Kryesore Ç’dekretimi i zgjedhjeve / Meta tregon se çfarë bisedonte me Ramën privatisht

Ç’dekretimi i zgjedhjeve / Meta tregon se çfarë bisedonte me Ramën privatisht

Blendi Fevziu e pyeti Presidentin Ilir Meta për bisedat private që kishte pasur me kryeministrin Edi Rama, përpara se të merrte vendimin për të ç’dekretuar zgjedhjet e 30 Qershorit. Meta tha se Rama i kishte përsëritur disa herë se kishte kohë dhe se nuk e kishte pranuar asnjëherë që vendi ishte në krizë.

Blendi Fevziu: Çfarë biseduat me Edi Ramën? A ju dha një argument ai për qëndrimin që mbante?

Presidenti Ilir Meta: Unë nuk e kam menduar kurrë, por deri në 10 Qershor, apo qoftë edhe ndoshta një ditë më mbrapa, që Edi Rama vërtetë e mendonte që të shkonte në zgjedhje vendore pa opozitën. Nuk e mendoja. Mendoja që ky do të fitojë kohë, t’i verë këta ndoshta në një situatë pak si më të vështirë, duke afruar 30 Qershori dhe pastaj ky do të vijë dhe vetë dhe do të thotë, ore shiko gjej një datë, gjej një mundësi të caktojmë një datë, pastaj vijnë, s’vijnë ata kjo është punë e tyre. Pra ky duhet ta bënte një përpjekje.

Blendi Fevziu: E kishit analizë, apo edhe e kishit biseduar?

Presidenti Ilir Meta: Tani unë kisha biseduar disa herë dhe ai më thoshte kemi kohë. E vërteta kjo është. Unë nuk di të gënjej, nëse ti ke një politikan në Shqipëri që thotë se Ilir Meta më ka gënjyer, ok. Por unë nuk di të gënjej.

Blendi Fevziu: E pranonte Rama në bisedat private që ishit në një krizë? Që vendi ishte në krizë.

Presidenti Ilir Meta: Po jo më ai nuk pranon, edhe sot ai thotë që është Europa në krizë, nuk jemi ne, ne po lulëzojmë.

Blendi Fevziu: Nuk ju dha asnjë shpresë?

Presidenti Ilir Meta: Po ta kishte pranuar këtë gjë dhe po të kishte ndjenjë përgjegjësie që duhet të ketë, jo një kryeministër që ka shumë përgjegjësi ndaj vendit, por edhe një qytetar normal, kurrë nuk do të ishim në këto situata ne.

Blendi Fevziu: A kishte frikë nga përplasja Edi Rama?

Presidenti Ilir Meta: Nuk e di se ku kishte frikë ai. Unë nuk e di nga se kishte frikë ai, por është gjëja më e lehtë kur të tjerët vijnë dhe bëjnë miting para Presidencës, unë të iki në Skrapar dhe të mbaj fjalime kundër atyre që bëjnë miting.

Blendi Fevziu: Në takime private me ju, kishte frikë për destabilitet në vend?

Presidenti Ilir Meta: Nuk mendoj tani pas gjithë këtyre zhvillimeve që atij i dhimbset shumë stabiliteti, apo destabiliteti. Nuk e mendoj sepse po t’i kishte këto ndjenja të përgjegjshme ai nuk do ta kishte lënë kurrë situatën të vinte në këtë pikë. Ai është i vetmi kryeministër në vend në gjithë këtë histori që nuk pranon dhe nuk merr përgjegjësi për asnjë nga krizat dhe pasojat.

Blendi Fevziu: Sepse ai e konsideron krizë artificiale, krizë artificiale të krijuar nga opozita, të krijuar me ndihmën tuaj.

Presidenti Ilir Meta: Po patjetër. Opozita, media, shtypi, armiqtë ndërkombëtarë, të gjithë.