash sot jo…

Besa Shahini: Ok, nuk e di.