Kulturë “Çdo gjë në jetë buron nga dashuria”, intervistë me aktorin i mirënjohur...

“Çdo gjë në jetë buron nga dashuria”, intervistë me aktorin i mirënjohur e të talentuar,  Anastas Nika

Anastas Nika dhe Raimonda Moisiu

“Prindërit dëshironin që unë të bëhesha doktor,por më pas e kuptuan, dhe kanë bërë të pamundurën që unë të mos i lija studimet përgjysëm. Duke qenë të varfër, për këtë nëna ime mblidhte letra, libra e gazeta nëpër rrugë, lule e bimë mjekësore për t’i shitur, që të mund të përballoja jetesën gjatë viteve të studimit në Tiranë.”

Bisedoi: Raimonda Moisiu

Imazhet e fëmijërisë i ruan si një ishull të bukur magjik brenda vetes, në kuptimin se ka simbolikë të elementeve që e kanë shoqëruar në udhën e gjatë të jetës, falë natyrës së bukur të vendlindjes, butësisë shpirtërore, mbledhjes së kallinjve të grurit dhe vargjeve me gjethe duhani, pastaj lojës teatrale me kafshët si miqtë e tij më të mire, duke recituar vargje të ndryshme për bashkëfshatarët, – formimit dhe edukimit në “qytetin e bukovileve”, lulja e rrallë e quajtur bukovile, e cila nuk rritet në asnjë vend të botës, vetëm në Sarandë, qytet buzë Jonit, me një bukuri natyrore të mahnitshme, qytet që për çudi në një stinë të vetme i jeton të katër stinët. Aktori i mirënjohur, Anastas Nika, njëkohësisht regjisor-skenarist pranë Teatrit në Sarandë, në odisenë e tij për t’u bërë aktor, gjithmonë ka qenë në kërkim të botës së mistershme të artit skenik, ngacmimeve dhe ndarjen e emocioneve në skenë, të nevojës jetësore, shpirtërore dhe artistike, për të qenë pranë aktorëve të shquar Piro Mani, Timo Flloko, Rikard Ljarja, Vangjush Furxhi, Margarita Zhepa, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Viktor Zhysti, Agim Qirjaqi, pastaj të Vladmiri Priftit e Pëllumb Kullës, Sonila Ulqinakut e Rozi Kostanit, Spiro Dunit e Mikel Kalemit, po edhe të Jani Durit, Shefqet Bregut, Josif Papagjonit, Klajdi Markut, Saimir Brahos, Gentian Zenelajt, Agron Llakës etj.
E nisi si agronom, dhe më pas, falë talentit të lindur dhe këmbënguljes së tij, ai arrin të studiojë dhe të diplomohet në Akadaminë e Arteve në Tiranë, dega e aktrimit, aty do të rritet dhe përsoset figura e tij si artist – aktor. Ndër rolet e tij të spikatura renditen; “Marrëzia e një të mëncuri”, “Amaneti i nënës”, “Dhëndrri nga Amerika”, në komedinë me një akt “Vaji i dashurisë”, “Këngën ma dëgjoni nesër”, “Gjyq në fund të shekullit”, “Krijimi i Partisë Lakuriqe”, rolin e Kreontit në tragjedinë e Sofokliut “Antigona”, në skenën e Butrintit, rolin e Poprishinit etj. Mes entusiazmit të njohjes së kulturës antike të vendlindjes së tij, Sarandës, në gjurmët e së shkuares e të së tashmes, eksperiencat e vyera të jetës, jetësoren dhe artistiken, aktori i mirënjohur dhe i talentuar Anastas Nika na i rrëfen në këtë intervistë.

R.M.-Më lejoni tu thërras Mjeshtër. Dicka nga fëmijëria dhe rrënjët e origjinës?

A.N.-Unë kam lindur në fshatin Sopik i cili ndodhet midis Konispolit dhe Sarandës, në rreze te malit të Milesë, afër qytetit antik të Butrintit. Gjuha e fshatit tim është shqipja dhe besimi ortodoks. Deri në moshën 11 vjec do të jetoja në këtë fshat, ku unë mora gjëra të mbrekullueshme falë natyrës së bukur, falë njerëzve me një shpirt të butë e pamje disi të egër, punëve gjatë verës që mblidhja kallza e bëja vargje me gjethe duhani e recitoja vargje të ndryshme para fshatarëve, falë kafshëve të ndryshme të cilat ishin miqtë më të mirë, e unë vrapoja grykave e lëndinave që ti kullosja. Shpesh ato humbnin e ngeleshin jashtë, nuk i gjenim dot dhe në mëngjes jo pak herë i gjenim të copëtuar nga ujqit. Unë ulërija e qaja mbi trupin e tyre, kur dje ato më bënin të gëzoja e të vrapoja, të qeshja me nazet e tyre . Të gjitha këto imazhe unë i mora me vete, i kam tek vetja si një ishull i bukur magjik. “Shkoj” shpesh çlodhem e frymëzohem, sa herë kam nevojë jetësore e artistike.

R.M.-Saranda? Cfarë nënkupton vëndlindja për Ju?

