Kryesore Çfarë përmbajtje ka dosja e “klanit Avdylaj” sipas Bild

Çfarë përmbajtje ka dosja e “klanit Avdylaj” sipas Bild

Tabloidi gjerman Bild ka publikuar disa përgjime, pjesë të dosjes hetimore zyrtare të prokurorisë së krimeve të rënda numër 339/1, lidhur me aktivitetin kriminal të organizatës së trafikut të narkotikëve, i njohur si “klani Avdylaj” në qytetin e Shijakut.

Gjatë përgjimeve ka rezultuar se në muajt pararendës të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, klani kriminal i Avdylajve – shkruan Bild – është përfshirë thellësisht në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve në emër tw zyrtarëve të lartë të Partisë Socialistë, përfshi kreun e bashkisë Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.

Përgjimi i parë është ai mes kreut të bandës, Astrit Avdylaj dhe Ivo Doçit, drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Shijak. I pari i kërkon të dytit një listë të votuesve demokratë që punojnë tek UKT në Shijak, në mënyrë që Astriti të vijë e t’i shkundë që të votojnë për socialistët, në të kundërt do të humbasin punën e tyre.

Blind argumenton se toni i drejtorit të UKT-së Ivo Doçi teksa flet me Avdylajt është ai i një vartësi, tregues ky i fuqisë që kreu i grupit Avdylaj ka në “përpjekjet e fushatës së socialistëve”.

Elton Arbana në kohën e përgjimeve ishte kreu i Partisë Socialiste në Shijak, sot kandidat i socialistëve për bashkinë atje.

Përgjimi i dytë mban datën 28 Mars 2017 dhe dëgjohet biseda mes kreut të bandës së Avdylajve dhe kreut të Bashkisë Shijak Ardian Kokomani ku Astrit Avdulaj kërkon vendosjen e një takimi mes tij, Vangjush Dakos dhe Ilir Ndraxhit, atëherë kandidat në perspektivë sot deputet i socialistëve në Parlament, me rekomandim të Avdylajve.

Përgjimi i radhës tregon Astrit Avdylajn teksa telefonon Elton Arbanën, kandidatin aktual të socialistëve për kryebashkiak në Shijak, i irrituar pasi Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar po vendoste gjoba mbi disa banorë të Sukthit dhe Astriti.

Në përgjimin e fundit dëgjohet Astrit Avdylaj teksa telefonon kreun e bashkisë Durrës Vangjush Dako teksa ndodhet tek Hipoteka së bashku me drejtorin atje dhe Vath Allën, një ish të dënuar për vrasje, që do të përfundojë punën në emër të Allës.