Politika Certifikata e sigurisë/ Rama, Metës: Ti kur ishe kryetar Kuvendi, e more...

Certifikata e sigurisë/ Rama, Metës: Ti kur ishe kryetar Kuvendi, e more për disa orë

I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin Zonë e Lirë, kreu i qeverisë ka komentuar konfliktin e ndezur së fundmi mes tij dhe presidentit Ilir Meta.

I pyetur nga Arian Çani se çfarë mendimi ka për reagimin e fundit të Metës, duke e cilësuar postimin e tij në Facebook si shumë të fortë, Edi Rama është shprehur se ai postim nuk duhet marrë seriozish.

Sakaq, lidhur me marrjen e certifikatës së sigurisë që Cakaj ka marrë nga DSKI për 24 orë, Rama është shprehur se kur Meta ishte kryetar Kuvendi, e mori për më pak se 24 orë.

“Unë i kërkoj publikut që të mos e marrë seriozisht, sepse ose faqen zyrtare të Metës nuk e përdor ai, ose e përdor Doktoresha e shkencave, me dy rr, ose i ka marrë passwordin e FB dhe ka shkruar për të, ose pastaj Iliri është në atë gjendje që e kam parë edhe më parë, që bën thirrje që populli të marrë armët, se i hap gropën vetes me vendime irracionale, kur duhet të marrë nishan gojën kur ha se i shkon luga huq, kështu që nuk duhet marrë seriozisht ai tekst.

Meta si kryetar Kuvendi e ka marrë më parë se disa orësh certifikatën e sigurisë për një aktivitet ku duhej të shkonte, se certifikata e sigurisë është një dokument që i jepet një individi që duhet të vihet në posedim të një dokumentacioni të klasifikuar.

Meta është në shkelje të plotë të etikës, ligjit, që e ndalon presidentin të ketë opinione të cilat përcaktojnë nëse dekreton ose jo një ministër.

Dua të kujtoj një fakt, n.q.s. ka pasur një moment konflikti dhëmb për dhëmb politik mes Metës dhe një ministri të propozuar nga kryeministri, ka qenë ai mes Bujar Nishanit dhe Xhafës.

Pse Meta po sfidon kushtetutën?!“, u shpreh Edi Rama.