Saranda tanimë është e njohur dhe e shtrenjtë, jo vetëm për mua, por edhe ata që janë nga Saranda. Cdo shqiptar brënda dhe jashtë atdheut është edhe i dashuruar me ‘’qytetin i bukovileve’’. Kjo lule e quajtur bukovile nuk rritet në asnjë vend tjetër të botës. Në të gjithë krenohemi për bukuritë natyrore që ajo ka, për cudi në një stinë të vetme i jeton të katërta stinët . Për mua është tejet e shtrenjtë pasi këtu diku afër saj kam lindur. Një nga ëndërrat e mia të kohës kur isha adoleshent ishte që unë të vija e të jetoja në këtë qytet të bukur.Unë ia kam kushtuar dhe vazhdoj t’i kushtoj me gjithë fuqinë e shpirtit e të mëndjes për rreth 45 vjet të jetës time, duke i dhënë jashzakonisht shumë e duke marrë prej saj vetëm dashurinë e respektin e njerëzve. Kjo për një artist s’është pak .. Unë nuk shkruaj vargje, por të vetmen herë që shkrova ia kam kushtuar këtij qyteti, madje një kompozitor do të ndërtonte një këngë me keto vargje për një nga festivalet e pranverës në Tiranë.  Saranda për mua tani është dhe më shumë, pasi unë me nje studio televizive po përgatisim dokumentarin me titull ’’Unë njeriu sarandiot në Qendër të Botës’’, mbështetur në të dhëna gjeografike dhe ato historike, si dhe në resurset e saj të mrekullueshme e të cuditshme natyrore. Ndërtova skenarin mbështetur ne një esse, e shkruar nga prof.doc Agim Nelaj (një shkencëtar në fushën e mjekësise veterinare dhe njeri i letrave) e cila fitoi një cmim ndërkombëtar me këtë temë. Historianë dhe njerëz të sferave të ndryshme hedhin idenë se meridiani 20 , i cili përcakton se ku gjendet ‘’mesi i botës’’,për cudi kalon në Sarandë e në Butrint, se Grenuiçi është një marrëveshje e vetë anglezëve. Eshtë qytet i 40 shenjtorëve, nga ka marrë dhe emrin. Gjemëni një vend tjetër në botë që të ketë 40 shenjtorë?! Jam i sigurt që nuk do ta gjeni dot, se nuk ekziston. Edhe sikur intrigë artistike të jetë, unë do ta shfrytëzoj këtë që t’i bëj reklamë qytetit tim ‘’perlë’’ me historinë dhe natyrtën e tij hyjnore, e theksoj hyjnore. Gjithë të huajt që vijnë e vizitojnë Butrintin shprehen me këto fjalë ;’’Zoti këtë vend e pikturoi me dorën e tij’’.’’Kjo është rezidenca e Zotit’’(Duan të thonë në bazë të legjendave të vjetra se këtu diku afër lindi Zeusi. Atje në Butrint ishte rezidenca e tij. Unë nuk jam historian. Une jam artist i cili trajtoj me artin tim këto që ende mbeten në kufirin e hipotezës. Historianët le t’i sqarojnë gjërat. Të gjitha qofshin legjenda, por dihet që nuk mund ngresh mure nëse s’ke tokë e gurë. Ku ka zë s’është pa gjë!

R.M.-Cilat fenomene ndikuan në shkollimin Tuaj, për aktor, nevoja, koha apo dëshira për një të tillë?

A.N.-Jeta e bukur e fshatit, lëndinat e bukura plot bar ku kullotnim kecat e qengjat, mblidhnim lule, bënim kurora për vashat, luanim si në filma, thurrnim poezi duke zenë pozicione të ndryshme nëpër lëndinë. Gjenim trungje të prerë i vendosnim si stola, improvizonim skenën dhe prisnim plisa me bar për të krijuar shkallaret për “spektatorët”. Unë i organizoja këto lojra teatrale, dhe them se fillesat e para janë atje në fshatin tim të bukur, në lëndinat, me kurora lule delesh dhe gjethe ulliri në kokë. Shpesh kur ishim duke bërë vargjet, futeshin delet a kecat, gomerët a ndonjë qen, që ne i kishim me vete, na i prishte gjithë ate punë që ne e bënim me shumë seriozitet e dëshirë. Mendoj se të bëhesh dicka, nuk është punë dëshire por i detyruar të bëhesh. Kjo do të thotë që unë nuk u bëra aktor se kisha dëshirë. Unë kam bindje se kisha lindur për t’u bërë vetëm aktor, dhe ndoqa atë që më kishte përcaktuar ‘’fati’’. Pamvarsisht se që të jesh dikush thonë duhet 1% talent dhe 99% punë, por ajo ‘’1% talent’’ është shumë më tepër se 10 a 20 % punë. Pa atë 1% nuk bëhesh dot, ndaj dhe shumë dështojnë ,se ata nuk kanë lindur për këtë punë ,por për diçka tjetër. Paaftësia shpesh herë është mosqënia nga ajo që duhet të jesh. Kjo ndodhë se ai nuk ndjek instiktin, por dëshirën e tij e aq më tepër atë të imponuar nga të tjerët a rrethanat. Mbaj mend njëherë në çezmën e fshatit, prindërit më hypnin në gomar. Poshtë këmbëve të mia qëndronin bucelat për ujë. Sa ju afrova burimit, pashë gratë e burrat që mbushnin ujë, bëra sikur rrashë në tokë nga gomari dhe mbajta frymën. Rreth një minute, nuk lëvizte asgjë te unë e dukesha sikur kisha vdekur.Gratë që mbushnin ujë, lanë shtambat filluan të çirrnin faqet dhe të ulërinin si në tragjeditë e vjetra. Pas disa minutash ashtu ‘’i vdekur’’, ndersa grate vraponin, s’dinin c‘të bënin, u ngrita dhe fillova të vrapoja nga frika se do më’’ vdisnin në dru’’ për shakanë e hidhur. Ky,mendoj se është momenti që unë kuptova disi se kisha lindur të bëhesha aktor. Fshat ishte e gratë filluan të tregonin për’’ vdekjen e ringjalljen’’ time. Në fund e mbyllnin me fjalët:-‘’Do bëhet si ata që luajnë thjatro e filma..’’! Por ajo që vendosi përfundimisht se unë do të bëhesha aktor ishte jo dhe aq rastësi:
Dy vëllezër nga Saranda erdhën në fshatin tim enkas për mua pasi kishin dëgjuar për dhuntitë e mia. Njëri ishte rregjisor dhe tjetri trainer volejbolli. Unë në atë kohë shquhesha si një talent në teatër, por dhe në volejboll. Vëllezërit që të mos’’ ziheshin’’dhe për ta zgjidhur me’’ drejtësi’’ morën dy fije bari të vogla dhe m’i vunë në dorë. Njëri vëlla ishte pak më i shkurtër se tjetri. Unë tërhoqa fijen e barit më të vogël dhe kështu u vendos të bëhesha regjisor (kur unë këtë gjë e kisha vendosur, shumë kohë para fijes së barit). Pas pak muajsh do të shkoja në shkollën e kulturës në  degën ‘’regjisor masovik’’ në Tiranë.

R.M.-C’mund të na tregoni dicka nga jeta Tuaj në skenë, rolet që ju kini interpretuar, lidhjen e fortë që duket ka lënë kujtime të mira e të hidhura?

