Kryesore Çështja “Xhisiela”, lirohet djali i deputetit Rraja

Çështja “Xhisiela”, lirohet djali i deputetit Rraja

Gjykata e Krujës ka liruar këtë të enjte nga paraburgimi djalin e deputetit socialist, Rrahman Rraja. Gjyqtarja Engjëllushe Tahiri dha dënimin me një vit shërbim prove ndaj tij, ndërkohë që Prokuroria e Krujës kishte kërkuar një vit burg për djalin e deputetit të PS-së, i cili akuzohet për dhunimin e Xhisiela Malokut, edhe pse ai i ka mohuar akuzat.

Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator, pasi ish-oficeri i policisë, Emiljano Nuhu denoncoi në media kërcënimet sipas tij nga disa eksponentë të PS-së për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut. Kjo e fundit vazhdon t’i qëndrojë variantit se nuk është dhunuar nga Rexhepi, por denoncimet për dhunën e ushtruar i kishte bërë në korrik të këtij viti, për shkak të xhelozisë.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike për lirimin e djalit të deputetit socialist.

“Vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë. I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë, jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer pushtetit kriminal të Edi Ramës. Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama. Nga njëra anë mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës”, lexohet në reagimin e PD-së.

Sipas demokratëve, Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar, me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris.