Kryesore Çfarë janë Facebook Papers dhe çfarë dihet deri tani?

Çfarë janë Facebook Papers dhe çfarë dihet deri tani?

Mijëra dokumente të klasifikuara të bëra publike kohët e fundit, akuzojnë kompaninë e rrjetit social më të madh në botë, se i ka injoruar haptazi paralajmërimet e vetë punonjëseve të tij dhe se problemet e tyre më të thella, një ditë do të dilnin mbi sipërfaqe.

Një ish-pjesëtarë e skuadrës së disinformimit në Facebook, Frances Haugen ka dëshmuar para Kongresit Amerikan kundër kompanisë. Gjatë 2 viteve që ajo punoi aty, Haugen tha se i është dashur shpesh të shoh se si kompania i jep prioritet rritjes ekonomike mbi çdo gjë tjetër, edhe nëse kjo do të thotë që ata që humbin janë vetë përdoruesit apo edhe shoqëria më gjerësisht.

Për një kohë të gjatë, ata kishin injoruar të gjithë paralajmërimet e vetë studiuesve të punësuar prej tyre rreth ndikimeve negative të kësaj platforme. Dhe Haugen nisi të mblidhte mijëra faqe dokumentesh të klasifikuar që e provonin këtë – dhe që tashmë njihen masivisht si Faceobok Papers.

Këto dokumente iu referuan Komisionit të Sigurisë në Kongresin Amerikan dhe më vonë një formë e shkurtuar iu shpërnda edhe medias.

Dy muajt e fundit kanë qenë shumë problematik për Facebook, edhe pse kjo nuk është hera e parë që Zuckerberg do të dalë para Kongresit, sidomos pas fushatave të disinformimit gjatë zgjedhjeve të 2016.

Këto janë disa nga pikat e veçuara nga CNN, prej dhjetëra mijëra faqeve dokumentesh të klasifikuara.

1 – Trafiku i qenieve njerëzore

Facebook ka qenë në dijeni të praktikave të trafikut të qenieve njerëzore nga përdoruesit e tij të paktën që nga viti 2018, por dokumentet e prezantuara në Kongres, e akuzojnë atë që nuk ka bërë asgjë për t’i ndaluar.

Sipas një prej raporteve nga shtatori 2019, Facebook i mundësonte të treja fazat e trafikimit (rekrutimin, lehtësimin dhe shfrytëzimin). Trafikantët kanë llogari dhe profile në Facebook, Instagram, Messenger dhe WhatsApp, dhe sipas Haugen, ata vazhdojnë t’i përdorin këto profile për të reklamuar vajzat për shitje edhe sot e kësaj dite.

2 – Ndikimi tek adoleshentët

Sipas dokumenteve, Facebook ka punuar në mënyrë aktive për të tërhequr sa më shumë të rinj dhe adoleshentë drejt platformës, sidomos në Instagram, edhe pse efektet negative tek këto grup-mosha dhe shëndeti i tyre mendor njihen më mirë se kushdo tjetër nga kjo kompani.

Edhe pse publikisht Facebook i ka pranuar këto efekte negative, kompania ka ndërmarrë hapa të shumtë për ta targetuar këtë audiencë.

Vetë skuadra kërkimore e brendshme e Facebook ka raportuar se platforma sociale “kontribuon në probleme me imazhin dhe vetëbesimin tek 1 në 3 adoleshente.” Studimi gjithashtu zbuloi se “13.5% e vajzave adoleshente në Instagram mendojnë se ky rrejt social i përkeqëson mendimet e tyre për vetëvrasje dhe depresion” dhe 17% prej tyre thonë se Instagram i ka detyruar të bëjnë dieta ekstreme, si anoreksia por edhe më keq.

3- Përhapja e dhunës

Punonjës të Facebook e kishin ngritur shpesh herë alarmin rreth mos-investimit të kompanisë për të ndaluar dhe bllokuar shpërndarjen e thirrjeve të dhunës. Një shembull konkret është Etiopia, ku prej kohësh po zhvillohet një luftë civile, të cilën sipas dokumenteve të dorëzuara në Kongres, në një mënyrë ose tjetër Facebook e ka ndihmuar, duke e ditur që në këtë platformë ka llogari kriminelësh dhe figurash radikale që bëjnë thirrje për dhunë dhe akte të tjera të ngjashme dhe lejohen gjithsesi të vazhdojnë të qëndrojnë në rrjet.

4- Shpërndarja e Disinformimit

Në një prej deklaratave të dorëzuara në Kongres thuhet se “Facebook i ka mashtruar investitorët dhe publikun e gjerë rreth përpjekjeve të kompanisë për të ndaluar përhapjen e disinformimit dhe ekstremizmit gjatë zgjedhjeve të vitit 2020”.

Në një prej dokumenteve shpjegohet se si në një studim të vetë Facebook, një llogari e rreme, e bërë të duket si një grua 41-vjeçare me pikëpamje politike konservatore e quajtur Carol Smith, i duheshin vetëm 2 ditë pasi kishte ndjekur faqet e Fox News dhe Donald Trump, për t’ju sugjeruar faqe të grupeve radikale dhe të të djathtës ekstreme. Facebook ka qenë në dijeni të kësaj, pasi studimi është bërë nga vetë kompania, dhe sërish shumë pak bëhet prej tyre për t’i ndaluar këto pikëpamje dhe thirrje ekstremiste për të qenë pjesë e arenës publike.