Shëndet Çfarë dimë për ‘Mu’, variantin e ri të COVID?

Çfarë dimë për ‘Mu’, variantin e ri të COVID?

Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke mbikëqyrur një variant të ri të koronavirusit, njohur ndryshe si ‘Mu’, i identifikuar për herë të parë në janar në Kolumbi.

OBSH e ka klasifikuar ‘Mu’ si “variant me interes”, duke shprehur shqetësimin se mutacionet e këtij virusi mund ta bëjnë imunë ndaj vaksinave, por duke shtuar se duhen më shumë studime për ta kuptuar më mirë.

Por teksa mundësitë për mbizotërimin e Mu në botë mbetet i ulët, ky variant po fiton terren në Amerikën e Jugut, tha OBSH.

Në përgjithësi ekziston një frikë mbi shfaqjen e mutacioneve të ndryshme në prag të një vale të re të virusit, nxitur nga varianti Delta i cili njihet për veçorinë e tij si më ngjitës se format e mëparshme.

Të gjitha viruset, përfshi dhe SARS-CoV-2 i cili shkakton COVID-19, pësojnë mutacione me kalimin e kohës.

Disa mutacione mund të kenë ndikim edhe në vetitë e virusit, si për shembull në mënyrën sesa shpejt përhapet, sjelljen e formave më të rëndë të sëmundjes, rezistenca ndaj vaksinave, barnave dhe masave të tjera parandaluese.

Deri më tani, OBSH ka përcaktuar 4 “variante shqetësuese”, si Alpha (e pranishme në 193 shtete) dhe Delta (e pranishme në 170 shtete).

Pesë variante, përfshi dhe Mu, janë nën mbikëqyrje.

Cilat variante të tjera monitorohen nga OBSH-ja?

Mu është varianti i pestë që renditet nga OBSH-ja si variant interesi, ndërsa janë edhe katër variante të tjera më serioze, që janë etiketuar si variante shqetësuese.

Të nëntë variantet janë emëruar me shkronja të ndryshme të alfabetit grek.

Pesë variantet e interesit janë:

Eta, i zbuluar për herë të parë në shumë vende në dhjetor të vitit 2020;

Iota, i zbuluar për herë të parë në SHBA në nëntor të vitit 2020;

Kapa, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020;

Lambda, i zbuluar për herë të parë në Peru në dhjetor të vitit 2020;

Mu, i zbuluar për herë të parë në Kolumbi në janar të vitit 2021.

Katër variantet shqetësuese, të cilat konsiderohet se kanë potencial për ta përkeqësuar pandeminë, janë:

Alfa, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2020;

Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj të vitit 2020;

Gama, i zbuluar për herë të parë në Brazil në nëntor të vitit 2020;

Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020.

Numri i varianteve të koronavirusit pritet të ndryshojë me kalimin e kohës, sepse sa më shumë që përhapet virusi, aq më shumë mundësi ka për të pësuar mutacione.