Sport Capello: E pakuptueshme, ngremë lart Klopp-in dhe kritikojmë Allegrin!

Capello: E pakuptueshme, ngremë lart Klopp-in dhe kritikojmë Allegrin!

Pas përmbysjes së madhe kundër Atletico Madridit, eliminimi kundër Ajax ishte i habitshëm dhe zhgënjyes për bardhezinjtë. Liga e Kampionëve mbetet ëndërr në sirtar edhe në vitin 2019 për Juventusin, i cili vijon t’i shkojë pas, por pa sukses, këtij trofeu prej më shumë se dy dekada. Dy finale të humbura dhe shumë keqardhje për tifozët e gjigantëve të Torinos.

Rast për keqardhje të madhe është edhe Liverpool në Premier League. Pavarësisht një kampionati mbresëlënës, që nuk “eklipsohet” dot nga humbja 3-0 në gjysmëfinalen e parë të Champions-it, finalistët e kompeticionit më të rëndësishëm për klubet në Europë, sezonin e kaluar, rrezikojnë të dalin duarbosh.

Dhe të mendosh se Jurgen Klopp vetëm lavdërohet për punën e bërë në “Anfield”, pavarësisht se skuadra që drejton ka 28 sezone pa titull.

Përsa iu përket dy trajnerëve të skuadrave në fjalë, Allegri dhe Klopp, një veteran dhe ikonë e trajningut botëror, Fabio Capello, dha mendimin e vet në studiot e “Sky”: “Unë e vlerësoj lart punën e Klopp. Problemi i vërtetë është se Allegri kritikohet, ndërsa Klopp lartësohet, nuk e kuptoj vërtet këtë gjë. Nëse fiton një finale Champions-i, Allegri do të gjykohet si fenomen, por ne po flasim për atë, që ka fituar pesë tituj në Itali dhe ka luajtur dy finale në Ligën e Kampionëve. Momenti vendimtar me lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar i kushtoi atij këtë sezon ndaj Ajax”.