Kryesore Çe Guevara, tatuazhet dhe miqësia me Fidel Castron: 25 kuriozitete për gjeniun...

Çe Guevara, tatuazhet dhe miqësia me Fidel Castron: 25 kuriozitete për gjeniun Maradona

Diego Armando Maradona ishte fëmija i tetë i një punëtori fabrike, i rritur në një nga lagjet më të varfra të Buenos Airesit. Talenti i tij u shqua që i vogël, ndërsa i ati ishte i pari që i dhuroi një top futbolli. Maradona debutoi në futbollin profesionist në vitin 1975, me skuadrën Argentinos Juniors.

Vetëm dy vjet më pas ai luajti me ekipin kombëtar, ndërsa në vitin 1981 kaloi te Boca Juniors, skuadra më e madhe e vendit, duke e ndihmuar atë të fitonte titullin kampion në vitin 1982. Po atë vit, ai u transferua te gjigantët spanjollë të Barcelonës për shifrën rekord të 3 milionë dollarëve. Por, vetëm dy vjet më pas, Maradona shkoi te Napoli, ku shumë shpejt u bë një hero dhe më pas një Perëndi. Që në ditën e parë, ai u prit si një Zot, ndërsa shkruajti vitet më të lavdishme të këtij klubi në futboll, duke i dhënë titujt kampionë më 1987 dhe 1990, përveçse Kupën UEFA më 1989.

Ai fitoi edhe titullin kampion bote në Meksikë, më 1986, ku shënoi edhe golin më të bukur të historisë, ndaj Anglisë. Në po atë ndeshje, ai realizoi edhe golin me dorë, që më pas u njoh nga të gjithë si Dora e Zotit. Ky ishte kulmi i suksesit i Maradonës, i cili pas viteve 90’ u përfshi në skandale të shumta për shkak të përdorimit të kokainës.

Në Itali 1990 ai shkoi deri në finale me Argjentinën e tij, ndërsa në 1991, mori pezullimin e parë. Maradona u grumbullua edhe për Botërorin 1994, por u pezullua pas ndeshjes me Greqinë për shkak se doli pozitiv ndaj kokainës. Historia më pas ishte më shumë jashtë fushës së futbollit. Maradona u bë mik me Fidel Kastron, ndërsa kishte si tatuazh Çe Guevarën dhe Evita Peron. Por, përpos kësaj, Maradona mbetet heroi i argjentinasve. Në këtë vend ka edhe një Kishë me emrin e tij, e cila ka 100 mijë ithtarë.

Jeta e Maradonës është një ndërthurje mes lavdisë dhe dështimeve, mes famës dhe skandaleve, ama një gjë nuk mungoi kurrë për të… Festat dhe kokaina, të cilat i dhanë fundin epokës së tij legjendare dhe mundësuan moskthimin e tij në fushë.

1- Maradona u lind më 30 tetor 1960 në rrethinat e Buenos Aires.

2- Maradona pati 91 paraqitje (ndeshje) për Argjentinën, duke shënuar 34 gola.

3- Ai ka luajtur në katër turne të Kupës së Botës për vendin e tij.

4- Ai e ndihmoi Boca Juniors të fitonte titullin në kampionatin argjentinas, më 1982, përpara se ta bënte një veprim të tillë edhe me Barcelonën. Por në vitin 1984 ai do të transferohej në Napoli dhe ta ndihmonte skuadrën italiane të fitonte të vetmit deri më sot, dy tituj të Seria A, pikërisht në vitet 1987 dhe 1990.

5- Maradona mban rekordin, për numrin më të madh të ndeshjeve si kapiten i ndonjë vendi në Kupën e Botës. Ai regjistroi 16 ndeshje me shiritin e kapitenit të Argjentinës në finale Botërorësh. Në total, megjithatë, ai pati 21 ndeshje në turnetë e Kupave të Botës.

6- Maradona ishte 15-vjeç, kur bëri debutimin e tij profesional, më 20 tetor 1976, për të rinjtë e Argjentinës.

7- Maradona ishte pjesë e skuadrës së të rinjve të Argjentinës, e cila fitoi Kupën e Botës për “junior”, më 1979, në Japoni.

8-  Më 27 shkurt 1977, Maradona, në moshën 16-vjeçare, bëri debutimin e tij ndërkombëtar me Argjentinën, në një ndeshje kundër Hungarisë, në stadiumin “Bombonera” të Buenos Buenas.

