Kulturë Çfarë la pas Amoz Oz, gjiganti i letrave që kritikoi politikën izraelite

Çfarë la pas Amoz Oz, gjiganti i letrave që kritikoi politikën izraelite

Shkrimtari izraelit Amos Oz, u nda nga jeta të premten e 28 dhjetorit, në moshën 79 vjeçare, pas betejës me kancerin. Oz është autor i të tetëmbëdhjetë librave në gjuhën hebraike dhe kandidat për një kohë të gjatë i Nobelit të Letërsisë. Ai është bërë i njohur ndërkombëtarisht me omanet si “Kutia e Zezë”, “Në tokën e Izraelit” dhe “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën”, romani autobiografik. Pjesa më e madhe e veprës së tij, si fiction ashtu edhe jofiction eksploron jetën në bashkësitë e kibbutz-it dhe trajton marrëdhënien, shpesh komplekse, të personazheve të tij me shtetin e ri të Izraelit dhe politikën moderne – pasqyruese e vetë marrëdhënies së tij.
“Ata që e duan atë, faleminderit”, ka shkruar e bija e shkrimtarit, Fania Oz-Salzberger, në Twitter, ndërsa lajmëronte vdekjen e tij.

“Një rrëfenjë dashurie dhe drite dhe tani, një errësirë kanosëse”, do të lëvdonte presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin. “Pikëllimi zbret në ne, ndërsa hyn Shabbati. Një titan i letërisë. Shkëlqimi i shkrimtarëve tanë. Një gjigant i shkencave humane. Pushofsh në paqe, i dashuri ynë Amos!” Oz u lind si Amos Klausner, në Jerusalem, më 1939-ën, me një baba lituan dhe nën polake. Kur ishte 12 vjeç, e ëma vrau veten; dy vjet më vonë, ai u largua nga shtëpia dhe iu bashkua kibbutz-eve, duke marrë mbiemrin Oz. Pavarësisht se ishte rritur në një shtëpi jofetare, Oz zhvilloi një magjepsje me fenë, ndërsa thoshte në një intervistë se kishte nisur ta studionte Dhiatën e Re, kur ishte adoleshent: “Kuptova, në moshën 16 vjeçare, se por të mos lexoja ungjijtë, nuk do të kisha kurrë akses në artin e Rilindjes, në muzikën e Bahut, apo në romanet e Dostojevskit. Kështu, mbrëmjeve, kur djemtë e tjerë shkonin të luanin basketboll apo të ngacmonin vajzat – unë nuk kisha gjasa në asnjërën prej të dyjave – gjeta ngushëllim tek Jezusi.”

Pasi studioi Letërsi dhe Filozofi në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, Oz botoi librin e tij të parë “Aty ku ulërijnë çakejtë” , në moshën 22 vjeçare. Libër që u vlerësua nga kritika në Izraelin e vitit 1961; përmbledhja me tregime rreth jetës në kibbutz-e u botua në gjuhën angleze, katër vjet më vonë. Romani që i dha suksesin ishte “Majkëlli im” , botuar në anglisht më 1968. Në vendin tonë, ky autor është botuar nga shtëpia botuese “Scanderbeg Books”. Disa prej librave të përkthyer në gjuhën shqipe janë “Jeta rimon me vdekjen, “Jete fshati”, “Të njohësh një grua”, “Majkëlli im” dhe “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën”. “Amos Oz, që na mësoi si të duam dhe armikun. Ti shkove, mjeshtër, por vepra mbetet. U prehsh në paqe! E lumtur që modestisht kam bërë të mundur të flasësh shqip, e nderuar që të kam njohur!”, shkruan shkrimtarja shqiptare Flutura Açka, botuese e veprave të Oz në shqip, ndërsa shton “Bota letrare humbi një nga njerëzit që baraspeshonte ndjeshmëritë që politika ka dekada që nuk ka mundur dot, dhe mbase as shekujt nuk do t’ia dalin…”

Përpara se të niste studimet universitare, Oz kaloi tre vite në Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, Brigada Nahal dhe u kthye në shërbim gjatë Luftës Gjashtë Ditore të 1967-ës dhe në Luftën Yom Kippur të 1973-shit. Pas kësaj përvoje ajo mbajti qëndrim më të matur politik dhe ishte aktiv në promovimin e dialogut dhe të paqes mes Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë. Ai gjithashtu ka shkruar gjerësisht rreth konfliktit të Izraelit me popujt arabë. Në një intervistë, prillin e shkuar, Oz do të thoshte për një televizion gjerman “Nuk e di ç’e ardhme do të vijë për Izraelin, por di se ç’duhet të ndodhë. Çdo shtet në botë, duhet të ndjekë presidentin Trump dhe ta shpërngulë ambasadën e vet në Jerusalem. Dhe në të njëjtën kohë, secili nga këto vende, të hapë ambasadën e vet në Jerusalemin Lindor, si kryeqytet i popullit të Palestinës. Që prej vitit 1967, Oz ka advokuar publikisht për një zgjidhje dy-shtetesh me palestinezët, duke kritikuar ashpër qeveritë izraelite, të cilat kanë refuzuar të angazhohen me këtë politikë. Në 2017-ën ai ishte në listën finale të çmimit ndërkombëtar “Man Booker” , për librin e tij të fundit, “Juda”, rreth një burri të moshuar dhe një të riu që mundohen të kuptojnë botën, në një shtëpi në Jerusalem. Oz është lauret i shumë çmimeve brenda dhe jashtë Izraelit, si “Prix Femina” dhe Oficer i Arteve dhe Letrave, në Francë, çmimi i Paqes në Frankfurt, Çmimi “Primo Levi” në Itali dhe Çmimi i Izraelit. Ai është fitues edhe i Çmimit Gëte, për librin “Rrëfim për Dashurinë dhe Errësirën”.