Kryesore Celibashi: Brenda 48 orëve do të mësojmë se cili është fituesi

Celibashi: Brenda 48 orëve do të mësojmë se cili është fituesi

Pasi përfundoi procesi i votimit, tashmë radha i kalon lëvizjes së kutive drejt qendrave të numërimit dhe numërimit të fletëve të votimit. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri thirrje që edhe kjo fazë të kryhet në përputhje me Kodin Zgjedhor për të mos cenuar integritetin e procesit. Ai theksoi se për të mësuar rezultatin e partive do të duhen 48 orë.

Celibashi i bëri thirrje partive politike që ta përcjellin me qetësi procesin e numërimit pasi askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet. Kryekomisioneri apeloi që të mos bëhen deklarata para kohe.

“I bëj thirrje partive që procesi në vijim ta përcjellin me qetësi. Askush nuk e di kush i ka fituar zgjedhjet, të presin si do shkojë numërimi. Çdo deklarim i bërë pa nisur fare procesi i numërimit nuk do t’i shërbente qetësisë së nevojshme të këtij procesi. Shpresoj që lidershipi politik ta ketë koshiencën për të kuptuar se ka nevojë për shumë qetësi në këtë moment, për të krijuar kushtin e punës së qetë për komisionerët dhe numëruesit.

KQZ ka marrë masat që procesi të përfundojë brenda 48 orëve për partitë dhe koalicionet dhe pastaj do të vazhdojmë me rezultatin e kandidatëve. Ajo që ka rëndësi të them është fakti që këtë moment duhet ta përcjellim me qetësi dhe natyrshëm secili prej nesh e ka kuriozitetin se kush e ka fituar, duhet pak durim dhe brenda 48 orëve do ta dimë kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve”, tha Celibashi.