Politika Çfarë po ndodh me LSI-në në Berat? Një tjetër ish-deputet bashkohet me...

Çfarë po ndodh me LSI-në në Berat? Një tjetër ish-deputet bashkohet me PS-në

Një tjetër zyrtar i lartë braktis LSI-në e Beratit. Gledion Rehovica, ish-deputet i kësaj force politike që u zgjodh në vitin 2017 është i dyti pas Nasip Naços që largohet drejt Partisë Socialiste të Beratit, duke e quajtur LSI një eksperiment politik që i ka ardhur fundi.

“Jam i lumtur dhe krenar që u kemi shërbyer njerëzve por tani është një klub në Tiranë që mbush televizionet me sharje. Eksperimenti i LSI ka mbaruar. Berati ka nevojë për progres dhe punë që të eci përpara. Jo se PS s’ka të meta dhe gabime, por është e vetmja me vizion sot”.

Sipas Rehovicës, vendimi për t’u larguar nga LSI ishte i imponuar nga ajo që ai e quajti një sjellje politike që ka thyer besimin tek ai.

“Ishte një takim me strukturat e LSI, iu bëra të qartë vendimin. Vendim i vështirë, por i imponuar nga një sjellje politike që ka thyer besimin tim dhe të qytetarëve që na ka votuar. Ka shumë që po largohen se ne e kemi krijuar me mish e me shpirt”.

Në mesazhin e tij, Rehovica thotë se nuk ishin tenderat që e çuan drejt LSI dhe njësoj nuk kanë qenë tenderat që e kanë çuar drejt Partisë Socialiste.

“Gjithsecili ka bindjet e tij, vepron sipas bindjeve, kur vajta te LSI nuk vajta me tender dhe nuk po vete me tender te PS”.

Gledion Rehovica u zgjodh deputet nga listat e LSI në vitin 2017, por Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin me pretendimin se ai kishte fshehur një dënim nga drejtësia italiane.