Kulturë Çfarë është Mozaiku i Tiranës?

Çfarë është Mozaiku i Tiranës?

Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës.

Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik.

Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica).

Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambjenti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane.

Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK).

Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.

Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”.