Politika Çështja “Cakaj”, gazetarët: Si e zgjodhët ministër? Balla: Lëreni djalin…

Çështja “Cakaj”, gazetarët: Si e zgjodhët ministër? Balla: Lëreni djalin…

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla është pyetur nga gazetarët në “Open” lidhur me precedentin “Gent Cakaj”, me të riun nga Kosova, që u refuzua të dekretohej si ministër i Jashtëm nga Presidenti Ilir Meta, por që e mori këtë detyrë nga kryeministri Edi Rama, i cili i delegoi detyrat pasi kreu betimin vetë si Kryediplomat para Kreut të Shtetit.

I pyetur sesi arriti PS të zgjedhë një ministër pa eksperiencë politike dhe diplomatike në krye të institucionit të tretë më të rëndësishëm në Shqipëri, Balla u tha “ta lënë djalin rehat”.

“Lëreni t’iu tregojë dhe t’iu zhgënjejë pozitivisht. Unë e njoh shumë mirë Gent Cakën. Kam 1 vit e 6 muaj që e njoh. Kam qenë me të dhe me kryeministrin në një sërë vizitash në kancelaritë më të njohura të Europës”, tha Balla.

E teksa, gazetari Ilir Babaramo i kujtoi se në fjalimin kur mori detyrën, Caka foli me “një sintaks që jo gjuha shqipe, pot asnjë gjuhë nuk e njeh”, Balla u kundërpërgjigj duke thënë se e sulmojnë të përzgjedhurin e Ramës vetëm se është nga Kosova.

Ndërkohë gazetari Denis Dyrnjaja e pyeti Ballën nëse ka në gjirin e PS, “një figurë më të rëndësishme me bagazh dhe kredenciale e person politik për ta vendosur si ministër i Jashtëm”.

“Partia Socialiste ka plot asete për të pasur 3 qeveri, jo një. Por ne i kemi besuar Gent Cakës, duke bërë ripërtëritje. Gent Cakaj në këto 6 muaj ka për detyrë të punojë në të gjitha kryeqytet e BE-së që të arrijmë objektivin e qershorit”, theksoi Balla