Opinione Çfarë do të thotë për Ballkanin, Presidenca e Joe Biden?

Çfarë do të thotë për Ballkanin, Presidenca e Joe Biden?

Nga Cameron Munter & Valbona Zeneli* – National Interest

Edhe kur ka kaluar më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet, amerikanët kanë ende pikëpyetje mbi të ardhmen e tyre. Por për evropianët në përgjithësi, dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti, disa gjëra janë të qarta.

Stili i politikës së jashtme amerikane do të ndryshojë, dhe do të përputhet më shumë me përpjekjet dhe preferencat e BE-së (sidomos Gjermanisë), kur është fjalë për çështjet e paqes në Ballkan. Ky ka të ngjarë të jetë rasti për të gjitha anëtarësimet në BE të vendeve aspirante, dhe për skemat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik.

Pas një periudhe diplomacie kreative (por shpesh të paqëndrueshme) nga ana e administratës Trump, ekipi i Joe Biden ka shumë të ngjarë të jetë më i kujdesshëm, i qëndrueshëm dhe më i parashikueshëm. Mbi të gjitha, çështjet e Ballkanit do të lidhen me çështje të tjera të rëndësishme transatlantike.

Për këtë arsye do të ishte një qasje e mençur që udhëheqësit e Ballkanit t’i shohin çështjet e tyre në kontekste më të gjera, sesa vetëm nga perspektiva tipike e Ballkanit. Ka një pranim të përbashkët se integrimi euro-atlantik i rajonit, ka përjetuar një “lodhje të përgjithshme”nga zgjerimi në vendet dhe institucionet e Bashkimit Evropian, shoqëruar me një “oreks” të zvogëluar për reforma, si dhe nga një mungesë e madhe e progresit të përgjithshëm në rajon. Mosmarrëveshjet mbeten një plagë e hapur në një rajon që ka me bollëk ndarje politike dhe etnike, gjë që nxit frikën se krizat etnike, institucionale dhe politike mund të kalojnë në konfrontime të reja etnike dhe gjeopolitike.

Këtyre çështjeve u shtohet edhe dëmi i tmerrshëm i ekonomive dhe ndikimi katastrofik që po shkakton pandemia e koronavirusit mbi strukturën e shoqërisë civile, në një rajon tashmë mjaft të disfavorizuar në krahasim me vendet e BE-së.

Ndërsa BE-ja, përmes instrumenteve të saj politikë dhe ekonomikë, është përqendruar në mbajtjen gjallë të ëndrrës së pranimit një ditë në union të vendeve të një rajoni, ku liderët autokratë po fitojnë shumë shpejt ndikim, vitet e ardhshme do të jenë një gur prove për Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin transatlantik.

Ndërsa anëtarësimi i plotë në BE i rajonit do të zgjasë për shumë vite, Perëndimi ka nevojë për një strategji vizionare të përkohshme që të përmirësojë zhvillimet demokratike, të zgjerojë mundësitë ekonomike dhe të nxitë pajtimin në Ballkanin Perëndimor.

Por, kjo është një rrugë me dy kahje, dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të zgjuar në kërkimin dhe shfrytëzimin e shanseve të reja. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, ne duhet të presim (dhe në fakt shpresojmë) një vëmendje të shtuar të SHBA-së në kuadër të përpjekjeve dypalëshe si Korporata e Financave të Zhvillimit, apo mbështetje për planet më të gjera evropiane, të tilla si Procesi i Berlinit i drejtuar nga Gjermania, ose investimet e reja si 9 miliardë euro të  Planit Evropian të Investimeve dhe Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Gjithsesi, nuk ka gjasa që këto projekte të ecin vetvetiu përpara. Përkundrazi, ato do të shihen në një kontekst më të gjerë, atë të ri-rregullimit të prioriteteve të SHBA-së  dhe BE-së , si ato mbi tregtinë transatlantike, pasojat nga Brexit, rregullimi në sektorët kryesorë të ekonomisë globale pas rimëkëmbjes së shpresuar nga koronavirusi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, rëndësia e madhe e përafrimit të politikave të SHBA-së  dhe BE-së  ndaj Kinës.

