Politika Çështja e detit, Meta akuza Ramës nga Saranda: Nuk ka treguar transparencë

Çështja e detit, Meta akuza Ramës nga Saranda: Nuk ka treguar transparencë

Mosmarrëveshjet për çështjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë, duhet të zgjidhen sipas normave Kushtetuese dhe atyre ndërkombëtare. Është ky qëndrimi i presidentit Ilir Meta, i pyetur nga gazetarët në Sarandë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka treguar transparencë dhe bashkëpunim serioz.

“Nuk kam asnjë arsye të veçante përse të bëj komente të e veçanta nga Saranda, por ju e dini se ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetueses të kërkuar nga opozita e asaj kohe dhe kryetari i asaj kohë, që sot është dhe kryeministër z. Rama dhe unë kam qenë gjithmonë për zgjidhjen kushtetuese, për zgjidhje sipas normave ndërkombëtare. Të gjitha veprimet e mia kanë qenë konform kushtetutës, por për fat të keq nga ana e kryeministrit nuk ka pasur transparencë dhe as bashkëpunim serioz, siç e meriton një çështje kaq e madhe. Kjo është një çështje që zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe duhet zgjidhur në mënyrën më të drejtë për të dyja vendet dhe t’i shërbejë miqësisë mes të dyja vendeve”.

“25 prilli referendumi i tretë dhe i vërtetë”

Duke kaluar te zgjedhjet, Meta tha se më 25 prill shqiptarët do të marrin në duar fatet e veta për të rivendosur demokracinë dhe rendin kushtetues, që sipas tij është tronditur rëndë.

“Nuk do ketë klimë të rënduar pas 25 prillit, por të përmirësuar. Pas asaj dite që  unë vlerësoj si referendum të popullit për të rivendosur demokracinë dhe rendin kushtetues që është tronditur rëndë dhe për të marrë veten. Populli shqiptar të marrë në duar fatet e veta dhe të familjes së tij dhe për këtë i garantoj që askush nuk do guxojë të prekë votën e qytetarëve të Sarandës e Shqipërisë”.

Ai bëri thirrje që të të ndëshkojnë me votë çdo forcë politike që u bën presion me vendin e punës apo forma të tjera.

“U bëj thirrje të votojnë kundër çdo force politike që u bën presion me vendin e punës dhe  bukën e gojës apo forma të tjera dhe të ndëshkojë këdo me votë”.

I pyetur për mundësinë e manipulimit të votave, Presidenti tha se ua ka bërë të qartë që të heqin dorë nga këto ëndrra, pasi ky është referendumi i tretë dhe i vërtetë i popullit shqiptar.