Kryesore Çfarë dihet për historinë e Gjirokastrës: Origjina e emrat, Kadare, Enver Hoxha…

Çfarë dihet për historinë e Gjirokastrës: Origjina e emrat, Kadare, Enver Hoxha…

I njohur si një nga vendet e shpallura Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, ky qytet i mrekullueshëm është ndërtuar e ruajtur me kujdes gjatë shekujve në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën.

Shpirti i Gjirokastrës është pasqyruar më së miri në romanet e birit të saj më të njohur, shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare.

Shtëpia e tij së bashku me shtëpinë e fëmijërisë së Enver Hoxhës, ish-diktatorit komunist të Shqipërisë, janë vetëm disa nga shumë atraksionet e qytetit. Tek sa ecën në rrugicat intime me kalldrëm nuk mund të mos vësh re Kalanë e Gjirokastrës, që imponuese vështron mbi qytetin e gurtë.

Origjina e emrit: Qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jete filluar nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjirokastër. Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga qeveria e Zogut, e cila me pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë në burg.

Objektet kryesore: Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet brenda në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

1963: Shpallet Qytet-Muze

2005: Shpallet Pasuri Botërore nga UNESCO.