Kryesore Cilat janë mediat e majta që po shantazhojnë Ramën për çështjen Tahiri?

Cilat janë mediat e majta që po shantazhojnë Ramën për çështjen Tahiri?

Kryeministri Edi Rama në “komunikimin e Javës” sot, ku foli për raportin e lexuar nga ministri i Brendshëm italian para dy ditësh në Tiranë, midis rreshtave bëri edhe një akuzë të rëndë.

Edhe pse nuk e përmendi tekstualisht emrin e Saimir Tahirit, shefi i qeverisë tha se disa njerëz po kërkojnë favore nga pushteti me shantazhe dhe gjoba mediatike.

“Kollaj ta këndosh këngën e krimit në mexhelisin e katundit politik dhe mediatik dhe të derdhësh llumë përditë në çdo kanal komunikimi me njerëzit për të synuar pushtetin me akuza e shpifje monstruoze apo për të përfituar favore prej tij me shantazhe e gjoba mediatike. Por më e vështirë të provohesh i denjë në luftën me krimin duke e përballuar sfidën dhe baltën”, tha Rama, që sakaq shtoi se “unë kam zgjedhur të dytën dhe baltosja e punës dhe emrit, është kostoja e kësaj zgjedhjeje për të cilën, u jam mirënjohës njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që nuk më kanë lënë dhe nuk më lënë të pendohem për asnjë sekondë, paçka se balta e hedhur mbi mua, ka qenë dhe vazhdon të jetë dozë elefanti”.

Ky mesazh i Ramës nuk i drejtohej opozitës, pasi sulmi i saj dhe artileria e mediave të rreshtuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha, është diçka normale në betejën politike.

Mesazhi i Ramës duket se më shumë i drejtohet dy medieve që kanë qenë historikisht pro tij, Top Channel-it dhe medieve të botuesit italian, Karlo Bolino.

Si TCH, ashtu edhe Report Tv dhe Shqiptarja.com, kanë qenë mediat që kanë sulmuar më shumë mazhorancën në rastin e arrestimit të biznesit 25-vjeçar Orest Sota dhe “lidhjen” e tij me ish-ministrin Saimir Tahiri.

Madje sulmi i medieve të Bolinos ka xhelozuar edhe mediat e opozitës për lajmet e saj të shumta për çështjen Tahiri-Sota, madje duke kaluar shpeshherë në diletantizëm dhe lajme të pavërteta.

Ndërsa Top Channel ka arritur deri aty sa ka bërë edhe redaksionale ndaj kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër, ndryshe nga mediat e tjera, TCH në këtë rast nuk është vënë duke vënë gjoba, por thjesht ka marrë haptazi krahun e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke synuar fundosjen njëherë e përgjithmonë të Saimir Tahirit, i vetmi që mund të rivalizonte kryebashkiakun e Tiranës në betejën për pasardhësin e Edi Ramës në selinë rozë./American Eye