Extra Çfarë thuhet në betimin e Hipokratit dhe a e shkroi ai vërtet?

Çfarë thuhet në betimin e Hipokratit dhe a e shkroi ai vërtet?

Shpërndaje

Rreth vitit 400 p.e.s., Hipokrati, një mjek grek që njihet nga të gjithë si babai i mjekësisë, shkroi betimin hipokratian. Parimet e larta etike që gjenden në këtë betim ende udhëheqin profesionin e mjekut.

A ju është mësuar kështu? Nëse po, nuk jeni të vetmit. Por, a është njëqind për qind e vërtetë?

Faktet na tregojnë se mund të mos ketë qenë Hipokrati autori i betimit që mban emrin e tij. Për më tepër, sot ata që kanë profesionin e mjekut jo gjithnjë janë pro versionit fillestar të këtij betimi.

A e dimë se kush e shkroi në të vërtetë këtë betim të lashtë? Pastaj, edhe po ta dimë, a ka vlerë për ne sot ky betim?

A e shkroi Hipokrati betimin?

Ka disa arsye për të dyshuar nëse ishte vërtet Hipokrati autori i betimit. Një arsye është se betimi fillon me zotimin në emër të disa hyjnive. Mirëpo Hipokrati njihet si njeriu i parë që e ndau mjekësinë nga feja dhe që kërkoi shkaqet fizike të sëmundjeve e jo ato të mbinatyrshme.

Për më tepër, disa gjëra që janë ndaluar në këtë betim nuk ishin në kundërshtim me mënyrën se si praktikohej mjekësia në kohën e Hipokratit. Për shembull, gjatë kohës së Hipokratit, aborti dhe vetëvrasja nuk dënoheshin nga ligji ose nga shumica e normave fetare. Po ashtu, individi që bën betimin premton se nuk do të merret me kirurgji po të mos jetë kirurg. Por nga ana tjetër metodat kirurgjikale janë pjesë e koleksionit hipokratian. Ky përfshin një sërë botimesh mjekësore që shpesh i atribuohen Hipokratit dhe shkrimtarëve të tjerë të lashtë.

Prandaj, ndonëse kjo çështje është ende objekt diskutimesh nga studiuesit, ka shumë mundësi që betimin hipokratian në të vërtetë të mos e ketë shkruar Hipokrati. Filozofia që shprehet në betim duket se përkon më shumë me pitagorianët e shekullit të katërt p.e.s., të cilët përkrahnin disa ideale për shenjtërinë e jetës dhe ishin kundër procedurave kirurgjikale.

I bie dhe i rritet përsëri vlera

Pavarësisht se kush ishte në të vërtetë autori i betimit, ajo që nuk mund të vihet në dyshim është ndikimi domethënës që ka pasur ky betim në mjekësinë perëndimore dhe në veçanti në fushën e etikës. Ky betim është quajtur “pika kulmore e zhvillimit të koncepteve të padiskutueshme etike në mjekësi”, “baza e marrëdhënieve pacient-mjek në botën e zhvilluar” dhe “pika më e lartë e etikës morale profesionale”. Në vitin 1913, sër Uilliam Osleri, mjek i famshëm kanadez, tha: “S’ka shumë rëndësi nëse ky betim i përket kohës së Hipokratit apo jo.,. Për njëzet e pesë shekuj ai ka qenë ‘kredoja’ e mjekësisë dhe, në shumë universitete, është ende formula që thuhet kur merr diplomën për mjekësi.”

Megjithatë, në fillim të shekullit të 20-të pati një periudhë kur betimi s’pëlqehej shumë, ndoshta për shkak të zhvillimeve shkencore që po ndodhnin në atë kohë. Në një atmosferë ku gjithnjë e më shumë po u jepej rëndësi arsyes dhe logjikës, betimi mund të jetë dukur si diçka e vjetër e që s’hynte më në punë. Por, me gjithë zhvillimet shkencore, nevoja për parime etike mbetet gjithnjë. Ndoshta kjo është arsyeja që betimi ka filluar të pëlqehet përsëri dhjetëvjeçarët e fundit.

Për shumë mjekë, bërja e betimit është bërë përsëri pjesë e rëndësishme e procedurës së hyrjes në fakultetin e mjekësisë ose të diplomimit prej tij. Një sondazh i bërë në vitin 1993 nëpër fakultetet e mjekësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada tregoi se 98 për qind e atyre shkollave kishin në procedurat e tyre një lloj betimi. Në vitin e largët 1928, vetëm 24 për qind e shkollave të larta vepronin kështu. Në Mbretërinë e Bashkuar, një sondazh i ngjashëm tregoi se rreth 50 për qind e fakulteteve të mjekësisë përdorin aktualisht një betim ose një deklaratë. Në Australi dhe në Zelandën e Re, shifra është po ashtu rreth 50 për qind.