A.N.-Në vitin 1986-ë, pasi diplomohem për ‘’Agronomi’’ do të nisja studimet në Akademinë e Arteve në degën e aktrimit, dhe ku vërtet do të zhvillohet e përsoset figura ime si njeri – artist-aktor. Këtu do të njihem e do të punoj me aktorë e regjisorë të shquar si; Timo Flloko, një pedagog i shquar por dhe një mik i vërtetë i imi,  i cili do të nguliste tek unë të bindurin e vetvetes dhe lojën organike. Vangjush Furxhiu një yll që do të ndriçonte në qiellin e artit, të teatrit e filmit shqiptar, për plastikën e forcën e brendshme shpirtërore. Rikard Ljarja do të evidentonte tek unë madhështinë e figurës në skenë e forcën e fjalës. Piro Mani – forcën e të qenit aktiv, si dhe Agim Qirjaqi aksentimin e inteligjencën e fjalës e të mendimit të qartë e të fuqishëm. Viktor Zhusti teknikën dhe ‘’zgjuarsinë ’’ e të thënit të fjalës.   Vladimir Prifti lojën e thjeshtë ‘’atë filmike’’ si dhe Pëllumb Kulla se si bëhet humori serioz pa bërtitje e jo banale,’’prerjen’’ komike  të personazhit dramatik. Në Akademi do të interpretoja figura të fuqishme të dramaturgjisë botërore si Besmenovi tek drama e Maksim Gorkit “Mikroborgjëzet’’, apo gjykatësi Denforth tek drama “Shtrigat e Salemit” e autorit amerikan Artur Miler. Filimoni tek “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, Rakipin ‘’shurdh’’ tek komedia e Pëllumb Kullës ‘’E bukur shtëpi e vjetër’’-ku realizova një karakter të plotë në kufijtë figurës artistike.  Unë prej vitit 1990 ,pasi refuzova të shkoj në Teatrin ‘’Skampa ‘’ në Elbasan, për arsye se atë kohë unë sapo mora diplomën njerëzit hynë nëpër ambasada të ndryshme, koha ishte shumë e tensionuar e unë do të shkoja pranë familjes në Sarandë. E qysh prej shtatorit të vitit 1990 e deri më sot punoj pranë teatrit në Sarandë si aktor-Rregjisor-skenarist.  Kam shkruar e vënë në skenë, duke qenë vetë aktori kryesor në këto premiera: “Po të mos kesh kokë”, “Një shqiptar në hënë”, “No coment”, “Syri jeshil në kohë të tretë” si dhe komeditë “Marrëzia e një të mënçuri”, “Amaneti i nenes”, “Dhëndri nga Amerika” si dhe komedi me një akt “Vaji i dashurisë”, “Këngën ma dëgjoni nesër”, “Gjyq në fund të shekullit” dhe “Krijimi i Partisë Lakuriqe”. Në vitin 1992 kam vendosur me shumë sukses komedinë e Nobelistit të njohur Italian Dario Fo “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq”.  Në vitin 1993 kam ngritur në skenë komedinë e Jani Durit ‘’Konti i Monte Petrelës’’,dhe ku do të isha vetë aktor protagonist. Kuptohet që të dhënat e mia psikofizike nuk ishin për një gjini si Estrada, megjithëse them se e kam kryer me shumë sukses detyren time qoftë si aktor, regjisor apo skenarist, duke sjellë një frymë të re interpretimi, një  konceptim bashkëkohor nga stili i shkruarit dhe ana rregjisoriale. E duke parë cileësitë e  mija që ishin pranë një aktori të vërtetë, teatri të mirfilltë, kërkova prej një mikut tim regjisor, të cilin vite më parë e kisha përgatitur për të konkuruar në degën e rregjisë në Akademinë e Arteve, të gjendej një mënyrë, të bashkëpunoja me të në një vepër teatrale, qoftë komedi ,dramë apo dhe tragjedi.
Në vitin 2003 në Sarandë rregjisori tanimë i njohur i tragjedive ‘’Antigona ‘’ dhe ‘’Medea’’dhe miku im i vertetë Mikel Kalemi do të niste punën për vendosjen në skenën e Butrintit tragjedinë e Sofokliut ‘’Antigona’’- unë do të interpretoja rolin kryesor, atë të Kreontit. Në rolin e Antigonës do të interpretonte aktorja tanimë e njohur, pedagoge e artit skenik në Akademinë e Arteve, Rozi Kostani, ndërsa atë të motrës së Antigonës, Ismenës, regjisorja dhe aktorja e njohur, Sonila Ulqinaku.
Kjo tragjedi u çfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove ‘’Butrinti 2000’’. Ishte një nga netët më të bukura jo vetëm të mijat, por të vetë teatrit shqiptar. Publiku kishte mbushur çdo cep të amfiteatrit si asnjëherë tjetër. Ishte e para tragjedi e konceptuar, e ndërtuar me elemente moderne, një risi në historinë e teatrit të ri shqiptar. Në vitin 2004 regjisori i njohur dhe i talentuar Spiro Duni morri rrugën për në Sarandë, si një miku im i vjetër, për të vënë në skenë komedinë e autorit kroat Miro Gavran ‘’Burri i gruas sime’’. Unë do të interpretoja në rolin e Tonit. Një nga tre personazhet; dy ishin burra dhe një femër. Dhe pas çfaqjeve të sukseshme në Sarandë do të shkonim turne në Elbasan. Atje u pritëm me shumë sukses. Në vitin 2006 ish- aktori i teatrit Kombëtar dhe për disa dekada  spikeri i lajmeve në TVSH, një miku im i vërtetë, të cilit i detyrohem shumë për cfarë ai ka bërë- Shefqet Bregu erdhi në Sarandë dhe vuri në skenë monodramën ‘’I çmënduri që bëhet mbret’’-përshtatur prej tregimit të Nikollaj Gogolit ‘’Ditari i një të çmënduri’’. unë do të interpretoja për një orë e ca i vetëm në skenë rolin e Poprishinit. Publiku e priti me shumë dashuri. Në vitin 2007 kritiku i teatrit Josif Papagjoni do të vendosi pjesën e shkruar prej tij ‘’Endërr apo zhgjëndërr ‘’ .Unë interpretova me sukses rolin e Zotit.  Në vitin 2008 do të ftohem prej regjisorit Mikel Kalemi në Tiranë, i cili pas suksesit të madh me tragjedinë ‘’Medea’’,do të cfaqte në Teatrin Kombëtar dramën gjermane të Tankred Dost ‘’Kthesa’’, përkthyer nga regjisori i njohur Kastriot Cipi, përkthyes i komedise ‘’Burri i gruas sime’’ gjithashtu. Unë do të interpretoja rolin e viktimës – të Zëvendës/ministrit të transporteve Doktor Erik Krigbaum, i cili në fund të veprës vritet nga dy vëllezërit interpretuar mjeshtërisht nga Saimir Braho dhe Gentian Zenelaj.  Tani së fundi në bashkëpunim me teatrin’’ Bylis’’ u vunë në skenë, nga regjisori i këtij teatri Klajdi Marku, dy komedi të autorit të viteve 30’ Kristo Floqi si ‘’Vëllazëri me interes’’ dhe komedinë tjeter ‘’Zi e më zi’’- Interpretova me kënaqësi rolin e Mitit.
Gjithashtu kam realizuar rreth katër dokumentarë kushtuar figurave të ndryshme historike kombëtare, me skenar dhe regji të realizuar nga unë. Me një studio private kam realizuar gjithashtu formatin televiziv ‘’Pak Dritë’’ me poezi, të ndërtuara në forme klipi në vendet më të bukura përreth Sarandës, i cili ka pasur shumë sukses në disa televizione lokale te Jugut shqiptar.
Në e kalanë e Lëkurësit kam realizuar një Miss bukurie dhe një sfilatë mode.



