Aktualitet Çfarë klime e favorizon koronavirusin? Rezultatet e studimeve të para

Çfarë klime e favorizon koronavirusin? Rezultatet e studimeve të para

Ka disa studime që konvergojnë mbi hipotezën se COVID-19 preferon klimë të ftohtë dhe të thatë para vendeve me klimë të nxehtë dhe të lagësht. Një fenomen që tashmë ishte i njohur për virusin SARS.

Më shumë raste midis 3-13 gradë

Në analizën më të fundit të të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, e bërë nga MIT në Boston, tregohet se numri maksimal i rasteve të koronavirusit ka ndodhur në rajone me temperatura midis 3 dhe 13° C. Përkundrazi, vendet me temperatura mesatare më të lartë në 18° C kanë regjistruar më pak se 5% të totalit të rasteve. Ky model funksionon gjithashtu për ShBA-të, ku shtetet jugore (si Teksasi, Florida dhe Arizona) deri më tani kanë regjistruar një normë më të ngadaltë të rritjes sesa shtetet veriore (siç janë Uashingtoni, Nju-Jorku dhe Kolorado).

Virusi preferon qytete të ftohta dhe të thata

Dy studime të tjera kanë vërejtur të njëjtën dinamikë: i pari, i sapopublikuar nga një studiues spanjoll dhe një finlandez, ka zbuluar se deri më tani, 95% të rasteve pozitive globalisht kanë ndodhur në temperatura midis -2 dhe 10° C, në kushte të thata. Studimi i dytë, i publikuar në fillim të këtij muaji nga një ekip i udhëhequr nga studiues të Universitetit të Beihangunt në Kinë, shqyrtoi situatën në qytetet kineze dhe zbuloi se në ditët e para të epidemisë, në janar, para masave kufizuese të qeverisë, qytetet e nxehta dhe të lagështa panë një shpërndarje më të ngadaltë sesa ato të ftohta dhe të thata.

Shpërndarja e rasteve në mars

Parashikimet matematikore

Në të njëjtin studim, sipas modelit të vërejtur në Kinë, studiuesit hartuan dy harta që tregojnë përhapjen e virusit në botë në mars dhe parashikimin (bazuar në vetëm një vlerësim matematikor) të asaj që do të ishte në korrik, nëse marrim të mirëqenë se virusi ndjek ndryshoren e klimës në mënyrë hipotetike.

Projeksioni për përhapjen në korrik

Kujdes në disa fronte

Asnjë prej këtyre artikujve nuk ka marrë një të ashtuquajtur rishikim nga kolegët dhe lidhjet midis përhapjes dhe kushteve klimatike mund të jenë për shkak të llojeve të tjera të ndryshoreve: për shembull, masat e marra nga qeveritë, linjat e infeksionit, mungesa e testeve të cilave u nënshtrohen njerëzit. Në një postim të kohëve të fundit, Marc Lipsitch, drejtor i Qendrës për Dinamikë të Sëmundjeve të Ndalueshme në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard, i bëri jehonë kësaj analize: “Megjithëse mund të presim ulje modeste në përhapjen e SARS-CoV-2 në kushte të motit më të ngrohtë dhe të lagësht, nuk është e arsyeshme të pritet që këto rënie të ngadalësojnë transmetimin mjaftueshëm sa për të ulur kurbën”. Shkencëtarët gjithashtu tregojnë se midis 11 dhe 19 marsit ka pasur një rritje të numrit të rasteve në rajone me temperatura më të larta se 18° C, të paktën 10 000 njerëz. Prandaj ato janë të dhëna të bazuara në vëzhgime: marrëdhënia midis numrit të rasteve / temperaturës dhe lagështisë është e fortë, megjithatë ne nuk e dimë se cili faktor mjedisor është më i rëndësishëm. Mund të jetë temperatura ose lagështia, ose të dyja bashkë. Është e vërtetë që virusi SARS po humbte aftësinë e tij për të mbijetuar në temperatura më të larta. Dhe se gripi është gjithashtu sezonal.

Nuk mund të presim verën

Por, për hemisferën veriore, rruga që kemi përpara nuk ndryshon: izolimi dhe distancimi shoqëror plus mbyllja pothuajse totale, masa që, megjithatë, duket se funksionojnë, përtej ndryshimeve të motit. Për më tepër, rasti i Italisë tregon se nuk mund të pritet vera. Lajmi i mirë është se nëse klima ndikon, natyra do të jetë në favorin tonë në muajt e ardhshëm. /Corriere della Sera