Ndryshon bashkë me kohërat

Gjithsesi, betimi hipokratian nuk ka mbetur i pandryshuar. Gjatë shekujve i janë bërë ndryshime për të pasqyruar bindjet që mbizotëronin në krishterim. Nganjëherë i janë bërë ndryshime për të prekur çështje të tjera, si për shembull rastin e viktimave të epidemive. Kohët e fundit është ndryshuar për të qenë në përputhje me mentalitetin modern.

Në shumë versione të betimit, janë hequr konceptet që nuk paraqesin praktikat e mjekësisë moderne dhe janë shtuar ideale të tjera që janë të rëndësishme për shoqërinë bashkëkohore. Për shembull, sot parimi i vullnetit të lirë të pacientit mund të zërë një vend kryesor në ushtrimin e profesionit të mjekut, por në mjekësinë e lashtë greke s’kishte koncept të tillë e prandaj nuk ishte pjesë e betimit hipokratian. Koncepti i të drejtave të pacientit përbën një pjesë të rëndësishme të shumë deklaratave që përdoren në kohën tonë.

Veç kësaj, marrëdhënia mjek-pacient ka ndryshuar, sepse janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme koncepte të tilla, si e drejta e pacientit për ta miratuar një trajtim pasi të jetë informuar për të. Prandaj, është e kuptueshme pse vetëm pak fakultete të mjekësisë përdorin ende betimin hipokratian në formën e tij të hershme.

Ndryshime të tjera që i janë bërë betimit janë ndoshta më të habitshme. Në vitin 1993, vetëm 43 për qind e betimeve që bëheshin në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada përfshinin zotimin që mjeku do të konsiderohej përgjegjës për veprimet e tij. Po ashtu, shumica e versioneve moderne nuk përfshijnë asnjë ndëshkim për shkeljen e kushteve të paraqitura aty. Më pak akoma ishin përfshirë mospranimi i eutanazisë, i abortit, si edhe betimi në emër të ndonjë hyjnie, kurse betimi për të mos pasur kontakte seksuale me pacientët ishte vetëm në 3 për qind të deklaratave që përdornin fakultetet ku u bë sondazhi.

Vlera e një betimi

Pavarësisht nga ndryshimet e shumta që i janë bërë betimit hipokratian, përdorimi i betimeve shpesh shihet si një gjë e rëndësishme për një profesion që i është përkushtuar idealeve shumë fisnike dhe morale. Në sondazhin e vitit 1993, për të cilin u fol më parë, u zbulua se shumica e betimeve që përdoren sot përqendrohen në zotimin që marrin mjekët kundrejt pacientëve. Mjekëve të ardhshëm u kërkohet të premtojnë se do të bëjnë çmos për t’u kujdesur për pacientët e tyre. Kjo gjë e përqendron vëmendjen te parimet e denja morale që qëndrojnë në themel të profesionit të mjekut.

Në një kryeartikull të botuar në The Medical Journal of Australia, profesori Edmund Pelegrino shkroi: “Ndoshta për shumë veta sot betimi i mjekut është si një copëz e mbetur nga një imazh i vjetër i dëmtuar. Por, në mentalitetin e mjekëve nga ky imazh mbetet aq sa duhet për të na sinjalizuar që të mos e harrojmë plotësisht atë, pasi kjo do të nënkuptonte ta kthenim mjekësinë në një sipërmarrje tregtare, industriale ose vetëm për përfitim personal.”

Ka shumë të ngjarë që debati nëse kanë vlerë sot betimi hipokratian dhe deklaratat moderne që kanë dalë prej tij do të vazhdojë të ekzistojë ndërmjet studiuesve. Por, cilido qoftë rezultati, zotimi i mjekëve që të kujdesen për të sëmurët mbetet ende diçka që duhet vlerësuar shumë.

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim;

Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim;

Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër.

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mij, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë.

Nuk do t’i jap një bar vdekjeprurës askujt që do ta kërkojë atë, dhe as nuk do t’ia sugjeroj dikujt këtë gjë.

Po ashtu, nuk do t’i aplikoj asnjë gruaje një mjet që shkakton abortin.

Do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dlirësi.

Nuk do të merrem me kirurgji, madje edhe tek pacientët që vuajnë nga gurët, por do ta lë që këtë punë ta bëjnë atyre që iu vjen ndoresh.

Në çdo shtëpi që të hyj, do të hyj vetëm në të mirë të të sëmurit, duke qëndruar larg prej çdo padrejtësie dhe të pabëre, e sidomos prej akteve seksuale mbi trupat e grave dhe të burrave, qofshin këta njerëz të lirë, apo skllevër.

Çfarëdolloj gjëje që do të dëgjoj gjatë një mjekimi, apo edhe që nuk ka lidhje me mjekimin, për sa iu takon jetës së personave e që nuk duhet të nxirret në pazar, këtë gjë do ta mbaj për vete, duke ruajtur fshehtësinë e plotë.

Nëse e respektoj këtë betim dhe nuk e dhunoj atë, le të mundem ta gëzoj jetën dhe profesionin tim, i nderuar prej të gjithëve e në të gjitha kohërat; por nëse e thyej dhe e dhunoj këtë betim, le të jetë fati im i ndryshëm.