R.M.-A jeni zhgënjyer ndonjëherë gjatë karrierës? Pse dhe nga kush?

A.N.-Sigurisht dhe jam zhgënjyer. Kjo vjen se ata zhgënjyesit janë karaktere të dobëta që tundohen nga paraja a dicka tjetër, janë të lidhur me egon e tyre a interesa të vogla tejet meskine, por unë me atë zemrën e madhe që më ka dhënë natyra, i kam ’’përtypur’’- jo dhe kaq e lehtë, por i kam ’’përtypur”. Ata që më sulmojnë hapur luftoj t’i fitoj e një ditë mund të bëhen miq të mij, ndërsa ata që i kam miq dhe të zhgënjejnë, i kam falur, por nuk dua t’i kem më pranë në ndërtimin e ëndërrave të mia. Sa për emrat, nuk ia vlen,nuk do të ishte e udhës një gjë e tillë. Pse të  themi emra kur  vetë jeta dhe koha po i shuan!

R.M.-Sot vemë re mërgim të inteligjencës dhe talenteve të mir fillta në disa fusha të artit? Ndërsa ju- JO! Cfarë iu ka shtyrë për të mos e lënë vëndlindjen, aq më tepër Sarandën?

A.N.-Kjo botë thonë është mister. Jo c’do gjë, ne arrijmë ta shpjegojmë,  si fenomenet natyrore dhe ato shpirtërore. Megjithëse duket se për cdo hap e gjë në jetë i marrim vendimet vetë. Mendoj se ka momente jo të pakta gjatë jetës sonë që ne na drejton jo koshienca por një forcë e brëndshme e panjohur. Unë vetë akoma nuk e di të saktë se c’farë qe ajo gjë ose ai kompleks gjërash që më mbajtën këtu të mbërthyer, shumë miq të mij dhe njerëz sakrifikuan jetën e tyre për t’u larguar nga ky vend. Le ta lemë disi misterin e paracaktimit të gjërave që në lindje,- gjyshja ime e mirë derisa i mbylli sytë më thoshte: “mundohu sa të duash, c’do gjë është e shkruar që në bark të nënës”. Ndoshta është dhe kështu! Unë do të rradhis disa arsye që mendoj se më mbajtën fort të mbërthyer këtu në Sarandë: Dëshira për të mos i lënë prindërit që më rritën me shumë sakrifica e mundime. Jeta ime e vështirë nëpër shkolla. Unë do të njihja rreth tre perjashtime për ’’cfaqje të huaja’’. Me 2 korrik 1990 unë do të merrja diplomën dhe emërimin si aktor në qytetin e Sarandës. U realizuan ëndërrat bazë qysh në fëmini të isha në Sarandë- të bëhesha aktor. Mundimet e stërmëdha që kalova për t’u bërë një aktor nuk doja t’i hidhja kaq shpejt poshtë, t’i flakja. ’’Frika’’ e ikjes drejt së panjohurës, mund ta humbisja ëndrrën. Mosdija e gjuhëve të huaja, si do flisja në një gjuhë tjetër, mosha ime jo premtuese, (31 vjec). Riskimet në këtë moshë bëhen të vështira. Njohja me njeriun e zemrës me të cilën në vitin ’92 lidha jetën. Një Shqipëri e re po ndërtohej, shikoja gjërat si rriteshin, me vështirësi dhe sfida, por rriteshin, dicka po ndryshonte. Duke patur një etje të madhe për skenën fillova të ndërtoja ide dhe njerëz të rinj- për një teatër modern në Sarandë në ato vite, kur në teatrot e tjera shqiptare gjithcka ishte ‘’paralizuar’’. Përpiqesha  natë e ditë të sillja’’gjëra të reja’’(të reja për ne këtu, se bota kishte vite që i kishte trajtuar). Por në kushte e rrethana të reja si në formë e në përmbajtje. Fillova të eksperimentoj, të thyej disa tabu të frikshme. Kjo më bënte të ndihesha mirë. Mund të them se skecin i parë politik është vënë në skenë nga unë në mars të vitit 1991. Interpretoja figurën e Enverit, ndërsa atë të një prej anëtarëve të byrosë politike do ta interpretonte aktori tanimë tepër i njohur, i talentuar i humorit Agron Llaka, i cili mbronte diplomën në Sarandë. Thyerja e një tabuje tjetër ishte elementi i nudizmit, ku unë do të vija në skenë një fragment nga ’’Shakaja ’’e Milan Kunderës. Mendova që të realizohet një teatër i ri duhen aktorë me mendësi të reja e një teknike bashkohore. Kështu fillova të punoj me djem të rinj në gjimnazin e qytetit duke i mbajtur pranë, duke iu folur për teatri dhe  aktivizuar në trupën profesioniste dhe duke i përgatitur ata, për në konkurset e artit skenik në Akademinë e Arteve. Shumë prej tyre sot janë të njohur jo vetëm në skenën shqiptare por dhe atë europiane e më gjerë. Ai që do të hapte siparin është sot aktori i njohur shqiptaro-grek Laert Vasili, së fundi interpretoi në Teatrin Kombëtar në Tiranë Orestin tek ’’Elektra’’ e Sofokliut. Pas tij do të vijnë dhe 12-ë të tjerë, studiuan në degët aktorë dhe regjisorë. Sot ata punojnë në Teatrot dhe në televizione të ndyshme në Tiranë. Njëri prej tyre është regjisori i talentuar i skenës shqiptare qe vuri në skenë ’’Antigona ’’ e Sofokliut dhe ’’Medea’’ e Euripidit dhe u cmua me cmimin ’’Kult’’-si regjisori më i mirë  i vitit. Unë kisha një qytet të lakmuar nga bota, me 266-ë ditë diell, një det e një mal të bukur Unë kisha një ëndërr, kisha një diplomë, kisha një skenë, kisha të rinj të etur për t’u bërë aktorë, kisha pasion, ndihesha i zoti. Unë isha tanimë në një kohë të re që quhej demokraci. Unë isha i lirë! C’më mungonte? Bota e huaj për shumë kohë armike dhe e panjohur për ne, tani po vinte drejt nesh. Një ditë unë do të shkoja ta shihja e ta njihja. Dhe vërtetë kur e pashë, fatkeqësisht u përballa në fillim me elementë negativë që ka vet shoqëria e kapitalit dhe u zhgënjeva në disa gjëra që për mua janë themeli i jetës. U ktheva përfundimisht në qytetin tim, krijova familjen time. Një pjesë të madhe të suksesit, rritjes sime si njeri dhe artist, ia dedikoj asaj dhe vetëm asaj, që për mua është gjëja më e shtrenjtë. Këto mendoj se janë një mori arsyesh e që mund të jenë plot të tjera, bënë që unë të mos largohem nga ky qytet. Sot po bëhem gati të xhiroj për t’i thënë vetes, dhe të tjerëve, gjithë botës, se qyteti im jo vetëm që është shumë i buku, por ai është dhe ’’Mesi i Botës”. (Qesh)