Është e arsyeshme të pritet që Evropa dhe Amerika të përpiqen të hartojnë një politikë të përbashkët ekonomike ndaj Kinës, që do të ketë një qasje të re mbi ndikimin e investimeve kineze në infrastrukturë, të lidhura drejtpërdrejt me Nismën e brezit dhe Rrugës, apo me Nismën “17+1”, për të gjetur mënyra për ta frenuar zgjerimin kinez në rajon.

Në këto dhe në fusha të tjera jetike për të ardhmen e vendeve të Ballkanit, udhëheqësit lokalë do të ishin të mençur nëse nuk do të garonin për burime, apo të përpiqen të luajnë për t`i kundërvënë gjigantët globalë kundër njëri-tjetrit, por më tepër për të zbuluar se ku përshtaten përparësitë e tyre ekonomike,me planet e përgjithshme të  një vizioni të ri euro-atlantik.

Kjo qasje mund të mos e vendosë Ballkanin në krye të tryezave të negociatave, por në një farë mënyre mund të nënkuptojë që ky rajon të njihet si një derivat i çështjeve më të mëdha që prekin interesin e Uashingtonit, Parisit apo Berlinit.

Kur bëhet fjalë për sigurinë, mund të pritet që ekipi i Joe Biden t’i përgjigjet në mënyrë të favorshme pretendimit të deklaruar shpesh nga aleatët evropianë, se siguria është më shumë se një fuqi e fortë tradicionale.

Jo vetëm në bisedimet me BE-në, por edhe brenda selisë së NATO-s, ka të ngjarë të dëgjoni më shumë diskutime rreth çështjeve të sigurisë, duke nisur nga siguria kibernetike dhe lufta asimetrike, deri tek zhvillimi i gjeneratave të reja të armëve të teknologjisë së lartë.

Është gjithashtu e sigurt se do të ketë shumë diskutime mbi dimensionet e sigurisë ndaj pandemive (duke pasur parasysh supozimin se koronavirusi nuk ka të ngjarë të jetë kriza e fundit e shëndetit publik me të cilën ne do të përballemi), dhe ndoshta më intriguese nga të gjitha, ndikimet e ndryshimit të klimës tek siguria.

Emigracioni është një çështje kryesore për të gjitha qeveritë evropiane. Por modelet e emigracionit do të ndikohen në vitet që vijnë nga shkretëtirëzimi i tokës, qasja tek uji, dhe pasoja të tjera klimatike që do të ndikojnë në rajone të mëdha, në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Në këtë drejtim, shtetet e Ballkanit janë në vijën e zjarrit si një korridor tranziti më i mundshëm për lëvizjet e emigrimit masiv,për shkak të ndryshimit të klimës. Udhëheqësit në Ballkan do të bënin mirë të punonin ngushtësisht me ekspertët e sigurisë euro-atlantike, për të treguar se ata mund të luajnë një rol kryesor në përgjigjen ndaj shqetësimeve të sigurisë së të gjithëve.

Asnjë nga rreziqet e mëdha të kërcënimeve transnacionale nuk është i ri. Krerët e shteteve ballkanike janë përballur ndër vite me to. Çfarë është e rëndësishme tani, është se vendet më të mëdha dhe më të pasura të Perëndimit, ka të ngjarë të punojnë ngushtë me njëri-tjetrin për të gjetur zgjidhje.

Shtetet ballkanike duhet të përpiqen të jenë pjesë e këtij diskutimi, në vend se të tërhiqen për shkak të premtimeve të pa mbajtura,apo më keq akoma, duke u fokusuar tek grindjet e brendshme në rajon. Çështje të tilla si pranimi i Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë në institucionet perëndimore, apo marrëdhënia Kosovë-Serbi, duhet të rishikohen në kërkim të zgjidhjeve të shekullit XXI,bazuar tek vlerat themeltare të BE-së.

Kur zonja Von der Leyen njofton se janë 4 fushat kryesore në të cilat BE synon të bashkëpunojë me Amerikën; dhe kur sekretari i ardhshëm i Shtetit Antony Blinken tregon se multilateralizmi do të jetë një parim kryesor i politikës amerikane; udhëheqësit e Ballkanit duhet t`a bëjnë veten pjesë të këtij diskutimi.

*Cameron Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi në vitet 2007-2009. Valbona Zeneli, profesoreshë e studimeve të sigurisë kombëtare dhe kryetare e departamentit të iniciativave strategjike në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë George C.Marshall.