Politika “Cherchez la femme”, Berisha rendit problemet që sollën largimin e Gledis Nanos

“Cherchez la femme”, Berisha rendit problemet që sollën largimin e Gledis Nanos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet këtë të premte në lidhje me një deklaratë që pati në seancën plenare ku u shpreh se largimi i Gledis Nanos nga Policia e Shtetit ka lidhje me zv/kryeministren Belinda Balluku.

Berisha renditi sipas tij të gjitha problemet që sollën largimin e Nanos.

Po ashtu ai theksoi se ish-drejtori i policisë nuk ka pasur lidhje me grupet kriminale.

“Largimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mund t’ju them ju në 30 vite është një nga aktet më mafioze të shtetit. Sepse Gledis Nano ishte një komisar i gjeneratës së re, emri i të cilit nuk figuronte në 130 narkokomisarët e raportit të Shërbimit Informativ. Nuk kam patur asnjë iluzion se Gledis Nano do të jetë një njeri i suksesit, por tani të them haptazi nuk kisha informacion për lidhje të tij me grupet kriminale. Po të kisha patur e bëja publike. Mungesa e këtyre lidhjeve ishte diçka pozitive në vlerësimin tim. Pra ndihej më i lirë për të përmbushur detyrat. Ai u përball me këto probleme. Problemi kryesor u përball me ministrin i cili donte me çdo kusht këshilltarin e tij të shkarkuar për lidhje me drogën nga ministra socialistë, i larguar për Gjermani, i njohur si një nga arkitektët e përhapjes së drogës në jug, një famoz, Aranit Arapi, ai nuk i hapi rrugën atij.

Së dyti, doli jahti me vela plot drogë. Ju e keni parasysh reagimin e Çuçit. Kur unë e lidha me shoqatën e skafistëve tha unë jam i velistëve, jo i skafistëve. Doli që pak ditë mbrapa një velo plot drogë u kap në Itali. Se ku e gjeti ky këtë pasion kaq të madh për velat? Drogë është pasioni! Ky pati edhe një çështje të madhe me Edi Ramën. Çështja e madhe me Edi Ramën ishte çështja e call center-ave. Doli emri i Olsi Ramës. Call center është një hetim gjerman…

Së fundmi siç është ajo fala franceze “cherchez la femme” del që përveç këtyre që thashë mundet edhe ca probleme të zonjës Balluku. Probleme të këtyre linjave, jo të tjera, dhe të gjitha këto së bashku bënë që ai të largohej si agjent i imperializmit amerikan”, tha Berisha.