R.N.-Cfarë bëni aktualisht? Cfarë pret publiku nga ju, në artin skenik?

A.N.-Sic thashë edhe më lart, unë kam filluar xhirimet për realizimin e dokumentarit artistik me elementë filmike, pasi është i ndërtuar në dy aktorë dhe vete autori i essesë. Gjatë muajit gusht do të interpretoj figurën e Sokratit të shkruar prej Platonit, në amfiteatrin e Finiqit, një amfiteatër i sapo gërmuar dhe një nga më të mëdhenjtë e mesdheut.
Gjithashtu, po përgatis një puntatë të dytë të realizimit televiziv ’’Pak dritë’’ me poezi të autorëve vendas e të huaj, në qytetin e Sarandës dhe pikat e bukura turistike në rrethinat e saj.
Gjithashtu më është ofruar një rol në një film dhe pres të fillojnë xhirimet së shpejti në Tiranë.
Këto janë planet e mia artistike për këtë vit, pa harruar edhe një spektakël kushtuar Nënë Terezës, kësaj gruaje hyjnore.

R.M.-Mjeshtër, para do kohe pashë një interpretimin Tuaj brilant të vargjeve të Omar Khajamit. Cfarë iu ka shtyrë t’i interpretoni ato?

A.N.-Unë gëzohem që ju ’’Rubairat’’ e Omar Khajam e cilësoni një interpretim brilant të realizuar prej meje. Shkak u bë një Show me rastin e ditës së Shën Valentinit, që unë t’i rikthehesha këtyre vargjeve. Por unë nuk pashë tek ai i madhi Omer(çudi Omer-ët janë gjithmonë të famshëm) thjesht dy vargjet mit ’’pi kupa e puth cupa’’ por shumë më gjerë, dashurinë për jetën, i gëzohej jetës dhe një nga kënaqësitë e kësaj bote ishte femra dhe vera. Nuk ishte gjë e re, por e thënë bukur. Unë i ndërtova si një poezi vargjet më të bukura (sipas mëndjes sime), ato janë të gjitha të bukura dhe pata kontaktin e parë me publikun. Ata e pëlqyen pa masë. Menjëherë pas kësaj do ta rregjistroja në natyrë në një ambjent lokali të vjetër me një studio televizive këtu në Sarandë.
Edhe nëse do të ishte jashtë natyrës sime, unë përsëri do ta interpretoja, pamvaresisht se unë mund të kem një koncept tjetër për atë cka flitet në vargje! Jo gjithmonë aktori interpreton personazhe, koncepte, fenomene e vargje që ai i do.
Unë aktorin e krahasoj me një qiri që digjet për të ndricuar të tjerët. Askujt nuk i shkon në mëndje që qiriri digjet për të ndriçuar veten e vet, ajo që të vjen në mëndje është se ai vete digjet thjesht, vetëm për të ndriçuar të tjerët. Ky është e duhet të jetë misioni i vështirë por i bukur i aktorit. Dhe kur aktori përpiqet të ndricojë veten ai djeg veten e të tjerët.(Qesh). Kam interpretuar njerëz vrasës, ndërsa vetë unë e urrej krimin, torturohem që të ndricoj për të tjerët. Nëse unë do të isha vetë një vrasës, me siguri askush nuk do të vinte të me shikonte mua në skenë, të bënte ‘’katharsis’’, mund të pastrohej jo si shpirt, por si trup..
Pastaj unë i adhuroj përkthimet e të madhit Noli, ashtu si dhe krijimet e tij.
Duke parë energjitë, dhuntitë dhe forcën time emocionale si aktor, mendova se mund t’i sjell njerëzve këto vargje brilante për dashurinë, femrën, verën e gëzimin për jetën, dhe them se nuk gabova.

R.N.-C’është dashuria për Ju? Cilat janë dashuritë Tuaja? Sa i ruani ato brenda shpirtit e talentit Tuaj, si relike të cmuara? Kur një njeri e ndjen se ka të tilla në jetë?