9- Diego ishte i famshëm edhe tatuazhin e tij me Che Guevarën në krahun e djathtë. Por El Pibe De Oro ka edhe tatu të tjera, mes të cilave ai me idhullin e tij politik, kubanin Fidel Castro: tatuazhi duket edhe në foto, ku Maradona ia tregon Lider Maximo tatuazhin në këmbë. Ekstrem në gjithçka, Diego e tregon edhe në tatuazhe

10- Maradona mban rekordin për numrin më të madh të faulleve të shkaktuar ndaj tij, në një Kupë Bote. Plot 53 faulle janë bërë ndaj tij gjatë Kupës së Botës 1986, në Meksikë.

11- Ai, gjithashtu, mban rekordin për numrin më të madh të faulleve të shkaktuar ndaj tij gjatë një ndeshjeje finale në Kupë Bote. Italia do të regjistronte plot 23 ndërhyrje të ndaluara ndaj tij, gjatë edicionit të vitit 1982.

12- Maradona shkëlqeu si një kapiten i lavdishëm për Argjentinën, veçanërisht në Kupën e Botës të vitit 1986, duke mposhtur me rezultatin 3-2 Gjermaninë Perëndimore, në finale.

13- Diego, gjithashtu, fitoi “Topin e Artë”, si lojtar i shquar i turneut, në Botërorin e vitit 1986.

14- Diego shënoi duke përdorur dorën e tij në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, kundër Anglisë. Kur u pyet për këtë gjë, ai tha: “Qëllimi ishte të shënoja. Pak nga dora e Perëndisë, pak nga krahu i Maradonës, kjo gjë u arrit.” Ky rast ka hyrë në histori me përcaktimin “Dora e Zotit”, edhe për faktin se Maradona, pothuajse i vetëm, fitoi Kupën e Botës për Argjentinën, më 1986. Maradona, pasi mundi Anglinë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986, tha: “Ishte sikur të kishim pushtuar një vend, më shumë se të kishim mundur vetëm një ekip futbolli.”

15- Ai fitoi dy tituj në Seria A, me Napolin, në vitin 1987 dhe 1990. Ai, gjithashtu, fitoi Kupën UEFA me Napolin, në vitin 1989.

16- Në Kupën e Botës 1994, në SHBA, Maradona ka luajtur vetëm dy ndeshje, ku shënoi një gol, kundër Greqisë, pasi rezultoi se kishte përdorur doping, ndaj u dërgua në shtëpi, pas testit përkatës.

17- Maradona ka tituj në Argjentinë dhe Itali, kupa nacionale në Spanjë dhe Itali. Ai fitoi shumë trofe individualë, si atë të lojtarit më të mirë të Botërorit 1986, trofeun për golin më të mirë të shekullit të zgjedhur nga FIFA, si dhe atë të lojtarit më i mirë të shekullit, të zgjedhur nga FIFA, por me zgjedhjen e tifozëve.

18- Driblimi – Dribluesi më i mirë i të gjitha kohërave.

19- Këmba e majtë – Diego mund të bënte gjithçka me këmbën e tij të majtë. Gjuante, pasonte, madje edhe mund të zhonglonte me një portokall me këmbën e majtë.

20- Ndikimi – Askush nuk mund të inspironte bashkëlojtarët si Diego.

21- Gjuajtjet e lira – Shënonte nga afër, nga distanca e mesme apo e largët. Nga të gjitha pozitat në gjuajtje të lira ishte i rrezikshëm.

22- Shkëlqimi në çastet e duhura – Kur ishte më e nevojshme Maradona gjithmonë shkëlqente.

23- Një stadium në Argjentinë mban emrin “Diego Armando Maradona”. Tifozët kanë themeluar të ashtuquajturën “Kisha e Maradonës” në Buenos Aires, në vitin 1998.

24- Maradona në një intervistë ka përmendur edhe lidhjet e tij të ngushta me drogën, e cila e afroi shumë afër vdekjes. “A e dini se çfarë lojtari mund të kisha qenë nëse nuk do të kisha konsumuar kokainë? Edhe vetë jam kurioz për ta mësuar një gjë të tillë. Është e vërtet që kam patur lidhje të ngushta me drogën, e cila për pak më kushtoi edhe jetën. Kam kaluar një tmerr të vërtetë dhe askush nuk mund ta imagjinojë. Kam gabuar vërtet shumë, por falë Zotit e kam kuptuar shumë shpejt. Droga ka qenë mëkati im më i madh në jetë, por falenderoj doktorët, familjen time, vajzën dhe shumë miq të cilët më kanë ndihmuar. Falë tyre, unë jam tashmë mirë dhe midis jush”.

25- Bota me shumë mundësi nuk do të shohë kurrë më një Maradonë tjetër!