Sport Capello: Juventus mori fund që pas këtij momenti

Capello: Juventus mori fund që pas këtij momenti

Ajax-i ka fituar 2-1 në Torino dhe ka eliminuar Juventusin nga Champions League me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Ashtu siç kanë bërë në fazën e 1/8-ve kundër Real Madrid, holandezët kanë përmbysur parashikimet dhe janë kualifikuar në gjysmëfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Një arritje e jashtëzakonshme dhe e merituar për lojtarët e Ten Hag, të cilët i kanë dhënë një leksion futbolli kampionëve në fuqi të Italisë.

Ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, ka komentuar eliminimin e Juventus nga Champions League për “Sky Sport”.

“Kam parë një Juventus të mirë në pjesën e parë, që ka luajtur si Ajax-i. Fatkeqësisht, ashtu siç ndodhi në Amsterdam, goli i barazimit erdhi shumë shpejt. Nga ai moment, Juventus u shpërbë. Nuk ka patur të njëjtin ritëm dhe të njëjtën vendosmëri“, ka thënë Capello.

“Ajax-i ka qenë i jashtëzakonshëm dhe nuk e ka lejuar Juventus-in të shkojë në zonën e rreptësisë dhe ka luajtur një futboll të mrekullueshëm kur ka pasur topin”.