A.N.-Dashuria për mua është ndjenja më perfekte , është aksi që mban e drejton çdo gjë dhe vetë botën, është shtylla vertebrore e gjërave. Dashuria është oksigjeni i jetës. Dashuria e parë dhe e vërtetë, e vetme dhe e fundit është ajo që quhet gruaja e ime.
Dashuria janë dy fëmijtë e mij që më bëjnë të jetoj dhe më frymëzojnë për t’u ngjitur në lartësi të reja, për të ndërtuar e realizuar vlera për njerëzit.
Dashuri është atdheu që më jep një identitet të vecantë me historinë e traditat e tij e më bën të ndihem krenar, se kam një tokë ku linda, ku u rrita e kuptova botën, ku shkrij veten time, ku iki e më mungon e kthehem e gjej prehje, ku një ditë do të hyjë thellë brënda tij për t’u bërë njësh me të gjer në përjetësi. Dashuri është nëna dhe babai që më sollën, më rritën, më lanë e do të presin t’u vete pranë.  Dashuri është gjuha shqipe që buron e rrjedh kaq bukur tek unë kaq bukur, që më nderon në cdo hap të jetës sime.
Dashuri është qyteti im, rruga që shkoj çdo ditë në teatër nga buzëdeti, ku pulëbardhat bëhen një me qiellin e detin me krahët e tyre, ngrihen e ulen.
Dashuri ëhtë teatri që përpiqet të pastrojë shpirtrat edhe pse ai vet gjatë rrugës bëhet pis nga ata që s’dinë e s’duan.
Dashuri janë vlerat njerëzore që nga koha NJE.
Dashuri janë njeriu dhe natyra, megjithese të dy jo pak herë harbutërisht dëmtojnë njëri-tjetrin. Dashuri është gjithcka ka krijuar Zoti në një harmoni të përkryer..
Dashuri e dashurive është vetë Zoti, busulla e jetës sime, ku pa të s’do të isha ky që jam sot. Cdo gjë në jetën time buron vetëm prej dashurisë së tij.
Këto janë dashuritë e mija me to dashuri në qendër, është besimi, lëvizin malet, vetëm me një komandë e jo më vargjet e një poezie apo tragjedie! Duket si një esse për dashurinë, por nuk është esse- është një realitet!

R.M.-Unë do të quaja një aktor i mbijetsës. Dëshiroj të di, si jeni ndjerë përballë botës së artit të frikshme, sfidash, mediokritetit, klaneve , hipokritëve, që nuk besonin apo bënin sikur nuk besonin në forcën e talentit tuaj?

A.N.-Unë si natyrë jam nga ata që nuk shoh lartësinë dhe vështirësinë e ngjitjes, por përpiqem vetëm të arrijë atje ku unë dua të arrij. Sigurisht nëse je dikush, një njeri me vlera në cdo fushë atëhere dihet; bota e ligë bëhet xheloze, dhe tremb vlera jote, ndihet i vogël para teje, ose fare i panjohur, e ’’tërbon ’’ ngritja e ngjitja e jote, ai mundohet të të shkatërrojë me të gjitha format në se ty nuk i shkon ’’pas ujërave’’ . Të shpallë luftë të hapur e herë të fshehtë duke mos dalë vetë në dritë, duke shfrytëzuar gjithcka ka në dorë, nga privimi i projekteve, prerje rroge, ta bën jetën të vështirë, ndonjë intrigë të ndyrë, ti ose do të dorëzohesh e të bëhesh si ’’ata’’ të mjerët që vetëm i thurrin temena atij, ose do të shkatërrohesh mendërisht,e të largohesh në pritje të një rrethane të re, pret të jenë drejtues me shpirt-artisti, kolegë me një dimension më të gjërë shpirtëror dhe profesional. Por ato ndodhin tepër rrallë të kesh drejtues dhe kolegë fisnikë, me zemër të madhe e mëndje të ndritur. Do të duhet të fillosh përsëri kalvarin e mundimeve të të vuajtjes. Jeta ime ka qenë ashtu sic e përshkruaj më lart qysh në bangat e shkollës së mesme. Unë u përjashtova tri herë prej saj, duke filluar për regjisor, vazhduar për zoteknikë, mbarova për agronom. Në institut nuk do të më pranonin dy herë, vetë e ata që flisnin se unë isha një talent e me të ardhme. Këtu gjej rastin të falenderoj të nderuarin Agim Qiriaqi,- U prehte ne Paqe!- që do të më ndihmonte që unë të hyja në shkollë, dhe sidomos aktorin e madh Robert Ndrenika. Do të filloja punë dhe do të përballesha me perjashtime nga puna për gjëra banale nga njerëz shpirtligj e pa horizont e kur familja ime mbetej pa asnjë  të ardhur, se nëse i paafti është i lig nuk ka fantazi pozitive, ai ka një fantazi tjetër tejet negative, qofte primitive, jo nuk mendon të rregullojë punët, por vetëm plot mllef dinakëri, ligësi e tërbim mendon e lufton të të shkatërrojë punën e jetën tënde e pse jo familjen,  dhe nëse ndodh kjo ndihet i fituar.’’O tempora o mores’. Ai nuk të sulmon kur ti je i paaftë,- jo- ai e di që ti je i aftë dhe ndaj të sulmon. Ai bashkohet me të ligjtë e të paaftët, ruajna zot se c’farë si punon mendja. Unë i qëndrova stoik qëllimit tim në cdo kohë, duke i studiuar mirë aftësitë e mija, epërsite e mija, pikat e dobëta të kundërshtarit dhe pikat e forta ku mund të bëheshim bashkëpuntorë për t’i shfrytëzuar në qëllimet e mia, studiova etjen e njerëzve, shijen e asaj ç’ka donin t’u servirej. Kalita durimin, të gëlltisja ëmbël disa gjëra, duke bërë një ’’sy qorr e një vesh shurdh’’ dhe realizova gjëra që ata nuk i mendonin e jo t’i arrinin. Një nga arsyet e qëndrimit këtu në këtë qytet është dhe vendosja e një tavani profesional, thyerja e tabusë që në provincë nuk bëhen gjëra të mëdha. Këtë e thonë njerëzit e vegjël, se dhe budallenjtë e kuptojnë që edhe në provincë bëhen gjëra të mëdha.(Qesh)

R.M-Cfarë iu ngacmon të interpretoni figura të shquara të botës së arti skenik?

A.N.-E kam të vështirë ta përkufizoj në pak fjalë, por mendoj se nuhatja është një nga kryecilesitë për një person që t’i mbijetojë kohës. Unë përpiqem të nuhas vlerën, të bukurën, të kohës dhe kjo është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm. Pastaj vjen hapi final; interpretimi i vlerës, bukur e mbi të gjitha në kohë.
E zakonisht këtë vlerë (si vera e vjetër)e kanë ata që i kanë rezistuar kohërave, që nuk janë vec njerëzit e mëdhenj të botës së artit. Artisti vlerën që i ka rezistuar kohërave duhet ta ’’konvertojë ’’ ëmbël, bukur dhe pa e dëmtuar, por e pse jo ta sjellë në atë mënyrë që të thuhet se ai e ka shkruar për këtë kohë. Kjo gjë bëhet vetëm me vlera e këto i kanë vetëm njerëzit e shquar. Po të shikosh në cdo sallon shtëpie a të një lokali gjithmonë parapëlqejnë pikturën, ikonën prej druri a skulpturën e vjetër. Njerëzit vrapojnë të vizitojnë të ’’vjetrën.” Sigurisht koha jonë ka vlera të mëdha në art, por le t’ja lemë kohës t’i nxjerrë në brigjet e saj. Nëse ato do të dalin, do të quhen të vjetra e dikush tjetër si unë do t’i interpretoj.(Qesh)
Ndoshta dhe cilësitë e mia psikofizike ndikojnë në këtë përzgjedhje. Bashkë me vlerën e mbijetuar dhe unë duke i interpretuar ato ndoshta do t’i mbijetoj kohëve.

