Kryesore Çfarë janë tanket gjermane ‘Leopard 2’ dhe pse mund të ndryshojnë rrjedhën...

Çfarë janë tanket gjermane ‘Leopard 2’ dhe pse mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës në Ukrainë

Pas disa javësh hezitim, Gjermani ra dakord këtë të mërkurë të dërgojë tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë. Kievi shpreson se ato do të ndryshojnë rrjedhën e luftës kundër Rusisë. Dërgimi i këtyre tankeve në Ukrainë është i rëndësishëm pasi do t’i pajisë forcat ukrainase me një mjet tejet modern dhe të fuqishëm ushtarak, në një kohë kur me ardhjen e pranverës, pritet një ofensivë e re ruse.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, teksa njoftoi vendimin për të dërguar 14 tanke të tillë tha po ashtu se do të lejonte edhe shtetet e tjera që të bënin të njëjtën gjë.

Leopard 2 është tanku luftarak kryesor i Gjermanisë i gjeneratës së tretë. I zhvilluar nga Krauss-Maffei në 1970-n, tanku i parë u fut në shërbim në vitin 1979 dhe zëvendësoi versionin e mëparshëm Leopard 1, si tanku kryesor i Ushtrisë Gjermane.

Ata janë përdorur në luftën në Afganistan, ashtu sikurse edhe në luftën civile në Siri.

Ushtria Gjermane ka 320 tanke Leopard 2, por nuk bën të ditur sa prej tyre janë gati për t’u përdorur në fushëbetejë. Këtë e deklaroi për CNN një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane, i cili po ashtu tha se Gjermania do të lejonte eksportimin e tyre nga shtetet e tjera.

Nga ajo që dihet, deri më sot rezultojnë të shkatërruar të paktën 8 tanke Leopard 2.

Tanku Leopard 2 konsiderohet gjerësisht si ndër më të mirët të llojit të tij në botë. Ata përdoren aktualisht nga 19 shtete në botë. Një kombinim mes shpejtësisë dhe saktësisë, Leopardi është i aftë ta godasë objektivin në një distancë prej 5 kilometrash, ndërkohë që është në lëvizje.

Ky tank luftarak prej rreth 60 tonësh është i pajisur me një top të kalibrit 120 milimetra, që e lejon atë të luftojë armikun gjatë lëvizjes, falë fuqisë së tij prej 1 500 kuajsh fuqi, deri në 70 km/h, me një distancë prej 450 kilometrash.

Ai është gjithashtu i pajisur, sipas prodhuesit, me mbrojtje pasive integrale efektive kundër minave dhe raketave.

Ekuipazhi i tij prej katër anëtarësh përfiton gjithashtu nga mjetet teknologjike për të lokalizuar dhe synuar armikun në rreze të gjatë.

Një tjetër avantazh i madh është që ”Leopard” është i përhapur në kontinent duke lehtësuar kështu aksesin në municione dhe pjesë këmbimi dhe duke thjeshtuar mirëmbajtjen, gjë që është kërkuese për këtë lloj pajisjeje.

Nëse Kievi mund të merrte 100 tanke të tillë, efekti do të ishte i rëndësishëm në fushën e betejës kundër rusëve, vlerëson IISS.

E pajisur me ”Leopard 2”, një ushtri mund të thyejë linjat e armikut dhe t’i japë fund një lufte të gjatë në llogore, shkruan ”Bild”.

“Me Leopardin, ushtarët mund të përparojnë disa dhjetëra kilometra në të njëjtën kohë”, thekson gazeta.