Sport Chiellini: Ronaldo mbushi boshllëkun e lënë nga Buffon. Nuk do të jem...

Chiellini: Ronaldo mbushi boshllëkun e lënë nga Buffon. Nuk do të jem kurrë trajner

Lëndimi që pësoi kundër Atalantas në Kupën e Italisë i shqetësoi shumë tifozët e Juventusit, por Giorgio Chiellini do të jetë në qendër të mbrojtjes, në sfidën e së mërkurës kundër Atletico Madrid, në Ligën e Kampionëve.

Mbrojtësi bardhezi, në një intervistë të gjatë për “Marca”, pranon se Juventusi synon për ta fituar Champions-in, por kjo nuk duhet kthyer në obsesion: “Duam ta fitojmë këtë trofe, por me qetësi, pa e kthyer në fiksim. Ne e dimë se nuk jemi ekipi i vetëm, që e synojmë diçka të tillë. Janë edhe 5-6 ekipe të tjerë, që mund ta fitojnë.  Ne duam të luajmë në “Wanda Metropolitano” më 20 shkurt dhe 1 qershor”.

Chiellini, megjithatë, e pranon se të eliminojnë Atletico Madrid nuk do të jetë e lehtë: “Shorti i këtij raundi nuk ishte komod, do të përballemi me një ekip shumë të ngjashëm me ne në aspektin e vlerave, idealeve dhe karakteristikave. Sidoqoftë, Juventusi është një ekip, një familje, një grup i bashkuar, që ndjek triumfin. Tani duam të fitojmë Ligën e Kampionëve”.

Mbrojtësi shpjegon se çfarë do të thotë ardhja e Cristiano Ronaldos te Juventusi: “Ardhja e tij ishte e rëndësishme për shkak se ka mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Buffon në aspektin e personalitetit, si një shembull për t’u ndjekur. Vetëm një i çmendur mund të kishte dyshime mbi aftësitë e tij. Ronaldo po shënon shumë dhe asiston shokët e ekipit. Me Cristiano jemi duke shkuar përtej kufijve tanë, ai bën dallimin dhe e tregon në çdo lojë se është më i miri në botë”.

Chiellini nuk e vendos veten ndër mbrojtësit më të mirë në botë dhe përmend dy emra të tjerë: “Atletico Madrid ka një mbrojtës si Godin. Kur ai nuk është aty, mbrojtja ndryshon krejtësisht. Sergio Ramos është mbrojtësi më i mirë në botë. Unë mendoj se me Ramos në fushë, vitin e kaluar, nuk do ta shihnim veten në avantazhin 3-0 në “Bernabeu”.

Së fundi, Chiellini përjashton një të ardhme si trajner, për të qëndruar më pranë familjes, ndërsa mund të mbetet në futboll si menaxher: “Jeta e trajnerit është shumë e vështirë, shumë më e vështirë se ajo e lojtarit. Kam luajtur, kam udhëtuar, kam lënë pas dore familjen për vite me radhë. Paramendoni pozicionin e trajnerit, që duhet të mendojë për 30 persona, pa menduar për veten. Një trajner mund të ndryshojë ekipe çdo vit, nuk ka stabilitet”.