R.M-Ju bëni edhe punën e rregjizorit e skenaristit, si ndjeheni, tashmë?

A.N.-Unë tani jam në detyrën e regjisorit, skenaristit dhe sigurisht të aktorit në Qendrën Kulturore të qytetit të Sarandës.
Ligësia nuk shteron kurrë, të mos themi që ajo ka caste që shpërthen si digat kur fryhen në dimër. Por nga njeë anë janë këta të liq që pa dashur më kanë bërë të jem i kujdesshëm ,i matur dhe tejet profesional, ata të mbajnë zgjuar e të mos flesh ’’mbi dafina’’. Edhe të liqtë të ndihmojnë e duhen falenderuar për ligësinë e tyre.(Qesh)

R.M.-Si e shikoni të ardhmen e karrierës Tuaj?

A.N.-Jo dhe aq me dritë.Të vështirë si gjithnjë, por unë jam mësuar tashmë. Për sa kohë do të kem energji dua që t’i japë përparësi fushës së aktrimit dhe të realizoj role të mëdha të dramaturgjisë botërore, të realizoj gjithashtu edhe në filma ku veten e ndjej disi të pafat, por janë disa arsye që s’kanë të bëjnë me anën profesionale por me atë gjeografike.
Kur të mos kem këtë forcë aktoriale për arsye të moshës e lodhjes, mendoj t’i kushtohem përfundimisht regjisurës. Një nga ëndërrat e mia është të realizoj një cfaqje me të gjithë ata aktorë që kam nxjerrë me duart e mia në këtë qytet, nëse është e mundur e nëse ata do të bëhen në një mëndje. Eshtë e bukur regjia!
Je krijues, je një ‘’zot.’’i vogël, që e ndërton botën ashtu sic ti e mendon, për t’i ardhur në ndihmë njerëzimit, që ata njerëzit të kënaqen e të bëjnë ‘’katharsis’’ ashtu si në poezite tuaja të mrekullueshme, që pasi i lexon kthjellohesh si ‘’një i dehur pas pijes’’ dhe pyet veten se ku gjendesh në raport me veten, tjetrin e shoqërinë e bukur, regjia. Jo të gjithë aktorët e regjisorët me diplomë mund ta bëjnë. Ajo është një ‘’dhunti perëndie’’. Kërkon fantazi, fantazi, fantazi. E ç’farë nuk kërkon fantazi! A nuk do dhe vetë dashuria, familja, puna dhe jeta! Gjithcka do fantazi dhe energji pozitive! Më trembin njerëzit që nuk kanë fantazi. Ata i bien shkurt si dhe ata që kanë atë negative (çështje karakteri.). Pastaj duhet të jesh erudit. Të kesh një shpirt të madh e të gjërë, një mënyrë komunikimi të ngrohtë e jo të lodhshme, e të përfaqësosh denjësisht atë i cili ti je…E bukur dhe e vështirë regjia (e vërtetë) por kur ja arrin, -’’Eureka’’

R.N.-A urren mjeshtëri?

A.N.-Njeri është dhe ai, me mish e me gjak, madje shumë më i ndjeshëm se te tjerët. Nëse rrethanat e sjellin që të mund të urrejë dikë, nuk hakmerem ndaj tij, madje kam forcën të fal, por nuk kam dëshirë të bashkëpunoj më me të.
Njerzit e mëdhenj quhen të thjeshtët, ata kokëulurit, sjellin vlera për njerëzimin, ata që shohin nga larg atë që të tjerët e kanë para syve e nuk e shohin dot. Këta mjeshtra të mëdhenj nuk i ndërtojnë gjërat në urrejtje por në dashuri për ta mundur urrejtjen.

R.N-Sa ju ka mbështetur familja në promovimin e vlerave tuaja skenike?

Prindërit e mij në hapat e para nuk e kuptuan dëshirën time, se unë do të shkoja për një degë si rregjisura. Ata nuk e dinin c’fare ishte kjo degë. Prindërit dëshironin që unë të bëhesha doktor, por më pas e kuptuan dhe kanë bërë të pamundurën që unë të mos i lija studimet përgjysëm. Duke qenë të varfër, për këtë nëna ime mblidhte letra, libra e gazeta nëpër rrugë, lule e bimë mjekësore për t’i shitur që të mund të përballoja jetesën gjatë viteve të studimit në Tiranë.
Ndërsa për sa i përket familjes sime gruaja dhe dy fëmijët, ata më bëjnë që sot jam ky njeri dhe artist. Megjithëse unë mund t’i kem sjellë andralla, nga qetësia absolute që unë dua kur studioj, apo kur do të punoj monologje dhe ushtrime teknike me zë, ata kurrë nuk shfaqën shënja lodhjeje e mërzitjeje, por vetëm prisnin orën kur do të luhej cfaqja. Ata do të ishin dhe janë të parët spektatorë. Djemtë e mij kanë ndjekur të gjitha cfaqjet e mia në Sarandë, Tiranë dhe në Butrint. Në amfiteatrin e Butrintit qysh prej moshës tre vjec, kanë ndjekur rreth 80 vepra teatrore, për çudi asnjëherë nuk ka ndodhur që ata të bëjnë më të voglën zhurmë, kur mendon që ato janë vepra tragjike dhe kërkojnë një qetësi absolute. Më kujtohet në një cfaqje, një trupë teatrore e shtetit fqinj duke interpretuar në skenë tragjedinë ’’Antigona’’ të Sofokliut, nis një stuhi e paparë që ngrinte gjithcka në ajër. Shumë prej të pranishmëve u larguan , u futën poshtë pemëve e më pas ikën me makinat e tyre, ndërsa aktorët e mëdhenj si Kadri Rroshi e disa të tjerë, për të respektuar ata aktorë që interpretonin në skenë mes shiut dhe erës duke qarë nga inati, vuri re dhe djemtë e mij që dridheshin nga të ftohtit. Ai nxorri  dy qeska plasmasi të mbetura kushedi pse në xhepin e tij dhe faqet e një gazete që kishte me vete, jau vuri të dy djemve të mij në gjoks e kurriz, që të mos i rrihte era. Djemtë e mij ’’të privilegjuar’’ ndoshta nga unë, por mbi të gjitha nga sjellja e tyre, ishin bërë miq të legjendave të teatrit si Margarita Xhepës, Violeta Manushit dhe Drita Pelingut. Ata u rritën me dashurinë e përkëdheljen e tyre. Kjo gjë mua më frymëzon. Besoj janë këto impresione, punët e mija që bëj në skenë a në filma ku ata jo pak herë do të jenë dhe si aktorë të vegjël, të paktën nëse nuk u bënë artistë do të jenë artistë në shpirt e spektatorë të  kulturuar.(Qesh)

