Sport Ceferin: “Air Albania”, stadiumi më i këndshëm në Ballkan. Investojmë edhe në...

Ceferin: “Air Albania”, stadiumi më i këndshëm në Ballkan. Investojmë edhe në Kukës

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, pasi vizitoi muzeun e stadiumit “Air Albania”, doli edhe në një konferencë për shtyp, bashkë me presidentin e FSHF, Armand Duka.

Ai u shpreh se Shqipëria është në rrugën e duhur me investimet që po bën në futboll, ndërkohë shprehu edhe mendimin e tij, se lojtarët e ligave të vogla, siç është dhe Shqipëria, lëvizin shumë shpejt drejt atyre më të forta, dhe ky është një problem që duhet rregulluar.

Keni qenë në Tiranë vite më parë si kandidat për UEFA-n. Keni parë progres të vërtetë në infrastrukturë?

Për fat të keq, kam qenë edhe më parë, me Kombëtaren e Sllovenisë, dhe humbëm 1-0. Dua ta harroj atë moment. Infrastruktura është e rëndësishme për sukses në futboll. Sonte është një sfidë e madhe për Kombëtaren tuaj. Ndeshja nuk mund të jetë shumë me rëndësi, por nuk luan çdo ditë me Kampionët e Botës. Më bëhet qejfi që UEFA bashkëpunon me ju, Armandi është miku im. Dua ta falënderoj për mbështetjen e tij, siç më falënderoi edhe ai mua.

Krahasuar me vendet e rajonit, ku e shikoni futbollin shqiptar, dhe çfarë duhet të ndryshojë për t’u përmirësuar akoma?

Po investoni shumë. Infrastruktura po përmirësohet. Problemi i të gjitha ligave të vogla, është se lojtarët shkojnë shpejt në liga të forta. Për mua, disa shkojnë edhe më herët se sa duhet. Jam i sigurt se rruga juaj është e duhur, dhe nuk e them për diplomaci. Me kaq pasion sa keni, do keni shumë sukses. Nuk mendoj se vetëm një kualifikim mjafton për ju.

Në Shqipëri janë rregulluar dy stadiume, ndërkohë që është bërë dhe një stadium e ri. Cili është projekti i radhës. A mund të na bëni ju premtimin që në 2022 do të organizojmë një finale Europiane.

Me sa di unë, kemi projekte të financuar. Projekti i ardhshëm është stadiumi i Kukësit. Kjo është pyetja e 15. Unë si presidenti i UEFA-s nuk mund të jap premtime. Procesi është transparent. Shqipëria e ka shansin për të pritur një finale Europiane. Nuk do të ishte korrekte nga ana ime që të jepja premtime.

Dëshira për kthim që ka shprehur Mishel Platini. Ku e shikoni rolin e tij në të ardhme?

Mendoj që roli i Platinisë mund të jetë i gjithëshfardoshëm. Nuk mund të jetë vetëm futbollist pavarësisht fizikut të tij. Tashmë është i lirë dhe mund të angazhohet në çdo rol…

Mediat italiane e kanë cilësuar stadiumin si “Uembin e Ballkanit”, por ju çfarë komenti kini?

Unë do të thoja që është stadiumi më i këndshëm në Ballkan. Mund të jetë një nga stadiumet më të rëndësishme në rajon. Nuk do ta krahasoja me Uemblin, sepse nuk ka pikë krahasimi. Krahasimet janë të ndryshme në konkekst dhe rrethana.

Racizmi në futboll…

UEFA nuk është një qeveri e një shteti, nuk mund të fusë njerëz në burg. Ne kemi një politikë zero ndaj racizmit. Pa mbështetjen e qeverive dhe të shteteve, është e vështirë të luftohen idiotët që shprehin ideologjinë e tyre në stadiume. Për fat të keq, ka kore të këtyre grupimeve.

Shumë njerëz janë të apasionuar me futbollin, dhe këta njerëz shfrytëzojnë stadiumet për të shprehur ideologjinë e tyre. Duhet të bashkëpunojmë më fort me qeveritë e shteteve.

Këto gjëra nuk ndodhin vetëm në vendet lindore. I kemi parë në Itali, në Angli, dhe e gjithë Europa është e frikësuar. Edhe unë vetë, fëmijët e mi nuk e kuptojnë diçka të tillë. Duhet të theksoj, se puna më e mirë që mund të bëhet, është duke edukuar brezat e ardhshëm.

A janë gati qytetet që do të presin Europianin 2020? Dhe tifozët kanë ndjerë rreziqe për të mos shkuar atje, a mund të garantoni qetësinë e tyre?

Të gjithë stadiumet janë gati. Më herët inauguruam stadiumin në Budapest. Jemi të sigurt për këtë. Sa i përket tifozëve, formati është ndryshe, dhe udhëtimi për disa do jetë i gjatë, për disa jo. Çdo tifoz do jetë i lirë të shkojë në çdo stadium. Më pas, për të udhëtuar në Azerbajxhan, dikush nga Franca, do jetë udhëtim i gjatë.

Formati i kompeticionit është sfidues, por nga ana tjetër është miqësor, dhe të tregojmë se jemi të bashkuar, po ashtu si futbolli. Besoj se do jetë një Europian fantastik. Ne do kemi problemet më të mëdha, si organizatorë. Disa vende duan vizë, monedha të ndryshme. Do jetë një punë e madhe. Deri në qershor 2019, kemi shitur 3 milionë bileta. Por, kur askush nuk e dinte se kush ishte kualifikuar, dhe ne morën 19 milionë kërkesa për bileta. Besoj se tifozët do jenë në stadiume.