Kryesore Çfarë po ndodh mes Turqisë dhe Greqisë, Athina merr masa: Takim me...

Çfarë po ndodh mes Turqisë dhe Greqisë, Athina merr masa: Takim me Pompeon

Izraeli del në mbështetje të grekëve, Ankaraja: Po mbrojmë interesat e tona legjitime në Mesdheun Lindor, nisim kërkimet për gaz më 23 Gusht

Vijon të ketë tensione mes Greqisë dhe Turqisë, pas vendimit të Ankarasë për të dhënë leje për të kryer kërkime për gaz në ujërat territoriale të diskutueshme të Mesdheut lindor. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pas shqetësimit që i shprehu ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Athinë do të takohet me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo të premten në Vjenë.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme greke tha se diskutimi me Pompeon do të ketë në fokus “zhvillimet në Mesdheun Lindor pas përshkallëzimit të shkeljeve të Turqisë”. Asnjë detaj tjetër nuk është bërë publik, ndërkohë që takimi vjen pas vizitës zyrtare që Pompeo po zhvillon me disa vende të Europës Lindore. Dendias i ka bërë thirrje qeverisë turke që të largojë anijen e saj kërkuese nga zona. Ai shtoi se Ankaraja preferon diplomaci me luftanije se sa dialog të sinqertë. Dendias ka kërkuar një takim edhe me Komisionin e BE-së për Çështjet e Jashtme me qëllim që të diskutojë këtë çështje.

Greqia: Turqit planifikojnë nisjen e kërkimeve me 23 gusht

Sipas mediave helene, Turqia planifikon që të shtrijë kërkime në një gjatësi prej 1 750 kilometrash me datë 23 gusht. Këtë fakt e ka konfirmuar ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez të mërkurën me një postim në Twitter, ndërsa më herët edhe ministri i Jashtëm turk pati deklaruar se kërkimet nisin në fund të gushtit. Ky vendim vjen një ditë pasi ministri grek Dendias tha se nuk do të pranojë këtë lëvizje të Turqisë si një fakt të kryer.

Çfarë pretendon Turqia?

Ankaraja thotë se vazhdon të mbrojë interesat e saj legjitime në Mesdheun Lindor përmes aktiviteteve diplomatike dhe ushtarake. Në mediat turke shkruhet se “Ankaraja akuzon prej kohësh Greqinë për ndjekjen e politikave maksimiste në Mesdheun Lindor dhe ka theksuar se pretendimet e saj detare shkelin të drejtat sovrane të Turqisë”. Tensioni për këtë zonë nuk është i padëgjuar më parë. Muajin e kaluar dy vendet u përplasen pasi Athina kundërshtoi studimin sizmik të bërë në një zonë në jug të ishullit Meis, ose Kastellorizo. U deshën përpjekjet diplomatike gjermane ndihmuan në zbutjen e tensionit midis Turqisë dhe Greqisë. Mirëpo, tension midis dy fqinjëve ka ringjallur veprimi i Greqisë javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje për caktimin e kufijve detar me Egjiptin. Për këtë, Turqia thotë se shkel shelfin e saj kontinental dhe të drejtat detare.

Izraeli: Jemi me Greqinë

Qeveria izraelite ka lëshuar një deklaratë pas tensioneve në Mesdheun Lindor mes Greqisë dhe Turqisë. Duke marrë një pozicion në mbrojtje të palës greke, izraelitët thonë se po ndjekin me vëmendje tensionet.

“Izraeli po monitoron përshkallëzimin e tensioneve në Mesdheun Lindor. Shprehim mbështetjen dhe solidaritetin me Greqinë, zonat e saj detare dhe të drejtën për të përcaktuar Zonat Ekskluzive Ekonomike”, thuhet në deklaratë.

Në bazë të një marrëveshjeje detare me Libinë, Turqia pretendon se ka të drejtë të eksplorojë dhe të nxjerrë gaz nga disa zona të Mesdheut. Ishulli Kastellorizo ndodhet vetëm 2 kilometra larg brigjeve turke, por është pjesë e territorit dhe e shelfit kontinental grek dhe ky është një argument që Greqia e përdor për ta konsideruar zonën detare ku kërkon të eksplorojë për gaz, si ekskluzivitetin e saj.

Prej dekadash, dy vendet nuk gjejnë dot marrëveshje ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor. Tensionet për gazin rrezikojnë të shkaktojnë konflikt të armatosur mes dy anëtarëve të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë.