Opinione Çfarë është ikona në Kishën Orthodhokse?

Çfarë është ikona në Kishën Orthodhokse?

Në vitet e përndjekjeve pagane kundër krishterimit shekulli I deri në IV, të krishterët e hershëm, për mos tu kuptuar nga përndjekësit,  përdornin simbole alegorike, me shkronja greke ose me figura, psh ΙΧΘΥΣ, që duke u lexuar së bashku kanë kuptimin e fjalës “peshk”, por simbolikisht përkthehej, (Jisu Krishti, – Bir i Perëndisë, – Shpëtimtar). Njëkohësisht përdorin simbolin e spirancëns, deles, vreshtin, kaprollin, si dhe shenjën A (alfa) dhe Ω (omega) (fillim dhe fund), e cila do të thotë se Krishti është gjithçka në jetë, fillim edhe fund dhe asgjë nuk ekziston jashtë Tij dhe natyrisht, simbol kryesor Kryqin.

Në katakombet e Romës, të krishterët e parë vizatonin skena nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, të cilat, ndonëse ishin pa art, i nxisnin besimtarët dhe ngrohnin besimin e tyre. Kur më vonë me triunfin e Kostandinint të Madh (274-337) dhe indiktin e Milanit 313 psK, Kisha Apostolike, fitoi lirinë e saj dhe besimtarët artist filluan të vizatonin ngjarjet kryesore të Ungjillit, të cilat caktohen edhe si të kremte, (festa kishtare) dhe kështu filloi zbukurimi i Kishës me agjiografi ose ikona të lëvizshme.

Ikona në vetvete, është një pikturë e shenjtë dhe jo një pikturë fetare. Ajo ka karakteristikat e veta dhe rregullat e saj dhe nuk përcaktohet nga arti i një shekulli, apo veçantitë e një stili kombëtar, por është një ikonë (shëmbëlles) n.q.s i mbetet besnike qëllimit të saj, që është mbarë botëror, pra i kalon kufijtë e kohës dhe kulturës kombëtare të një vendi. Ikona është një shprehje e ekonomisë hyjnore që përmblidhet në doktrinën e Kishës Orthodhokse, që thotë: “Perëndia u bë njeri që të bëhet njeriu Perëndi” shën Athanasi i Madh (295- 373).

Për Kishën Orthodhokse ikona është një gjuhë, që shpreh dogmën dhe porositë e saj, po aq mirë sa edhe fjala. Ajo është teologji e shprehur me forma e ngjyra, që i sheh me sy.

Ikona është një pasqyrë që reflekton jetën shpirtërore të Kishës Aposatolike  dhe nëpërmjet saj mund të gjykojmë rreth betejave dogmatike që Kisha Orthodhokse, ka bërë në të çdo epoke kundër herezive të shfaqura si gjë e huaj brënda trupit të Krishtit.

Psh, pas shekullit të IV u shfaqën herezi të ndryshme, të cilat filluan të kundërshtojnë besimin e krishterë, ikonat i ndihmuan besimtarët e pa shkolluar, të mbrohen nga ndërhyrjet që u bënin heretikët, sepse u kujtonin pikërisht dogmat e Kishës. Kështu, shkronjat  A (alfa) dhe Ω (omega) , të cilat gjatë kohës së përndjekjeve simbolizonin përjetësinë dhe hyjninë e Krishtit siç lexojmë tek Zbulesa: “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit”(Zbulesa 22:13), kur i vinin në njërën anë dhe në tjetrën të ikonës së Krishtit tregonin se Krishti, si Perëndi i Përjetshëm, ka të njëjtin natyrë hyjnore  me Perëndinë At dhe nuk është krijesë e Perëndisë At, siç thoshte heretiku Ariosi, herezia e të cilit u dënua në Sinodin e Parë Ekumenik, në Nikea 325.

Dogma e Zotit Krisht, zbulohet edhe në simbolin e vendosur në kurorën (aureola) e Krishtit (O, ǿ, N) që do të thotë “ UNË JAM AI QË JAM”, emri i Perëndisë që ju zbulua Moisiut në malin Sina; ( Eks 3:13-14)  Po ashtu edhe vet emri  Jisu Krisht,  që shkruhet në ikonë me inicialet, IC XC,do të thotë se Perëndia na shpëton.

Kur më vonë, në vitin 431 pas Krishtit, në Sinodin e III Ekumenik u kritikua heretiku Nestor, i cili nuk pranonte t’i  jepej Shën Marisë emri Theotoko (Hyjlindëse), d.m.th që lindi Perëndinë në mish, përsëri ikonografia orthodhokse e përdori këtë emër Theotoko me inicialet ΜΡ – ΘΥ (Maria Hyjlindësja).

Ajo gjithmonë  ikonizohet me Krishtin e vogël në prehrin e saj. Ikona e Hyjlindëses  Mari, duke u shprehur me simbolika strikte, kompozimi,silueta, ngjyra, shkronja, tregon nëpërmjet artit ikonografik se Zonja shën Mari, nuk ka lindur një njeri si Krishtotokos siç thoshte  heretiku Nestori, por vet Perëndinë, Birin e Perëndisë Birin e Njeriu i Virgjëreshës,që është Një Bir.Në këtë ikonë Krishti nuk paraqitet si foshnjë, ndonëse e mban e Tërëshenjta në duar, por me fytyrë të rrituri, për të treguar se Ai është Perëndi i përjetshëm, që hyri në kohë si Njeri.

Në ikonat e së Tërëshenjtës ekzistojnë në rrobën e saj tre yje, dy në supe dhe një në kokë. Kjo simbolizon virgjërinë e saj para lindjes, në lindje dhe pas lindjes duke mbetur dhe u quajtur me termin (Gjithmonë Virgjëreshë).  e sinodit të V ekumenik 533.Edhe ngjyrat janë të përcaktuara si për Krishtin edhe Marinë,zakonisht e kuqja edhe jeshilja.E kuqja është ngjura e hirit Hyjnor,”Perëndia është zjar që konsumon”(hebrenjve 12:29) dhe jeshilja ngjyra e njeriut, e jetës biologjike.Krishti është i veshur me jeshile në blu,dhe brënda ka robe ngjyrë të kuqe, dmth Zoti u veshë me njeriun, e kundërta me Marian, ajo është veshur me të kuqe pra me hirin Hyjnor, si e përshëndeti kryeëngjëlli”Gëzohu Mari hirplote,Zoti është me ty” (Luk 1-28) Në Kishën Orthodhokse Zonja shën Mari ikonizohet e vetme,kur vendoset poshtë kryqit, por përsëri ajo i ka simolikat që i përmëndëm më sipër të cilat e përcaktojnë atë si Hirplote, Hyjlindëse Nëna e Zotit, Gjithmonë e Virgjërëreshë ,”Më e bekuara ndër të gjitha gratë”(Luka 1- 42).

Çdo imazh tjetër për Zotin Jisu Krisht dhe zonjë Shën Mari që nuk i ka në vetvete simbolikat e përmendura më sipër, mund të jetë çfarëdolloj imazhi, por jo imazhi i Krishtit dhe i shën Marisë dhe nuk mund të përdoret nga të krishterët në adhurimin liturgjik si mjet nderimi dhe komunikimi me personin që paraqet imazhi. Shmangia e simbolikave për Krishtin dhe shën Marinë në imazhet kushtuar atyre filloi të shfaqet gjatë kohës së Rilindjes shek XV në kishën Romano-Katolike të Perënidmit edhe kjo si një devijim e traditës ikonografike. Gjatë kësaj kohe artistë të mëdhenj si Davinçi (1452-1519), Mikelanxhelo(1474-1564),Rafaelo (1484-1504) etj realizuan kreyvepra artistike me figurën e Krishtit edhe shën Marisë (Madona), por këto nuk mund të quhen ikona ose imazhe të shenjta, sepse nuk respektojnë kanunet ikongrafike edhe paraqisin një Krisht dhe Mari tjetër nga ajo që na thotë Shkrimi i Shejntë dhe Tradita Apostolike, në lidhje edhe me ikonën.

Përpara një pikture fetare, vizitori edhe mund të mahnitet nga mjeshtëria e lartë e autorit, duke i thurur lavde atij, por përpara ikonës ai do ti lutet personit që paraqet ikona në mënyrë ikonografike. Pra ekziston një ndryshim i madh ndërmjet agjiografisë dhe pikturës fetare. Piktura fetare pasqyron botën që ndjejmë, mendimet dhe sentimentet e saj, ajo e ndjen Perëndinë Krijues,  sipas këndvështrimit ikonës të njeriut, kurse arti liturgjik, ikonografik, nuk ka për qëllim t’i mallëngjejë të tjerët, por do të shpërfytyrojë dhe rindërtojë çdo qenie njerëzore sipas ikonës të Perëndisë. Prandaj ka dhe një ndryshim ndërmjet një piktori dhe një agjiografi d.m.th një artisti i artit kishtar. Misioni i agjiografit ngjan shumë me misionin e priftit, sipas shën Theodhosit; “Prifti kompozon trupin dhe gjakun e Zotit me anë të lutjes kurse tjetri ikonografi e paraqet atë me anë të ngjyrave dhe linjave”. Pra ikonografi ashtu si dhe prifti na sjell përpara të njëjtin realitet Krishtin Perëndi-Njeri, duke lënë çdo person ta ndjejë sipas karakterit dhe gjendjes ku ndodhet.

Megjithatë ikona nuk shpreh vetëm jetën shpirtërore dhe dogmatike të Kishës d.m.th jetën e brendshme të saj por nëpërmjet Kishës ikona pasqyron edhe qytetërimin që është rreth saj. Ky art i shenjtë meqenëse është i lidhur edhe me këtë botë me ata që i japin formë atij, pra ikonografi në epoka të ndryshme, pasqyron edhe jetën e popullit, të epokës, të mjedisit dhe vetë jetën personale të ikonografit duke qënë burime historike,etnografike,kulturore.

Pikturimi i ikonave në Kishën Orthodhokse  është një traditë apostolike, e cila gjeti zhvillim gjatë shekujve. Pra, tradita nuk është një parim konservator, por është vetë jeta e Kishës në Shpirtin e Shenjtë. Ajo është vetë zbulesa hyjnore që vazhdon të jetojë.

Shën Joan Damaskinoi në veprën e tij mbi ikonat e shenjta thotë: “Ligji dhe sa u thanë nga ligji, qe një parafigurim i ikonës që do të vinte, ikonës së ardhshme d.m.th i fesë sonë të sotme, krishtërimit orthodhoks dhe ky adhurim që afrojmë sot është një ikonë e të mirave që do të vijnë. Gjërat që parafigurohen në Kishë janë Jerusalemi i ri, jo lëndori i cili nuk është bërë nga duart e njerëzve siç thotë apostulli: “sepse nuk kemi këtu qytete të përhershme por kërkojmë atë që ka për të ardhur, d.m.th Jerusalemin qiellor mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Heb. 13:14. 11:10).

Pra, kisha Orthodhokse si me arkitekturën ashtu dhe me ato çfarë ka brenda agjiografi, ikona dhe çdo orendi, është një ikonë e të mirave të ardhshme.

Psh. Ikonostasi (mbajtës ikonash) në Kishën Orthodhokse tregon unitetin tonë me Krishtin. Nënën e tij dhe tërë shenjtorët. Ai tregon unitetin tonë me Perëndinë. Tryeza e shenjtë e cila simbolizon tryezën e banketit të Mbretërisë së Perëndisë është vendosur mbrapa dyerve të bukura midis ikonave të Hyjlindëses dhe Krishtit si fëmijë dhe Krishtit të lavdëruar duke treguar se gjithçka që na ndodh ne në Kishë ndodh në historinë ndërmjet dy ardhjeve të Krishtit, ndërmjet ardhjes së Tij si Shpëtimtar lindur nga shën Maria dhe ardhja e tij në fund të kohës si Mbret dhe Gjykatës. Ikonat në dyert e bukura dëshmojnë për praninë e sihariqit të Krishtit, ungjillëzimin, lajmin e mirë të shpëtimit,në to paraqiten ose katër ungjillorët që shkruajtën ungjijtë, ose gjithashtu një ikonë e ungjillëzimit, shfaqjen e kryeengjëllit Gabriel duke i dhënë “Lajmin e Mirë” gjithmonë Virgjëreshës Mari.

