Extra Çfarë është Sindroma Asperger? Çrregullimi autik nga i cili vuan edhe Elon...

Çfarë është Sindroma Asperger? Çrregullimi autik nga i cili vuan edhe Elon Musk

Sindroma Asperger e ka marrë emrin nga mjeku austriak, Hans Asperger, (1906-1980), pediatër. Është një formë e konsideruar e butë e autizmit, e përfshirë në të ashtuquajturat çrregullime të spektrit të autizmit, nga e cila mendohet se kanë vuajtur shkencëtarët, muzikantët dhe personalitete të tjera të famshme. Kjo, gjithsesi që nuk duhet të lërë në hije vështirësitë e atyre që e përjetojnë këtë gjendje, vetë ose me një anëtar të familjes.

HISTORIA. Neurologia ruse Ewa Ssucharewa (1891-1981) kishte punuar mbi një përshkrim të parë të këtij çrregullimi, por besohet se ishte Asperger ai që e njohu atë plotësisht.

Asperger, një pediatër në një spital në Vjenë, kishte identifikuar karakteristikat e zakonshme në disa fëmijë që e çuan atë të mendonte për një çrregullim specifik. Të vegjlit ngritën shqetësime dhe probleme të konsiderueshme në familje dhe duket se kishin sjellje dhe tipare të ndryshme të përbashkëta. Ata ishin zakonisht të vetmuar dhe të izoluar, kishin vështirësi për të bërë miq, shpesh ngacmoheshin, kishin probleme komunikimi, një paaftësi për të kuptuar synimet e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të shoqëroheshin me ta. Ndonjëherë ata ishin të ngathët në lëvizjet e tyre dhe shpesh, në izolimin e tyre, ata iu përkushtuan interesave që i përthithnin plotësisht, qoftë kjo shkencë, kafshë apo natyrë, koleksionimit ose leximit. Ata u bënë aq të aftë në hobby-t e tyre ose subjektet që kishin zgjedhur, saqë vetë Asperger i quante profesorë të vegjël.

DYSHIMET DIAGNOSTIKE. Asperger vdiq para se çrregullimi që përshkroi ai të njihej në fushën e mjekësisë, pjesërisht sepse punimet e tij ishin shkruar në gjermanisht dhe qarkullonin jashtë rrethit të revistave shkencore.

Ishte studiuesja angleze Lorna Wing, në 1981, ajo që rizbuloi shkrimet e Asperger dhe pagëzoi sindromën që ai kishte përshkruar.

Ndryshe nga autizmi, i cili karakterizohet, gjithashtu, nga ndryshime të rënda në zhvillimin e të folurit dhe shpesh prapambetje mendore, sindroma Asperger konsiderohet si një nënlloj më i butë, megjithëse akoma debatohet nëse duhet konsideruar një formë e veçantë ose e butë e autizmit.

Në DSM V, botimi i pestë i manualit që përcakton çrregullimet psikiatrike, Asperger është një nga çrregullimet e spektrit të autizmit si një nga kushtet më pak serioze.

Numri një i SpaceX dhe Tesla, Elon Musk ka zbuluar se ai ka Sindromën Asperger. Të prekur nga kjo sindromë, do të kishin qenë personazhe të rëndësishëm të së kaluarës, me inteligjencë mbi mesataren, të futur në kontekstin e tyre shoqëror në një mënyrë jo konvencionale, nëse jo të çuditshme, personalitete si Mozart, Albert Einstein, Isaac Newton, Alan Turing . Është e vështirë të thuash nëse është kjo e vërtetë. Kohët e fundit, një raport i Pentagonit pretendohet të ketë hedhur idenë se edhe presidenti rus Vladimir Putin do të vuante nga Asperger, një hipotezë që nuk gjeti shumë mbështetës.

NË KINEMA. Që kur diagnoza u bë zyrtare, personazhet aspie janë trajtuar në mënyrë të përsëritur nga filma. Adam (protagonist i filmit me të njëjtin emër të vitit 2009) tregon për vështirësitë e një djali të vetëdijshëm për të qenë Asperger. Karakteristika e tij tipike është pamjaftueshmëria sociale. Ai nuk mund të kuptojë dëshirat dhe ndjenjat e të tjerëve, ai gjithmonë thotë të vërtetën, ai interpreton atë që të tjerët thonë fjalë për fjalë.

Nga ana tjetër, Oskar, në filmin “Extremely Loud and Incredibly Close” në 2011, bazuar në romanin me të njëjtin emër nga Jonathan Safran Foer), në moshën nëntë vjeç protagonisti shkon nëpër Nju-Jork dhe fotografon gjithçka, edhe pse ai nuk mund të përqafohet dhe shqetësohet nga zhurmat e forta.

Pastaj është Lisbeth në filmin “Burrat që urrejnë gratë” në 2009, me xhaketë lëkure të zezë, piercing, tatuazhe, e izoluar dhe misterioze, shumë e aftë, apo matematikani Alan Turing, historia personale tragjike e të cilit u soll kohët e fundit në ekranet në lojën e imitimit në 2015.

Këto janë gjithashtu mënyra për të bërë të njohur një gjendje që është gjithmonë e vështirë për t’u diagnostikuar. Shumica e këtyre fëmijëve, dhe të rriturit janë njerëz që kanë nevojë për forma specifike të mbështetjes, ndërsa ata shpesh mbesin të padukshëm në shoqëri.