Sport Çelsi kërkon “yllin” kosovar për 5 milionë paund

Çelsi kërkon “yllin” kosovar për 5 milionë paund

Pas Zhegrovës është radha e Arbër Zenelit që të jetë në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha europiane. Sulmuesi 23-vjeçar është vënë në qendër të vëmendjes së klubit londinez, Çelsi. Arbër Zeneli luan me Herenvenin në kampionatin holandez, dhe skuadra angleze është e gatshme që të paguaj mbi 5 milionë paund për ta marrë atë në “Stamford Bridge”.

Lajmin e bujshëm e ka bërë të ditur gazeta prestigjioze britanike “Daily Mail”, e cila shton se Zeneli po monitorohet nga agjentët e Çelsit prej disa muajsh. 23-vjeçari kosovar ka tërhequr vëmendjen e Çelsit me paraqitjet e tij në krahun e djathtë të sulmit. Përveç anës teknike e cila dallon tek Zeneli, ai pëlqehet edhe për forcën fizike dhe shpejtësinë me të cilën hyn në të dyja krahët e sulmit.

Arbër Zeneli më herët ishte përfolur edhe për një kalim te gjigandët holandez të Ajaksit. Sipas “Daily Mail”, Çelsi ka shprehur interesim pranë klubit të Zenelit, Herenven, por nuk besohet që të ketë një ofertë konkrete brenda këtij muaji janar. Me shumë gjasa do të shikohet rendimenti i sulmuesit kosovar edhe për pjesën e dytë të kampionatit, për të parë më pas mundësinë e transferimit në merkaton e verës.

Arbër Zeneli, bashkë me Rashicën dhe Zhegrovën kanë formuar në përfaqësuesen e Kosovës, atë që nga mediet është quajtur si “trio e mrekullive”. Para se të zgjidhte të luante për Kosovën, Zeneli kishte veshur fanellën e ekipeve të moshave të Zvicrës.