Mbi derën e bukur vendoset ikona e darkës mistike të Krishtit me nxënësit e tij që është ikona e misterit qendror të besës së krishterë, e Kungatës Hyjnore dhe unitetit të Kishës në botë. Ajo është dëshmia vizuale se gjithashtu dhe ne jemi “pjesëmarrës në dasmën e qingjit” (Zb. 19:9) dhe që gjithashtu jemi bekuar nga Krishti “të hani e të pini në tryezën time” (Lk. 22:20) dhe jemi të bekuar për të ngrënë bukë në Mbretërinë e Perëndisë.

Mbi, dhe rrotull dyerve qendrore janë ikonat e 12 festave të Vitit Liturgjikal, ku na tregohet gjithë historia e shpëtimit, që  kujtohen dhe përjetohen në të kremtet e veçanta. Në dyert anësore të ikonostasit, dera e veriut dhe e jugut, zakonisht janë ikona engjëjsh ose dhjakonësh të cilët janë shërbëtorët e Perëndisë. Gjithmonë në krahun e majtë të ikonës së Krishtit është ikona e shën Joan Pagëzorit, Pararendësit, si profeti i fundit dhe i pari që e tregoi Krishtin si “Qingji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës”(Joani 1-29) dhe na jep mesazhin profetik “Pendohuni sepse u afrua Mbretëria e Qiejve”.(Mateu 3-1) Në krah të djathtë të ikonës së Hyjlindëses është ikona e shenjtit të Kishës dhe në varësi të madhësisë së ikonostasit mund të kemi dhe ikona të tjera si të apostujve, profetëve, festave kryesore të Kishës ose të shenjtorëve të bekuar nga Perëndia. Sipër ikonostasit qëndron kryqi i Krishtit, simboli i fitores.

Përveç ikonostasit, Kisha Orthodhokse ka shpesh ikona ose afreske në mure dhe kubenë e saj. Në kubenë e Kishës gjendet ikona e Krishtit Pantokrator (i Gjithëpushtetshmi) dhe në hapësidën e hierores është ikona e Hyjlindëses me Krishtin në mes që quhet Platitera (më e gjerë se qiejtë). Kjo ikonë është dhe imazhi i Kishës meqenëse e Tërëshenjta Mari është vetë prototipi i tërë asamblesë së besimtarëve në të cilën Krishti duhet të banojë. Gjithashtu është tradicionale të vendosen në hierore ikonat e shenjtorëve që shkruan liturgjitë dhe himnet e Kishës dhe mbrapa tryezës së shenjtë zakonisht është imazhi i Krishtit në lavdi, i fronëzuar ose i shpërfytyruar ose i ngjallur dhe disa herë duke dhënë Kungatën.

Pra arti i Kishës nga vetë thelbi është një art liturgjik. Ai nuk është thjesht vetëm zbukurimi dhe plotësimi i ceremonisë hyjnore, por është dhe plotësisht në përputhje me veprimin liturgjik të Kishës. Pra arti kishtar dhe Liturgjia janë po e njëjta gjë,qoftë në përmbajtje, qoftë në simbolet që i shprehin. Koherenca e plotë që ekziston midis ikonës dhe teksteve të Shkrimit të Shenjtë është parimi bazë i këtij arti të shenjtë qysh nga fillimet e krishtërimit.

Pra duke u përpjekur për t’i ruajtur ikonat, Kisha Orthodhokse nuk luftoi vetëm për të ruajtur vlerat didaktike dhe karakterin estetik të tyre, por për vetë themelin e fesë së krishterë, pra për dogmën e trupëzimit të Zotit. Me të vërtetë ikona e Shpëtimtarit është ikona e trupëzimit të tij dhe nga ana e besimtarëve, pohimi i hyjnisë së tij. Shën Joan Damaskinoi thotë: “pashë ikonën njerëzore të Perëndisë dhe shpirti im shpëtoi”.

