Ekonomi Certifikohet Air Albania, pesë aeroportet ku do të operojë

Certifikohet Air Albania, pesë aeroportet ku do të operojë

Air Albania ka marrë certifikimet e nevojshme pranë Autoritetit të Aviacionit Civil sipas kërkesave të kuadrit ligjor vendas dhe direktivave të Bashkimit Europian.

Gjatë një konference për shtyp Krislen Keri, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil bëri me dije edhe detajet duke theksuar se tashmë avioni i parë i linjës ajrore “Air Albania” është regjistruar nën emërtimin A319 Za Bel në regjistrin  e avionëve civilë.

Ai bëri me dije po kështu është miratuar pjesa e stafit prej 38 punonjësish dhe tetë pilotësh të kompanisë. Kodi që do të mbajë avioni është ABN. Mirëmbajtja e avionëve do të bëhet nga pjesa teknike e kompanisë Turkish që është edhe aksionere ndërkohë që kompania shqiptare do të atashohet pranë organizatës së trajnimit të Turkish Airlines.

Pesë aeroportet ku do të operojë

Fluturimet e kompanisë pritet të nisin në mes të prillit.

“Fluturimet do të nisin me destinacion aeroportin e ri të Stambollit, ndërkohë që kompania Air Albania ka njoftuar se është në pritje të avionit të dytë që do të ketë si synim destinacionet në aeroportet europiane. Ne duam të bëjmë përgatitjet për avionin e ri i cili do të ketë destinacionet e reja në aeroportet europiane. Tre aeroporte në Itali ku bëjnë pjesë Roma, Milano dhe Bolonja si dhe Aeroporti i Londrës. Futja e Air Albania ka sy aspekte pozitive ku e para suynohet që të ketë ulje të çmimit të biletave pasi ofrohet një alternativë më shumë dhe më e lirë si dhe prezencë e Shqipërisë në një treg dhe destinacione ku ka shqiptarë”, tha Keri. Tashmë kompania duhet të vijojë me licencimin pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.