Bota Çekia do tërheqë njohjen? Presidenti çek hedh idenë për vendimin kundër Kosovës

Çekia do tërheqë njohjen? Presidenti çek hedh idenë për vendimin kundër Kosovës

Nga Beogradi, ku mbërriti një ditë më parë për një vizitë zyrtare, presidenti i Republikës çeke Millosh Zeman, paralajmëroi se vendi i tij mund ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Mediat kosovare shkruajnë se në pritjen e organizuar atij nga kreu i shtetit serb, Aleksandar Vučić, Zeman i ka pëshpëritur këtij të fundit se “nuk i pëlqen Kosova” dhe më pas, në konferencën për shtyp, bëri deklaratën e fortë.

Roli i presidentit në Çeki është gjerësisht ceremonial dhe Zeman e pranoi se nuk ua imponon dot pozicionin e tij institucioneve të tjera, të cilave u takon fjala e fundit mbi këtë lëvizje. Por Zeman u kujdes të theksonte se ajo që mund të bëjë është “t’i japë një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, mbi mundësinë e tërheqjes së njohjes për Kosovën”.

Kreu i shtetit çek shpreson të marrë për këtë nismë të tij mbështetjen e ministrit të Mbrojtjes, Lubomir Mentar, i cili e ka përshkruar më parë si “gabim diplomatic”, vendimi për ta njohur pavarësinë e Kosovës. “Ai me siguri do të jetë në anën time, kush do të jetë në anën tjetër, do ta shohim”, ka thënë Zeman.

Vucici e falenderoi për pikëpamjet e tij rreth Kosovës, dhe tha se e kishte informuar gjerësisht për problemet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse siç u shpreh dhe vetë, nuk e priste që Zeman ta ndërmerrte këtë iniciativë.