Pra nga njëra anë ikona duke paraqitur pamjen e Fjalës së trupëzuar. dëshmon se me të vërtetë dhe në mënyrë të përsosur se Ai u bë njeri, por edhe se njeriu është ikonë e Perëndisë dhe mund të bëhet i ngjashëm me Perëndinë sipas hirit dhe kjo quhet në gjuhën teologjike “theosis”(hyjnizim).

Dëshira e  Perëndisë për të qënë pranë njeriut edhe dëshira e njeriut për të qenë pranë Perëndisë, kryqëzohen me përgjigjet që i jep Perëndia njeriut, “Zoti u bë njeri që njeriu të bëhet perëndi sipas hirit”,kjo  është një njohuri objektive shpirtërore e cila shprehet qoftë me fjalë, qoftë me një ikonë. Prandaj arti kishtar nuk është vetëm oferta jonë ndaj Perëndisë por është edhe toleranca e tij ndaj nesh, një tip tek i cili bëhet takimi i Perëndisë me njeriun, i hirit me natyrën, i të përjetshmes me kohën dhe këto  të fundit shenjtërohen.

Në ikonat orthodhokse shenjtorët janë të kthyer nga ana e tyre që luten dhe së bashku me Zotin dëgjojnë lutjet e besimtarëve dhe ndërmjetojnë te Perëndia. Ata janë paraqitur në mënyrë ikonografike me një dritë që buron nga brenda dhe jo nga një burim i jashtëm dhe me një trup të transformuar. Pra ikona, me anë të ngjyrës dhe linjës na tregon shenjtërimin e trupit njerëzor dhe metamorfozën e tij. Ashtu si fjala e Ungjillit dhe ikona na tregon hirin e Perëndisë që hyn te njeriu dhe e shenjtëron atë. Shën Simenon Theologu i ri shkruan: “Njeriu, shpirti i të cilit u bë zjarr i gjithë, i transmeton trupit nga shkëlqimi i tij, këtë zjarr shpirtëror, ashtu si zjarri lëndor hekurit energjinë e tij. Ikona është pra siç thamë një vërtetim se njeriu bëhet i ngjashëm me Perëndinë me anë të përsosmërisë së jetës shpirtërore. Ajo na tregon se çfarë është njeriu në thelb kur ai përulet dhe shenjtërohet nga hiri i Perëndisë. Ikona është në një farë mënyrë një pikturë e bërë në mënyrë të mbinatyrshme, por jo nga natyra e rënë dhe e prishur, por nga natyra e ripërtërirë nëpërmjet ngjyrës, linjës dhe simboleve. Prandaj ikonografi kur mbaron ikonën në fund të saj shkruan: u bë me dorën e tij, – pra jo thjesht nga ai, por nga Hiri i padukshëm i Zotit që ndikon tek ikonografi.

Pra, ikona është një veprim sinergjie, i Perëndisë me njeriun. Prandaj ikonën nuk mund ta bëjë kushdo që mund të ketë aftësi për të pikturuar. Ajo është një art kishtar i shenjtë dhe në fillim realizohej vetëm nga murgjit, të cilët përkushtoheshin me lutje dhe agjërim. Në të kundërtën, kur ikonën e bën çdo njeri, që thjesht ka disa aftësi, por nuk ka besim dhe jetë të përkushtuar, ajo kthehet thjesht në një objekt komercial dhe nuk e ka funksionin si një mjet i shenjtëruar dhe liturgjik. Prandaj është e detyrueshme që ikonat të shenjtërohen në kishë, ku ato mbahen për një kohë poshtë altarit gati 40 ditë, që hiri i Perëndisë t’i shenjtërojë dhe t’i bëjë objekte të shenjta liturgjike, që përdoren me nderim si mjete të shenjta, që shenjtërojnë syrin dhe e drejtojnë mendjen drejt prototipit që paraqet ikona.