Kryesore Çfarë parashikon projekti për Himarën

Çfarë parashikon projekti për Himarën

Prishja e ndërtimeve pa leje në Himarë që ka nisur në kuadër të projektit për rikualifikimin urban të kësaj zone ka shkaktuar debate politike në Tiranë e në Athinë, ku opozitat e dy vendeve flasin për grabitje pronash nga qeveria shqiptare.

Por çfarë përfshin realisht ky projekt?

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruar nga Tv Klan, rezulton se bëhet fjalë për një marrëveshje mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Himarës, në thelb të së cilës është projekti për restaurimin dhe rikualifikimin urban të territorit dhe fshatrat turistikë Dhërmi e Vuno.

Pjesë e ndërhyrjeve janë edhe dy plazhet, ai i Dhërmiut e Jalit si dhe rikualifikimi i qendrës së Himarës.

Bashkia e Himarës është angazhuar për shpronësimin e 13 objekteve që preken prej tij, që në total kapin vlerën e rreth 104 milionë lekëve.(104,314,685.44).

Pjesë e këti projekti është sheshi i qytetit të Himarës, sistemimi në infrasktrukturën rrugore rivitalizimi i përroit dhe hapësirës së gjelbërt apo dhe ai i shpellës së Spilesë, e shpallur monument natyre.

Eshtë menduar që ndërhyrjeve t’i nënshtrohen edhe rrugët dytësore të qytetit të Himarës, fasadat e ndërtimeve ekzistuese, godina e Bashkisë, si dhe do të krijohen hapësira publike mes objekteve të banimit.

A mund të quhet grabitje e pronave të disa banoreve nga qeveria shpronësimi për ta sistemuar edhe këtë pjesë të Himarës ashtu siç ndodhi me qendrën e saj 2 vite më parë?

Ky investim do t’u shërbejë së pari banorëve të Himares, qyteti i të cilëve merr tjetër pamje, nga një qytet me ferra e kioska, pa rrugë e trotuare, në një qytet bregdetar me pedonale, trotuare të gjera, rrugë, gjelbërim e ndriçim normal, i denjë për pozicionin gjeografik që ka.

Paketa e investimeve ka për qëllim rivlerësimin e të gjithë potencialit turistik të bregut, duke ruajtur në thelb karakteristikat e zonës, ku përveç krijimit të një hapësire bashkohore për qytetin synohet fuqizimi i potencialit turistik të Himarës, që pritet të sjellë një zhvillim ekonomik e tregtar.