Kryesore Çfarë do të hetojë SPAK

Çfarë do të hetojë SPAK

Mbledhja e parë për 2019 e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kishte në rend të ditës katër pika, mes të cilave edhe nisja e procedurave për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, njohur shkurtimisht si SPAK.

Në media dhe publik SPAK perceptohet prej kohësh si “bërthama” e drejtësisë së re dhe si struktura që po “tmerron politikanë, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar”, nisur edhe nga kompetencat e zgjeruara që ligji i njeh kësaj strukture në përbërje të së cilës është edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Pritshmëritë janë të mëdha. Disa muaj para se të miratohej me konsensus paketa e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, diskutimet ishin nëse SPAK duhej përcaktuar në Kushtetutë apo jo. Opinioni i Komisionit të Venecias nuk përjashtonte as të parën dhe as të dytën. Në fund u ra dakort që në Kushtetutë të mos përmendjes SPAK, por vetëm Prokuroria e Posaçme. Por cilat janë, përbërja, kriteret e kompetencat për anëtarët e kësaj trupe?

Përbërja

Prokuroria e Posaçme duhet të ketë në përbërje të saj jo më pak se 10 prokurorë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si pjesë të saj, kjo e fundit do të ngrihet në një moment të dytë. Anëtarët e BKH janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore. Drejtuesi dhe gjithë anëtarët e BKH kontrollohen nga prokurorët e posaçëm.

Si fillim, KLP vendosi që numri i prokurorëve të posaçëm të jetë 15, pesë më pak se numri e prokurorëve që aktualisht punojnë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Por, ky numër mund të ndryshojë në varësi të ngarkesës së punës në të ardhmen.

Kriteret

Anëtarët e prokurorisë speciale duhet të kenë shërbyer jo më pak se 10 vjet si hetues dhe të mos kenë në karrierën e tyre asnjë masë disiplinore nga eprorët, apo institucionet mbikëqyrëse të sistemit të drejtësisë ndër vite dhe të kalojnë procesin e vettingut. Ata zgjidhen nga KLP për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi. Avantazh kanë prokurorët, që veç plotësimit të këtyre dy kushteve janë vlerësuar për punën e tyre ndër vite dhe kanë në CV një numër të lartë dosjesh të hetuara me sukses.

Prokurorët e SPAK-ut duhet që të miratojnë që në fillim që llogaritë e tyre bankare dhe komunikimet e tyre elektronike dhe telefonike t’u nënshtrohen kontrolleve periodike pa qenë nevoja që më parë të kërkohet një autorizim, siç është procedura aktuale.

Kontrolle të llogarive dhe të tabulateve telefonike do t’i nënshtrohen familjarët e afërt, mbi 18 vjeç, duke nisur që nga bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët apo persona që jetojnë në të njëjtën banesë me prokurorin e SPAK-ut për një periudhë kohore relativisht të gjatë. Sipas vendimit të KLP-së, të gjithë prokurorët që mendojnë se i plotësojnë këto kritere duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre brenda 30 ditëve, përmes postës elektronike dhe asaj tradicionale.

Kandidati për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojë kushtet e sigurisë përpara se të caktohet apo punësohet në një nga këto pozicione.

Kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit janë:
a) kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës;
b) dhënia e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të
telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim
c) dhënia e pëlqimit prej anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive
të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën anëtari i afërt i familjes plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim

  1. Kandidati plotëson deklaratën e kontrollit të figurës, sipas shtojcës A, të këtij ligji, dhe e dorëzon atë tek institucionet e emërtesës.
  2. Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes plotësojnë dhe nënshkruajnë vetëdeklarimin, sipas të cilës telekomunikimet e tyre, si dhe llogaritë bankare do të jenë objekt vëzhgimi, si dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime, si dhe i dorëzojnë ato tek institucionet e emërtesës.

Kompetencat dhe juridiksioni

Juridiksioni i SPAK-ut dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë. BKH do të ketë fillimisht një zyrë të vetme në Tiranë, por në varësi të punës dhe ushtrimit të detyrave, kjo Byro mund të hapë zyra të përkohshme të saj nëpër rrethe.

Në duart e prokurorëve të posaçëm do të dorëzohen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ato për krimin e organizuar. Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga Presidenti, Kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të Qeverisë ose jo.

Ligji detyron çdo punonjës të policisë dhe të Drejtorisë Kundër Pastrimit të Parave që për çdo rast të dyshimtë të denoncojnë tek prokurorët e SPAK. Më pas, çështja është në dorë të kësaj prokurorie nëse ka vepër penale apo jo. Por, veç kësaj, ka raste kur prokurorët e SPAK mund t’u marrin dosjet hetimore prokurorëve të tjerë nëse vërejnë se dosja në fjalë është kompetencë e tyre.

Gjithashtu, prokurorët e SPAK mund të hetojnë kolegët e tyre në rastet e parashikuara nga ligji, si dhe përfaqësojnë akuzën në proceset gjyqësore në gjykatat e posaçme deri në Gjykatën e Lartë, duke menjanuar Prokurorin e Përgjithshëm.

Çështjet që hetohen nga prokurorët e posaçëm gjykohen nga Gjykata e Posaçme. Këto gjykata kanë kompetencë që të gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.