R.M-Mesazhi Tuaj për talentet e reja…

A.N.-Kur unë në facebook vura një vidio të aktorit të madh Agim Qiriaqi ditën e vdekjes së parakohshme të tij, më erdhën shumë mesazhe, por një prej tyre më bëri shumë përshtypje. Në të thuhej: IKU NJE ARTIST ’’BIO’’!
Pra po ikin ata të sinqertët, të përkushtuarit, të sakrificës që vërtet shkrinë talentin, energjitë e shpirtit,  të mëndjes dhe trupit për të sjellë vlera që t’i rezistojnë kohës. Një nga ata që ishte gati të sakrifikonte edhe jetën e tij në xhirime skenash të vështira, dhe jo më t’i kushtonte më të shumtën e kohës teatrit.  Iku një artist i llojit ’’bio’’,ku gdhiheshin me netë të tëra në studiot e vogëla të Institutit për të realizuar detyrën aktoriale. Ndërsa sot jo për nostalgji të kohës tyre e time si student, por për hir të realitetit të hidhur kur shkon në auditoret e artit skenik të vjen turp e ndihesh keq, studentët vetëm pijnë alkol e duhan, madje gjysëm ore para cfaqjes.
Arti i aktorit  kërkon disiplinë e ku thuhet më të fortë si ajo ushtarake. Ai kërkon një mëndje të ndrituar me një kulturë të lartë, një trup të përgatitur dhe pse jo në kufijtë e një sportisti e të një balerini, kërkon një punë gjigande me frymëmarrjen dhe teknikën e zërit. Mbi të gjitha kërkon njerëz me moral të lartë shoqëror, se si mund të japë dritë e kënaqësi një njeri me errësirë në mëndje e shpirt. Syri i tij ka humbur ’’hyjninë’’. Teatri dhe tempujt e besimit kanë pak a shumë të njëjtin mision, të bëjnë katharsis në shpirtrat e njerëzve. Një element tjetër bazë është sinqeriteti dhe besimi në energjitë e tua. Si do të bindesh ti nga unë, kur unë vet s’jam i bindur për atë që bëj. Nëse kërkon ta fshehësh këtë të vërtetë të hidhur, ke humbur sinqeritetin. Këtu fillon mashtrimi. Gjëja e parë që (e lashë për në fund) duhet të bëj një i ri për aktor është të njohë vetveten, në pikat e forta dhe ato të dobëta. Këtë mund ta bëj një specialist i zoti, i duruar por edhe i sinqertë në gjykimin e tij. Nëse kjo bëhet dhe kandidati për student, apo studenti për aktor bindet, i pranon, i merr seriozisht, përpiqet me shumë mund e djersë të forcojë pikat e forta dhe të dobësojë pikat e dobëta, atëherë jemi në rrugë të mbarë. T’i fshehësh të vërtetën studentit për aktor, për arsye të ndryshme, apo se je i paaftë të arrish t’i bësh skaner-do të thotë t’i shkatërrosh jetën e të arthmen. Njihe vetveten e prano të vërtetën e gjërave. Mos e gënje vetveten se do vuash deri në kufijtë e shkatërrimit të saj. Nëse vërtet kërkon të bëhesh dikush në artin e aktorit, e të lesh një gjurmë, vetëm kështu mund të behesh e vetëm kështu gjurma mund të lihet.

R.M.-Cfarë iu ka mbetur peng që dëshironi ta intepretoni?

A.N.-Unë do të thosha që nga Hamleti, por do ta kaloj këtë dhe do të shkoj në një figurë madhore, e pra ajo që mbetet për mua ëndërr, jo dhe aq ëndërr, se unë besoj që një ditë do ta realizoj është, -’’Edipi mbret’’.

R.M.-Mjeshër hobi e pasioni Tuaj?

A.N.-Një nga hobet e mija ka qenë kënga, dhe për këtë më vjen keq dhe e kam si peng që nuk e vazhdova kanton, krahas aktrimit të merrja mësime kantoje. Sot do të isha me dy diploma dhe  besoj se do të isha një këngëtar i fuqishëm operistik.(Qesh) Me kujtohet që në Akademi një pedagog i shquar i Kantos m’u lut për një kohë të gjatë, por s’qe e thënë! Sot dëgjoj shumë muzikë dhe këndoj kur më jepet mundësia në skenë. Në teatrin që unë jam sot nuk të pranonin nëse nuk këndoje, pasi këtu ishte shumë e zhvilluar vodevili.
Merrem me sport, sidomos pëlqej të vrapoj në mëngjes bregut të detit, duke bërë lloj- lloj ushtrimesh. Gjithashtu krijoj skenarë artistikë për dokumentarë, filma të shkurtër, komedi, ndërtoj librete për teatro poetike. Deri tani kam realizuar katër të tillë si ‘’Nënë Tereza,’’Skënderbeu’’, ‘’Nëntoriada’’ dhe ‘’Pulëbardhat e Jonit’.’
Gjithashtu për gjithë këto vite kam përgatitur dhe vazhdoj të pergatis me muaj të tërë e orë pambarim studentët për në Akademi të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, në degë të artit skenik. Para një jave ndoqa një komedi në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë, një talent tjetër nga Saranda në punën e mbrojtjes së diplomës me të madhin Timo Flloko. Për këtë jam krenarë. Nuk është besoj rastësi që gjithë studentët nga Saranda janë ndër më të mirët gjatë shkollës, por dhe në jetë. Eshtë e bukur të lindësh fëmijë biologjikë si prind, por dhe të ‘’lindësh’’ artistikisht fëmijë.(Qesh)

Ju faleminderit!