Opinione Çfarë mund të na mësojë një lis gjigant mbi vdekjen?

Çfarë mund të na mësojë një lis gjigant mbi vdekjen?

Pemët mund të personifikohen dhe vajtohen si njerëzit, kur ato vdesin. Kjo nuk ka shumë kuptim. Megjithatë, leksioni që pemët kanë për ne është të mirat e të jetuarit në bashkësi.

Në mes të tronditjeve titanike politike dhe shoqërore të këtij viti, qyteza e Basking Rixh në Nju Xhersi gjeti kohën që të mbajë zi. Një nga pemët më të famshme të Bregut Lindor të SHBA-ve, një lis i bardhë shumë shekuj i vjetër që pati shtrirë gjymtyrët e tij të gjata mbi një varrezë pranë Kishës Presbiteriane të Basking Rixh, po vdiste. Në tetor, pema u shpall e vdekur; një muaj më vonë, banorët e mërzitur mbajtën një ceremoni përkujtimore për të.

Vajtimi për një pemë, a thua se ajo qe njeri, është e kuptueshme, e madje edhe natyrore. Në fund të fundit, në disa drejtime, pemët janë si ne. Ne duket se ndajmë të njëjtin plan trupi, me struktura të forta që na stabilizojnë ne në tokë dhe me gjymtyrë më të holla me të cilat ngrihemi lartë. Frymëzuar nga kërkimet e kohëve të fundit mbi komunikimin dhe ndarjen e ushqyesve mes bimëve përmes rrjeteve nëntokësore të rrënjëve, ekologu Peter Wohlleben në librin Jeta e Fshehtë e Pemëve (2016) shkruan se pemët janë me familje dhe me rrjet shoqëror. Personazhet në formën e pemëve shfaqen shpesh në mitologji, nga Dafina (transformimi i të cilës në formë peme e ndihmoi të shpëtonte nga Apolloni i dashuruar) te Entet që jetojnë në pemë te Kryezoti i Unazave.

Por kur ne i japim pemëve tiparet tona, ne duhet të kuptojmë se po gënjejmë veten. Ne po i shohim pemët jo si pemë, por në thelb, si një person. Natyralisti i madh John Muir kritikonte dikur bashkëkohësit e tij të cilët supozonin se pemët ‘ulërasin për shkak të rrënjëve të tyre të burgosura në tokë’. Në gati tetë dekadat që kur këto fjalë u shkruan, nuk ka pasur mungesë të antropomorfozimit të pemëve, por kjo ka shërbyer pak për të kuptuar pemët ashtu siç janë. Ne e verbuam veten përballë realiteteve më komplekse që mund të na ndihmojnë ne të vlerësojmë siç duhet vendon tonë në natyrë.

Pemët me të vërtetë janë si ne në disa drejtime: ato rriten, marrin frymë, metabolizojnë, transferojnë informacion gjenetik përmes ADN-së. Por në mënyra të tjera ato nuk janë si ne. Pemët nuk lëvizin dot nga vendi ku zënë rrënjë dhe duhet të sigurojnë çdo gjë që kanë nevojë brenda këtij kufizimi. Ato bëjnë ushqimin e vet përmes dritës së diellit, dioksidit të karbonit dhe ujit. Ato reagojnë ndaj mjedisit të tyre në mënyrë shumë më të ngadaltë se ne. Dhe më e rëndësishmja, dikush mund të argumentojë, ato nuk plaken si ne dhe nuk vdesin si ne.

Çdo pemë e vjetër lëshon pjesë të veta me kalimin e vitit. Lisi i Basking Rixh për shembull, humbi degë dhe pjesë të brendshme të trungut dhe në fund u desh të mbahej bashkë me çimento dhe kabllo. Megjithatë, vit pas viti, pema prodhoi sheqet në degët e saj dhe piu ujë nga toka. Në librin e tij Pemë të Egra (2007), shkrimtari Richard Preston përshkruan pyllin e sekuojave të famshme të Kalifornisë, majat e pemëve të të cilit janë thyer, ndoshta shekuj më parë. Megjithatë, këto sekuoja vijojnë të jetojnë, duke krijuar një inkubator për ekosisteme të tëra me kurorat e tyre 100 metra mbi tokë.

Për njerëzit, plakja sjell në mënyrë të pashmangshme humbjen e funksioneve dhe vdekjen. Nëse ne humbim një gjymtyrë, kjo është humbje e madhe. Por në rastin e tmerrshëm kur humbasim kokën, kjo i jep fund lojës. Për pemët, situata është pothuajse e kundërt: sa më të vjetra bëhen ato, aq më mirë funksionojnë si pemë. Norma me të cilin ato bllokojnë karbonin rritet çdo vit, dhe sasia e jetës që mund të ushqejnë rritet proporcionalisht. Shkencëtarët nuk njohin ndonjë arsye themelore se pse pemët, në fund të fundit, duhet të vdesin dhe në shumë raste, një apo më shumë ‘pasardhës’ gjenetikisht identikë rriten aty ku qëndronte pema dikur. Nuk ka një rimishërim ekujvalent në botën e njerëzve.

