Bota Çështja e pastorit amerikan/ Si u mashtrua Trump nga Erdogan

Çështja e pastorit amerikan/ Si u mashtrua Trump nga Erdogan

“Kurrë mos i beso një turku!” Fraza e filmit të njohur “Mesdheu” duket se është ilustruar në praktikën e punës së presidentit amerikan Donald Trump që mesa duket është gënjyer hapur nga homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan.

Një libër i publikuar së fundmi në SHBA mbi politikën e jashtme të administratës aktuale, nxjerr në pah mënyrën sesi presidenti aktual amerikan vepron për të zgjidhur situata të vështira. Libri quhet “Një gjeni shumë i qëndrueshëm” dhe ka për autorë gazetarët e “Washington Post” Carol Leonnig dhe Philip Rucker.

Gazeta izraelite “Haaretz” nxjerr një detaj nga ky libër sipas të cilit Trump i bëri presion kryeministrit Benjamin Netanyahu që të lironte një qytetare turke që akuzohej se ndihmonte Hamasin, sepse një gjë të tillë e kërkonte presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

“…Marrëveshja nisi të merrte formë kur Trump u takua me Erdogan në samitin e NATO-s në Bruksel në fillim të korrikut 2018. Gjatë takimit Erdogan i kërkoi Trump që të bënte presion Izraelit për të liruar Ozkan, e arrestuar disa javë më parë pas hyrjes në Izrael me para të padeklaruara dhe me një celular për operativët e Hamasit. Në këmbim, Erdogan i premtoi Trump se do të lironte Andrew Brunson, një pastor amerikan që ishte arrestuar në Turqi”, thuhet në libër.

Mjaftoi kjo dhe një telefonatë e Trump për Netanyahun që çështja të merrte drejtim. Gazetarët shkruajnë se kryeministri izraelit nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për shtetasen turke që u lirua të nesërmen.

“Lirimi i saj i kapi në befasi zyrtarët izraelitë dhe nuk ishte e qartë menjëherë se pse Trump kishte kërkuar një gjë të tillë”, shkruajnë autorët.

E papritura erdhi më vonë. Ndërkohë që Ozkan u lirua me një urdhër verbal nga Trump te Netanyahu dhe ky te autoritetet e veta, Erdogan nuk u nxitua.

“Në datën 18 korrik gjykata turke refuzoi apelin për lirimin e Brunson dhe caktoi një datë tjetër për në muajin tetor. Trump shkruajti në Twitter se vendimi ishte një turp i vërtetë. Ai u ndje i mashtruar nga presidenti turk. Në 26 korrik, Trump telefonoi Erdogan dhe ishte i zbehtë. Telefonata ishte e shkurtër, me Trump-in që fliste në shumicën e kohës dhe që nuk merrte përgjigjet që donte. Trump pastaj iu kthye Twitterit për të njoftuar pakënaqësinë e tij. SHBA do të vendosë sanksione të mëdha ndaj Turqisë, shkroi ai“, raporton gazeta në fjalë.

Do duhej pritur tetori i vitit 2018 që Brunson të lirohej nga burgjet e Turqisë dhe pas kthimit në SHBA ndalesa e parë ishte në Shtëpinë e Bardhë ku bëri një fotografi me Trump që kërkonte të rifitonte mbështetjen e evangjelistëve.