Sport CAS fali City-n, Klopp me gjuhë kritike: Nuk ishte ditë e mirë...

CAS fali City-n, Klopp me gjuhë kritike: Nuk ishte ditë e mirë për futbollin

CAS rrëzoi dënimin e UEFA-s për Manchester City mëngjesin e së hënës. Skuadra e Pep Guardiolës do të jetë në gjendje të luajë në Champions sezonin e ardhshëm, pasi ka rënë poshtë pezullimi me dy vite i “qytetarëve” nga ky kompeticion dhe garat e tjera europiane.

Jürgen Klopp, në konferencën për shtyp, përdori tone kritike për ta përshkruar vendimin. Trajneri i Liverpool-it iu referua meritës së “Fair Play Financiar” të UEFA-s: “Unë as nuk e di nëse mund t’i përgjigjem, është një pyetje delikate. Nuk ishte një ditë e mirë për futbollin, të jem i sinqertë. “Fair Play Financiar” është një ide e mirë e UEFA-s, mbron ekipet dhe konkurrencën, sigurohet që askush të mos harxhojë shumë dhe se paratë e shpenzuara në mënyrat e duhura”.

Ish-trajneri i Dortmundit shpjegoi gjithashtu se si funksionon në Gjermani dhe rëndësinë e të pasurit parametra, që rregullojnë shpenzimet, për të mbajtur konkurrencën e vazhdueshme: “Nuk është për mua të vlerësoj dhe të jap gjykime, por besoj se të gjithë duhet t’i respektojnë këto rregulla. Nëse klubet dhe kombet më të pasura mund të bëjnë atë që dëshirojnë, atëherë bëhet e vështirë. E gjitha do të varet nga cili është pronari i klubit. Në Gjermani, licencat duhet të merren çdo vit, klubet nuk ndërtohen rreth një pronari të vetëm”.

Klopp, gjithashtu, gjen kohë për të buzëqeshur, duke menduar për sezonin e ardhshëm: “Jam i lumtur që Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve. Të paktën do të kenë edhe 10-12 ndeshje të tjera për t’i luajtur. Përndryshe, asnjë klub nuk do të kishte shansin të fitonte Premier League ndaj tyre, pa angazhim në Champions”.