Sport Chievo e mbyll me 9 lojtarë, Juventus fiton dhe merr kreun

Chievo e mbyll me 9 lojtarë, Juventus fiton dhe merr kreun

Juventus ka mundur 2-0 Chievo-n në transfertë dhe ka marrë vendin e parë në kampionat, në pritje të ndeshjes së nesërme Napoli-Bologna.

Kjo ka qenë fitorja e gjashtë radhazi e bardhezinjve në kampionat dhe e gjashta radhazi në fushën e veronezëve, të cilët kanë pësuar humbjen e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit të Serisë A dhe mbajnë vendin e 13-të në renditje me 22 pikë.

Nuk ka qenë një ndeshje aspak e lehtë për kampionët në fuqi të Italisë, pavarësisht se vendasit kanë mbetur me dhjetë lojtarë në minutën e 37-të të pjesës së parë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Bastien. Chievo, edhe pse në inferioritet numerik, është mbrojtur mirë dhe në mënyrë të organizuar.

Juventus ka dominuar ndeshjen, por rastet për gol kanë munguar. Gjithsesi, në minutën e 62-të vendasit kanë marrë një tjetër goditje pas kartonit të kuq direkt të marrë nga Cacciatore, i cili ka protestuar ndaj arbitrit duke bërë gjestin e famshëm të prangave, si Jose Mourinho në një Inter-Sampdoria të shkurtit të 2010-ës.

Pas këtij momenti, hapësirat për Juventus janë shtuar dhe në minutën e 67-të miqtë kanë kaluar në avantazh me Sami Khedira.

Dy minuta para fundit të ndeshjes ka ardhur edhe goli i Higuain që ka fiksuar shifrat në 2-0.

Tani topi i kalon Napoli-t.