Edhe kur një pemë vdes, ajo vijon të japë jetë. Fillimisht ushqen insektet që hyjnë në trupin e saj dhe zogjtë që ushqehen me këto insekte. Në fund ajo rrëzohet, kalbet dhe bëhet shtrat për farën e pemëve apo bimëve të reja, duke u kthyer pirg uniform, me myshk në zonat ku bie shumë shi. Forma e saj fillestare mund të hamendësohet vetëm nga një vëzhgues i ditur. ‘Një pemë ka gjysmën e jetës si pemë e gjallë dhe pastaj një jetë të dytë si pemë në kalbje,’ kjo është mënyra se si e përshkhruan ekologu i Universitetit të Uiskonsit në Medison Don Ëaller. Me fjalë të tjera, për sa kohë ti je në mes të pyllit, nuk ka nevojë të mbash zi për një pemë të rrëzuar.

Kur një njeri i dashur për ne ndahet nga jeta, ne mbajmë zi sepse e kuptojmë se edhe mes 7.4 miliardë njerëzve që jetojnë sot, apo atyre që do të lindin në të ardhmen, personi që ne duam është unik. Askush tjetër nuk do të ketë ekzaktësisht të njëjtat gene dhe të njëjtin epigjenom, dhe më pas, askush nuk do të ketë të njëjtën sjellje, inteligjencë dhe talente. Projektimi i një individualiteti të tillë te pemët na shtyn drejt rrezikut që të ndërtojmë një gjë të pakuptimtë imagjinare. Pemët bëhen të famshme ekzaktësisht në çastin kur konteksti i tyre ekologjik është hequr – dhe kur ato nuk janë tërësisht natyrore.

Ajo që e bënte lisin e Basking Rixh një pemë të famshme qe mosha, forma dhe ndërveprimi me historinë e njerëzve. Toka përreth saj u pastrua nga kolonët e parë, gjë që i mundësoi pemës të rritet për së gjeri në vend që për së larti, dhe të zhvillojë degët në formë meduze plot kthesa që e bënte atë të identifikueshme në një foto, edhe në rast se në foto priteshin elementët përreth. E ulur pranë një kishe të themeluar më 1717, ajo shërbeu si vend predikimi gjatë Rizgjimit të Madh, strehoi George Washington dhe Marquis de Lafayette bashkë me ushtarët e tyre dhe në fund u bë simboli i një qyteze.

Megjithatë nga pikëpamja ekologjike, lisi i Basking Rixh pati një jetë të varfër. Ajo natyrisht bëri disa nga gjërat që pemët bëjnë zakonisht, të tilla si prodhimi i farave dhe strehimi i zogjve apo mamalëve, por ajo nuk qe në gjendje të ndante siç duhet ushqyesit me pemët e tjera nën tokë. Për shkak se qe e rrethuar nga struktura njerëzore që duhej të mbroheshin nga degët që këputen, ajo do të ndalohet të ketë jetë të dytë gjithashtu. Ajo do të pritet në copa dhe nuk do të jetë në gjendje të ushqejë gjeneratën tjetër.

Koncepti njerëzor i individualizmit, kaq shumë i lidhur me lisin e Basking Rizh, ka shumë më pak kuptim për një pemë që gjendet në shtëpinë e vet. Pemët në një pyll zakonisht jetojnë mes qindra apo mijëra anëtarëve të të njëjtës specie, të cilat mund të dallojnë shumë pak gjenetikisht por që janë funksionalisht identike. Një pyll me më shumë se 50 mijë plepash në Utah duket se kanë të përbashkët një sistem të vetëm rrënjësh dhe konsiderohet si një koloni e vetme, ndoshta dhjetëramijëra vjet e vjetër. Humbja e ndonjërit prej këtyre plepave është e parëndësishme, njësoj si prerja e një thoi.

Si anëtarë të species që shpreson të lulëzojë edhe në të ardhmen, ne mund të marrim një mësim nga suksesi ekologjik që kanë arritur pemët duke zgjedhur jetën e tyre në bashkësi më shumë se sa jetë individuale. Para se njerëzit të përhapeshin në botë, pemët zinin rreth 60 për qind të sipërfaqes së tokës. Njerëzit e reduktuan këtë sipërfaqe në gjysmë të asaj që qe, por pemët janë reziztente në mënyrë mbresëlënëse. Pavarësisht shpyllëzimeve të mëdha në SHBA deri në mes të shekullit të 20, vetëm disa nga qindra speciet native të pemëve të kontinentit janë humbur në mënyrë natyrore. Kur një copë tokë bujqësore braktiset, me përjashtim të zonave jashtëzakonisht të ftohta apo të thata, pemët janë ato që kthehen pas – dhe shpejt. Nëse ne përmes ngrohjes botërore, luftës bërthamore apo mjeteve të tjera e bëjnë tokën të pabanueshme për ne, pemët do të jenë sërish këtu.

Pra ndjehuni të lirë të vajtoni për lisin e Basking Rixh apo çdo pemë tjetër të dashur për ju si humbje – humbje të hijes, pikës së referimit, simbolit të fuqisë dhe qëndrueshmërisë apo thjeshtë bukurisë. Por mos u shqetësoni për humbjen e jetës. Për lisin e Basking Rixh, kjo nuk ka kurrfarë kuptimi.

Burimi: Aeon.co/ Reporter.al